Çelësi për të gjetur varrin e tij

637
Nga Ergys ALUSHI

Misteri i varrit të Skënderbeut!
550 vjet nga vdekja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, është ende i panjohur fati i eshtrave të tij dhe nuk ka ende asnjë konfirmim shkencor, zyrtar, për vendndodhjen e vendvarrimit të tij. Ende edhe sot, shqiptarët e të huajt që vizitojnë memorialin e varrit të Skënderbeut, në Lezhë, besojnë se aty ndodhet me të vërtet varri i Heroit Kombëtar të shqiptarëve. Ndër vite, debatet dhe teoritë për fatin e eshtrave dhe të vendbanimit kanë qenë të shumta, nga shumë historian e studiues, vendas e të huaj, por deri tani nuk ka pasur një dakordësi apo përfundim shkencor që do të çonte në zbulimin e varrit të vërtetë të Skënderbeut. Thuhet nga shumë historianë, shkrimtarë e studiues se Skënderbeu u varros në kishën Katedrale të Shën Nikollit në Lezhë. Teoritë e gojëdhënat për këtë janë të shumta, por vetëm kaq, sepse pastaj misteri rrethon varrin e tij edhe sot e kësaj dite, duke mos qenë në gjendje askush për të thënë ndonjë fakt konkret. Përse të jetë mister, përderisa shumica pranojnë se varri ndodhet në kishën që më vonë u kthye në xhami nga turqit dhe atje shkojnë pelegrinazh të gjithë shqiptarët dhe të huajt e pasionuar me historinë e Skënderbeut?!. E vërteta është se janë të shumtë vizitorët që vizitojnë atë që njihet si varri i Skënderbeut, duke filluar që nga ekskursionet e shkollave të cikleve të ndrysgëm e deri te vizitorë të huaj, duke qenë ndoshta një nga objektet historike më të vizituara në vend. Madje Lezha dhe lezhjanët krenohen me faktin që kanë në qytetin e tyre varrin e kryetrimit. Në vitet 1978-1981, gjatë punimeve arkeologjike që u kryen në Katedralen e Shën Nikollit, krahas gjetjeve të ndryshme me vlera historike, u zbulua edhe një varr i fshehtë, i nëndheshëm, një sarkofag prej guri gëlqeror i punuar ashtu si punoheshin sarkofagët në periudhën e Mesjetës. Deri tani nuk ka asnjë ndërhyrje për të hedhur dritë mbi varrin e fshehtë që ndodhet poshtë një pllake në Memorialin e vizituar nga qindra e qindra vizitorë, të cilët besojnë se shkojnë në vendndodhjen e varrit të Heroit Kombëtar. Edhe arkeologu, Frano Prendi, që kreu gërmimet në ish xhaminë Selimie, me studimet e tij shtron dhe përfaqëson sot tezën se varri i Skënderbeut ndodhej aty ku është ngritur memoriali i sotëm, e thekson në faqen 242 tek “Kuvendi II i Studimeve Albanologjike, Vol I, Tiranë 1969”, duke nënvizuar se: “Xhamia e kështjellës nuk të jep përshtypjen të jetë ngritur mbi ndonjë kishë, mbasi mungojnë elementët përbërës të saj, por edhe po të rezultojë nga ndonjë studim i hollësishëm, se ajo duhet të ketë qenë ndërtuar mbi mbeturinat e ndonjë faltoreje, prapë se prapë, përmasat e vogla, nuk na tregojnë ndonjë kishë katedrale, siç është ajo ku u varros Skënderbeu”. Pra, studimet e Prendit, të bazuara nga gërmimet e kryera në Lezhë, e kundërshtojnë, tezën që thekson se varri i Skënderbeut ndodhej në kala. Ato nënvizojnë faktin se xhamia e kalasë së Lezhës, nuk ka përmasa të mëdha, edhe sikur ajo të ishte ndërtuar mbi rrënojën e një kishe. Siç është vërtetuar, Skënderbeu ka vdekur më 17 janar 1468, pas një mbretërimi 25 vjeçar, duke qenë 63 vjeç, kur ishte ende i fortë për të mbretëruar, por edhe kur Shqipëria e asaj kohe kishte nevojë të madhe për