Çlirim Hoxha/Drejtësia shqiptare në gropën e politikës dhe interesit

512
Sigal

Tani po i jap të drejtë një mikut tim, që një ditë i revoltuar nga një vendim i padrejtë gjyqësor më deklaroi: “Drejtësia shqiptare është gropë septike që duhet pastruar”. Të më falin të gjithë ata gjyqtar dhe prokuror të ndershëm dhe të pavarur të këtij vendi, të gjithë ata që nuk kanë pranuar kurrë presione e ryshfete, që jo për fajin e tyre ndodhen mes vorbullës së qelbur të drejtësisë shqiptare të këtyre 22 viteve.

Ajo që pritej ndodhi, në Gjykatën e Tiranës u rishfaq gjëma e madhe e 21 janarit 2011, ku shteti vrastar i Sali Berishës vrau përsëri përmes plumbave të padrejtësisë, këtë radhë jo ata 4 martirë të pafajshëm të një proteste të ndershme, por familjarët e tyre, fisin dhe farefisin e tyre, neve të gjithëve. Më thoni ju lutem në çfarë junte ushtarako-civile jetojmë?! Në çfarë shteti të së drejtës po jetojmë ne, prindërit tanë, fëmijët tanë?! Me çfarë po edukohet ky brez shqiptarësh, kur sheh dhe dëgjon se si në sallat e gjykatave tona përdhoset drejtësia në mes të ditës?! Kur sheh dhe dëgjon se si sfidohen aleatët tanë të mëdhenj të demokracisë dhe shtetit të së drejtës?! Kur sheh dhe dëgjon se si hidhen poshtë, në koshin e plehrave hetimet e FBI-së amerikane dhe e laboratorit kriminalistikë më të mirë të botës?! Ky është shteti i së drejtës, shteti që u jep të drejtë vrasësve dhe urdhëruesve të tyre dhe ndëshkon të vrarët, viktimat e varfra të këtij populli, pikërisht në Shekullin e Ri, në shekullin e XXI, në mes të Evropës?! Si është e mundur që plumbat e dalë nga tytat ushtarake dhe policore në 21 janar të ishin të paqëllimshme?! Ndaj kujt qëllonin gardistët e Saliut në 21 janar 2011?! Kush ndodhej përpara tyre në atë demonstratë të papunësh?! Kush e rrezikonte jetën e Kryeministrit tonë në 21 janar 2011?! Demonstruesit ishin të paarmatosur, paçka se pushteti përlau botën me gënjeshtrat më trashanike që kishim dëgjuar ndonjëherë. Çadra pistoletë, stilolapsa pistoletë, thika me helm, por të vrarëve të 21 janarit nuk iu gjetën asgjë nga këto marrëzira të pushtetit të Saliut?!

