Gëzim Tushi: Zgjedhjet, qytetari abstenues dhe partitë politike që si asnjëherë nuk po u dalin llogaritë

Në zgjedhjet e 11 Majit, “shtresa indiferente” këtu dhe në diasporë, është politikisht shqetësuese dhe aritmetikisht turbulente.

Për politikën është evident fenomeni i shfaqur në zgjedhjet e fundit, në shfaqjen e “individit të pavarur” si qytetar.

– Në 11 Maj llogaritë hartografike të liderëve të partive politike, sondazhistëve dhe analistëve janë të paparashikuara

Sigal

– Koha kërkon që politikanët të largohen nga mënyra e vjetër, sloganiste e butaforike dhe të tregojnë aftësitë e tyre dhe reputacionin e partisë së tyre.

– Politika dhe politikanët janë në betejë dhe përpiqen të përdorin të gjitha mënyrat, mjetet e njohura e të panjohura, për tërheqjen e tyre në kutitë e votimit.

– Kjo do të thotë se gjatë fushatës politikani duhet të shkojë i armatosur me njohuri specifike të “hartës” së situatës

Gëzim Tushi, “Mjeshtër i Madh”

Tradicionalisht në vështrimin sociologjik, fushatat e partive politike përgjithësisht kanë qënë të determinuara brenda një formati tridimensional. Nga njëra anë kjo është koha intensive, ekstensive dhe ekspansive e debateve verbale e mediatike të serta, duke bërë tipologjikisht kreshendo debatin politik të ngushtuar në konture pragmatiste, duke katandisur atë si retorikë të fajësimit reciprok midis pozitës dhe opozitës. Në anën tjetër dhe paralelisht me këtë dimension, është shqetësimi i politikës si “aritmetikë politike” dhe vënia në efiçiencë të plotë të “makinerisë” së llogarive të hartave gjeoelektorale. Dhe në fund për nga rradha, por jo nga rëndësia, është lufta për të zgjeruar konturet elektorale me votues të rinj, jo tradicionalë. Kjo sepse është fakt i vërtetuar nga shumë fushata elektorale, ekzistenca, apo prania e një mase njerëzore me peshë specifike dhe konsistencë aritmetikore, që nga pikëpamja sasiore shfaqet numerikisht me përmasat e një shtrese sociale të diversifikuar nga pikëpamja gjinore, moshore dhe gjeopolitike. Në këtë strukturë sociale janë të përfshirë qytetari indiferent, që abstenon, që refuzon dhe nuk përfshihet në zgjedhje, qoftë politike apo lokale, të cilët shumë shpesh për shkak të gjykimit personal, kanë dëshirën thelbësore apo manierën ekzibicionale për të qënë, apo shfaqur si njerëz me identitet politik të “paanshëm” apo të paangazhuar si anëtarë apo simpatizantë të partive politike apo qoftë edhe si votues neutral e me qëndrim rastësor e të papërcaktuar, që mbeten të papërfshirë në llogaritë elektorale të asnjë partie politike. Në vlerësim sociologjik, është evident fenomeni i shfaqur në zgjedhjet e fundit, e cila po kthehet në një patologji në zgjerim, e cila shfaqet në shfaqjen e “individit të pavarur” si qytetar që jo vetëm nuk është i angazhuar në asnjë parti politike, për të cilët fatkeqësisht angazhimi elektoral dhe pjesëmarrja në votime po bëhet gjithnjë e më i parëndësishëm. Ky “rezervat” elektoral i qytetarit indiferent, është shqetësim civil për demokracinë dhe sidomos për vlerësimin e peshës dhe rolit të pandryshuar të vlerës së votes. Jo vetëm si shprehje e lirisë individuale por dhe si obligim civil. Gjithnjë, por sidomos në zgjedhjet e 11 Majit, kjo “shtresë elektorale” këtu dhe në diasporë, është politikisht shqetësuese dhe aritmetikisht turbulente për “makinerinë elektorale” dhe llogaritë hartografike të liderëve të partive politike, sondazhistët dhe analistët respektivë. Sidomos në këto momente kur politika dhe politikanët janë në betejë dhe përpiqen të përdorin të gjitha mënyrat, mjetet dhe stratagjemat e njohura e të panjohura, për tërheqjen e tyre në kutitë e votimit. Tensioni politik bashkë me shqetësimin sociologjik për të involvuar në procesin e 11 Majit, këtë masë qytetare, është në rritje. Kjo sepse votimi i kësaj mase sociale indiferente, apo politikisht “gri”, në këto zgjedhje parashikohet se do të jetë me ndikim shumë të rëndësishëm. Sidoqoftë, pavarësisht motiveve pragmatiste të politikës dhe përtej manovrimit të tyre electoral, besoj se është e udhës që këta njerëz të kuptojnë se përtej inateve, pakënaqësive dhe hatërmbetjeve, është koha moderne dhe paradigmë