drejtimin e tij. Ndërsa shqiptarët u hidhëruan dhe u zhytën në zi të madhe me vdekjen e tij, ai që u gëzua më shumë ishte Sulltan Mehmeti, i cili, sipas gojëdhënave kur mësoi për lajmin e vdekjes së Skënderbeut, pati thënë “Një luan të këtillë nuk do të lindë më dheu kurrë. Tani Evropa dhe Azia janë të miat! Mjerë krishterimi, se i humbi shpata dhe mburoja”. Pas vdekjes së Skënderbeut, Sulltan Mehmeti e pushtoi Shqipërinë dhe majat më të larta të saj, ku nuk kishte arritur dot për 25 vjet. Gojëdhënat vazhdojnë duke thënë, se bashkë me pushtimin e Krujës e Lezhës, si simbolet e qëndresës së Skënderbeut, ushtarët turq që zbuluan varrin dhe eshtrat, i ndanë kockat midis tyre si hajmali për të mos u vrarë nga shpata e armikut, për vet famën që kishte krijuar emri i Skënderbeut në luftimet e shumta me ushtritë osmane. Pikërisht këtu lindin edhe misteret e mëdha, midis të thënave, se kryetrimi u varros në Katedralen e Shën Nikollit dhe gojëdhënave, se turqit ia nxorën kockat e i bënë hajmali! Po si mund ta linin shqiptarët që kockat e udhëheqësit e tyre të bëheshin hajmali e turqve, armikut të tyre?! Shqiptari e ka respektuar gjithnjë të vdekurin, dje dhe sot. Po gruaja, djali, shokët e tij besnikë të luftërave, mund ta linin kufomën e njeriut të tyre më të dashur në tërbimin e armikut të tyre më të egër?!. A nuk e dinin ata që me vdekjen e Skënderbeut, fuqia e tyre do të dobësohej dhe turqit do ta pushtonin vendin e lakmuar prej kohësh?! A nuk e kanë shqiptarët një proverb që vjen që nga kohët e lashta se “Shqiptari dhe i vdekur nuk bie në duart e armikut”. Proverbi ishte krijuar si i tillë nga luftërat e shumta e të vazhdueshme të shqiptarëve dhe ishte i denjë për çdo shqiptar që binte në fushën e betejës. Për jetën dhe vdekjen e Skënderbeut është shkruar shumë, nga autorë shqiptarë e të huaj. Një nga ata ka qenë edhe Marin Barleti, i cili është një nga biografët e parë të Heroit, duke qenë se ka qenë më i afërt në kohë me të. Për të shkruar historinë e Skënderbeut, Barleti mblodhi shumë dokumente të kohës, shkoi në fusha beteje ku ishin zhvilluar lifetime nën drejtimin e Skënderbeut, mori vetë pjesë në rrethimin e Shkodrës. Në libër thuhet gjithçka për veprën e Skënderbeut, vetëm për varrin e tij nuk thuhet gjë! Por, a mund të besohet se Barleti nuk e ka vizituar varrin e kryetrimit, kur mëson nga libri se ka shkuar në shumë vende për ta njohur nga afër jetën e veprën e tij?! Kjo është krejtësisht e pabesueshme. Të vizitosh vendet ku ka jetuar dhe luftuar trimi Skënderbe, të mbledhësh dokumente për të shkruar mbi jetën e veprat e tij dhe të mos vizitosh, qoftë dhe për kuriozitet personal, varrin e kryetrimit, kjo është disi e habitshme! Por Barleti hesht për këtë dhe kjo jo pa shkak. Edhe biografët e tjerë si At-Dhimitër Frengu, Gjin Muzhaqi dhe shumë e shumë historianë të tjerë, që kanë shkruar mbi kolosin tonë, janë me gjithçka për jetën e veprën e Skënderbeut, por askush nuk ka folur për varrin e tij! Askush përveç vdekjes së tij, më 17 janar 1468, nuk thotë asgjë për varrin, se ku ndodhet ai. Një ndër gojëdhënat popullore më të përhapura për vdekjen e Skënderbeut thotë ; “Ndien shtëpitë e u tronditën, ndien malet e u ndanë, shkrepat mbi troje ranë. Kambanat e kishave ranë së veti ndërsa naltas, nalt u hap qiella”…Kjo dëshmon për