Padyshim, ky ishte justifikimi i pushtetit vrastar përpara botës për 4 të varfrit e asaj demonstrate. Loja që drejtësia shqiptare konfirmoi të enjten e 7 shkurtit, ishte akti më i turpshëm i një drame që po e vuajnë të gjithë shqiptarët. Akte të tilla të pështira që vijnë era ndyrësirë nga gogësitja e gurmazit të kalbur të pushtetit, kemi parë edhe herë të tjera. Një akt i tillë i qelbur u pa të shfaqej nga Kolegji Zgjedhor i zgjedhjeve të 8 majit 2011, në prezencën e përfaqësuesve të botës demokratike dhe pushteti i hajdutëve nuk e çau fare kokën?! Kaq e paskrupullt është drejtësia shqiptare në përgjithësi, saqë ka humbur besimin e shoqërisë në këtë vend të padrejtësive. E kam ndeshur dhe dëgjuar me veshët e mi se si janë shprehur njerëzit në lidhje me disa akte të palejueshme dhe të pacivilizuara ndaj elementëve të veçantë të drejtësisë, kur këta të fundit janë sulmuar dhe dhunuar publikisht. Nuk kam dashur ta besoj këtë perceptim dhe opinion që kanë njerëzit për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë dhe kam kundërshtuar çdo sulm ndaj tyre, por në vetvete jam ndjerë keq për një nga pushtetet e rëndësishme të këtij shteti, i cili ka humbur besimin e njerëzve tek drejtësia. Përse vallë duhet të katandiseshim kështu gjatë 22 viteve të demokracisë dhe tranzicionit?! Të gjithë jemi shqiptar dhe duhet të përpiqemi, secili në sektorin e tij, ta çojmë përpara zhvillimin e këtij vendi, por ka ndodhur dhe po ndodh e kundërta. Vetëm regres dhe ecje si gaforrja ka ndodhur në Shqipërinë tonë të mjerë. Kush vallë duhet të na nxjerrë nga kjo situatë ku jemi zhytur?! Pushteti i korruptuar jo se jo. Atëherë të ngrihemi të gjithë në këmbë, të përgatitemi seriozisht, si asnjëherë më parë, i madh dhe i vogël që e do jetën, e do familjen dhe i dhimbset e ardhmja e fëmijëve të vet, që t’i japim fund njëherë e përgjithmonë kësaj maskarade debilësh dhe t’i hapim rrugën erës së re që po fryn nga perëndimi i demokracisë së vërtetë. Ish-komunistët ekstremistë që e gënjyen dhe e mashtruan këtë popull, duhet të përfundojnë në koshin e plehrave të historisë, me gjithë drejtësinë që prodhuan në kurriz të shqiptarëve në këto 22 vite.