ekzistenciale e ndërtimit të shtetit mbi parimet e njohura të “demokracisë përfaqësuese”, që e kërkon kontributin e tyre politik dhe qytetar, si kusht që qytetarët këtu dhe në diasporë të bëhen të ndërgjegjshëm, se votimi nuk është vetëm e drejtë qytetare, që edhe mund të mos e përdorësh, por është mbi të gjitha detyrë civile dhe elektorale e qytetarit. Kjo është njëra anë sociologjikisht e njohur në tërësinë e fenomeneve elektorale në Shqipëri. Është e natyrshme në këto momente zgjedhore, që shoqëria të jetë e “bombarduar” nga ligjërime dhe ditirambe politike nga politikanët. Në këto momente në mënyrë evidente dhe fare të natyrshme po shfaqet përpjekja e politikanëve të majtë e të djathtë, për të kontribuar në rolin e tyre personal sipas pozicionit politik respektiv, duke u përpjekur që të luajnë ndërmjetësuesin elokuent në marrëdhëniet që duhen vendosur midis partisë politike dhe qytetarit si “votues elektoral”. Koha kërkon që politikanët të largohen nga mënyra e vjetër, sloganiste e butaforike dhe të bëjnë më saktë jo vetëm aftësitë e tyre dhe reputacionin e partisë së tyre, duke qënë koshient për llogaritë dhe kostot e këtij ndërmjetësimi e cila bëhet në mënyrë organike dhe jo artificiale e mekanike, vetëm duke siguruar atë ekuilibër politik, funksional dhe elektoral, me të cilin duhet të realizohet fushata, si përzjerje e integruar e interesave magjistrale të politikës me ato partikulare e të personalizuara të qytetarit, si shtresë sociale dhe votues i dedikuar. Kjo është njëra nga arsyet pse jo pak qytetarë qëndrojnë larg kutive të votimit, nga që politika dhe politikanët nuk kanë as atraksionin personal, apo edhe mekanizmat e duhur socialë, që të shmangin këtë kontradiktë të qënësishme të indiferencës, skepticizmit apo konformizmit electoral, duke mos realizuar “fushën manjetike” politikisht tërheqëse, për të realizuar ekuacionin demokratik, që duhet për të realizuar atraksionin midis të drejtës së votës dhe detyrimit zgjedhor, politik e moral të qytetarit për “pjesëmarrje demokratike”, dhe vlerën universal të shfaqjes së vullnetit politik. Por këtë objektiv madhor dhe shumë delikat për t’u realizuar, nuk mund ta bëjnë disa politikanë, të cilët kur dëgjon ligjërimin verbal dhe mediatik të vakët, të cekët, formal, sloganist, pa emocione, kupton një gjë që është fare e qartë. Ata më shumë se vënë në funksionim objektiva të qarta politike të aktualitetit dhe prioriteteve ekonomike, social-kulturore, shëndetësisë, arsimit më shumë e kthejnë fushatën në aspektin konfliktual, duke gjykuar jo aq shumë politikisht se sa me “makinë llogaritse elektorale”. Kjo do të thotë se gjatë fushatës politikani duhet të shkojë i armatosur me njohuri specifike të “hartës” së situatës që ka afeksioni me partinë e tij dhe njohja e imtësishme e “hartës” demografike dhe “gjeografisë elektorale” specifike të zonës. Në të njëjtën kohë, ky rol i politikanit nuk bëhet pa disa cilësi personale e kualitete politike, kulturore e sociale. Kjo do të thotë që të jetë aq shumë i aftë, elokuent, mbushamendës, mbi të gjitha edhe “aktor” që të mund të përbashkojë gjatë debatit interesat e politikës me synimet sociale të elektoratit, pse jo edhe me kërkesat e personalizuara të qytetarit indiferent apo skeptik ndaj garancive të premtimeve elektorale. Kjo është një dinamikë, e cila kërkon që politikani që ka dalë si interpret politik në fushatë, me objektivin strategjik për të tërhequr “elektoratin e lëkundur apo indifferent e të pavendosur”, si kusht për t’i shërbyer kauzës së partisë, duke e vlerësuar si factor me rëndësi sasiore komplementare, si modus operandi për të mbajtur apo për të fituar pushtetin. Në këto kushte dialektika e veprimit politik në fushatë ka një dialektikë të brendshme, shoqëruar me një dinamikë të shkathët, sepse do t’i duhet të “…dorëzohet këtu, të qëndrojë i palëkundur atje, të vonohet në pikën tjetër dhe të veprojë sërisht me vendosmëri mes një kompleksi çorientues forcash dhe interesash konkuruese. Ai duhet të luajë njëkohësisht rolin e arbitrit dhe ndërmjetësit duke qënë në shënjestër të kritikave të të gjithëve”. Daniel Bell “Përpjekje për një parashikim shoqëror”, f. 452