Pas reagimit të drejtë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, e cila dha ndihmën e saj për të zbardhur vrasjet e 21 janarit, të gjithë duhet të jemi të bindur se ky s’pyet më për aleatin tonë të madh strategjik dhe hetimet e strukturave të tij moderne?! Kur flet drejtësia të gjithë duhet të heshtim, thuhet në postulatet për drejtësinë dhe kështu duhet. Por, si mundet të heshtë i drejti përpara padrejtësisë. Si mund të durojë i ndershmi shqiptar kur i serviren gjellë për të vjellë, siç ishin ashklat e drurit të gjetura në plumbin rikoshetë?! Si mundet vallë drejtësia shqiptare të bjerë kaq poshtë, duke na bërë të gjithëve të ndihemi kaq keq?! Përse duhet që gjyqtarët dhe prokurorët e këtij vendi, gjak nga soji ynë shqiptar, të na bëjnë të humbasin besimin ndaj shtetit, ndaj drejtësisë së vërtetë?! Kush duhet të mbajë përgjegjësi për 4 të vrarët e 21 janarit, cilët ishin autorët e tyre, cilët ishin urdhëruesit e vrasjeve?! Nga po bredh me kalë beu që urdhëroi qehallarët të qëllonin mbi të pambrojturit e të pambrojturve, mbi fukarenjtë e papunë të këtij vendi?! Kujt iu lëkund kolltuku i pushtetit nga demonstruesit me çadra shiu në dorë?! Amerika foli dhe tha mendimin e saj mbi vendimin e gjykatës. Por, Amerika e di mirë se kush është autori i vrasjes së 4 qytetarëve të pafajshëm në bulevardin e Tiranës. E di mirë Amerika se kush kërkoi ta sfidonte në vitin 1996, duke e akuzuar se po cenonte sovranitetin e Shqipërisë dhe reagoi. Reagim që na kushtoi shumë në 97-ën, por dhëndrin e divorcuar e martuam përsëri dhe dhëndri i rimakiazhuar u betua se do të bindej deri në fund. Po tani, dhëndri i harroi premtimet për shkak të zullumeve që e kanë mbytur nga pangopësia e pushtetit dhe urdhëroi të hidhen në kosh disa hetime laboratorësh “të dyshimtë” të një farë FBI-e përtej oqeanit. Ç’i ngeli FBI-së më tani, kur hetimet e saj u zhvleftësuan nga ana e specialistëve tanë “të mbaruar”, të cilët kishin dalluar atë që laboratorët e FBI-së nuk e kishin kapur dot, disa ashkla mikroskopike nga druri i pemës së rikoshetës, më të vogla se elektronet e atomit në trupin e plumbit. Arritje, jo shaka! Jam i bindur se sa keq ndihet Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Jam i bindur se sa keq ndihet Ambasadori i BE-së në Tiranë. E gjithë bota u ndie keq nga një vendim gjykate. Por, as njëri e as tjetri nuk kanë fuqi të ndryshojnë rrjedhën e gabuar të gjërave në këtë vend, veç konstatimit, raportimit, opinionit dhe këshillave. Ajo që duhet ta ngulisin mirë në kokën e tyre është: ta mësojnë mirë se me kë kanë të bëjnë. Kam lexuar shumë reagime këto dy ditë në rrjetet sociale, që shigjetonin Ambasadorin Arvizu dhe qëndrimin e tij të fundit mbi vendimin e gjykatës së Tiranës. Nuk jam i një mendimi me reagimet e tyre të lira. Të gjithë duhet ta kuptojmë se, asnjë aleat i joni i madh apo i vogël nuk mund të ndërhyjë tek drejtësia apo të urdhërojë qeverinë. Ata shprehin qëndrimet e tyre të qarta për një problem apo një tjetër, por jemi ne që duhet të veprojmë. Ajo që shqiptarët duhet të kenë parasysh në këtë prag zgjedhjesh politike është, që të zgjohen nga letargjia e gjumit të këtij dimri, të mobilizohen dhe të thonë fjalën e tyre në 23 qershor. Askush të mos mendojë dhe shpresojë se gjërat do ndryshojnë me ndihmën e atij apo këtij miku apo aleati. Fatin e jetës e kemi në dorë të gjithë ne shqiptarët dhe Shqipërinë duhet ta bëjmë ne me punën dhe angazhimin tonë, me votën tonë të ndershme dhe të drejtë. Por, që të ndodh kjo dhe që beu me kalë të mos vrasë më fukarenjtë e këtij populli, duhet të ngrihemi të gjithë në këmbë, pa frikë dhe me kuraje për të ndryshuar gjithçka, për të rilindur gjithçka në këtë Atdhe të shqiptarëve, por që jetojnë në kohën e maskarenjve. Drejtësia e munguar një ditë do të flas, sepse ky popull ka aq bijë e bija që do ta thonë një ditë fjalën e tyre të drejtë. Drejtësia e vërtetë e pas 23 qershorit do ta thotë një ditë fjalën e saj, për atë që shkeli kushtetutën sa herë i desh qejfi, për atë që nxori nga varri gjysh dhe etër të kundërshtarit politikë dhe i mori nëpër gojë si çamçakiza dhëmbëngjitës. Drejtësia e vërtetë e pas 23 qershorit do të bjerë mbi vrasësit, mbi kusarët dhe të korruptuarit e veshur me pushtetin e Ali Babës. Të 40 hajdutët e Ali Babës që fshehin kokën e tyre të zgjebosur mes padrejtësisë dhe pushtetit, do të japin një ditë llogari përpara këtij populli dhe do të ndëshkohen në emër të tij.

Çasti i shumëpritur po afron dhe kështjella prej rëre e ngritur mbi themelet e korrupsionit dhe krimit do të shembet në pushtet, në arsim, në polici, në shëndetësi, në ekonomi dhe patjetër në drejtësi. Shitësit e interesave të Atdheut duhet të marrin atë që meritojnë, pasi Shqipëria nuk është çiflig i askujt, as i atij që kohët e fundit po kërkon pronat e gjyshit të vetëshpallur mbret. Koha është e maskarenjve, por Atdheu i shqiptarëve!