faktin, sesa shumë e ka dashur dhe vlerësuar populli ynë udhëheqësin e vet të madh. Pra siç shihet nga të gjitha veprat asnjë nga historianët nuk hedh dritë sado të vogël, se çfarë u bë me varrin e Skënderbeut. Të gjithë marrin për bazë vetëm gojëdhënën; varri u hap dhe u shkatërrua. Eshtrat u morën për hajmali. Pal Ëngjëlli kishte botuar një libër për Skënderbeun, por mjerisht faqet e fundit ku mund të besohet se ka folur për varrin e kryetrimit janë zhdukur. Dhe kjo jo pa shkak! Pse mos të mendojmë dhe t’i bëjmë pyetje vetvetes, që në faqen e parë të librit autori mund të ketë shkruar të paktën atë që është shkruar në pllakën e varrit? A ekziston ndonjë dokument i tillë ku të thuhet se mbi varrin e kryetrimit nuk është vendosur asnjë pllakë dhe nuk është shkruar asnjë germë, qoftë edhe emri i tij i thjeshtë, por madhështor Gjergj Kastrioti Skënderbe?!…Këtë nuk mund ta thotë askush. Dhimitër Frengu, shok i kohës dhe arkëtar i tij, prapë hesht për këtë pikë. A mund të mendohet se ky nuk mund të ketë marrë pjesë në varrimin e tij? Atëherë pse hesht për varrimin?! Edhe këtu ka një shkak! Cosimo Serembe, i interesuar në vazhdimësi për trupin dhe varrin e Skënderbeut shton se “Emri i Skënderbeut u shkrua në librin e artë të Venedikut. Dhe më poshtë; “Doxhi Meceniko i Venedikut, mund të ketë urdhëruar zhdukjen e ekzemplarëve të botimit të pjesëve ku bëhet fjalë për Skënderbenë dhe varrin e tij, me qëllimin që turqit mos ta merrnin vesh ku ishte me të vërtetë dhe mos ta prishnin atë”. Serembe vazhdon: – “Edhe të vetmit ekzemplarë që arritën të shpëtojë, janë grisur faqet e fundit” – dhe kështu misteri mbi varrin e shenjtë mbetet i mbuluar. Duke vazhduar me Seremben, në një artikull shkencor të botuar në shtypin shqiptar të kohës me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut hidhet dhe teoria e çelësit për gjetjen e varrit të heroit kombëtar. Ja një pjesë e kësaj teorie: “Në bazë të studimeve të mëtejshme të Serembesë vërehet se Skënderbeut, pas vdekjes, emrit të tij iu bënë shumë modifikime. Kështu p.sh., Scanaribech, Scanarebecco, Scaderch. Por, ajo që të tërheq më shumë vëmendjen, është – Scandalibech. Serembe për këtë ndryshim kaq të madh thotë: “Edhe më injoranti nga kopistët nuk mund ta gabonte në një mënyrë kaq trashanike!.. Scandalibech – është një formë çelësi i misterit të varrit, një anagram, që mund të japë mundësi për kërkime të tjera në këtë drejtim. Nga shumë gjëra del e qartë se transportimi i trupit të kryetrimit mund të jetë bërë pak kohë pas vdekjes së tij dhe, sekreti i varrit të tij iu besua fjalës çelës; “Scandalibech” ose dhe ndonjë çelës tjetër. Një diçka tjetër që i tërheq vëmendjen Serembes dhe që studiuesit tanë duhet të kenë parasysh në kërkim të eshtrave dhe të varrit të heroit tonë legjendar ), është teksti i letrës së ngushëllimeve që Ferdinandi Aragonës i dërgon Donika Kastriotit (të vesë së Skënderbeut ), ku ndodhet dhe fjala Scandalibech. Një parantezë të vogël! Siç dihet Ferdinandi Aragonës, Skënderbenë e ka quajtur baba të dytë. Të mendojmë, si është e mundur që ky të mos ia dijë emrin mirë, Skënderbeu po e transformon në një formë kaq trashanike? Pra, këtu lind vetvetiu shpjegimi se Ferdinandi Aragonës i ka bërë të ditur Donika Kastriotit se e di dhe e mësoi çelësin: – Scandalibech. Në rast se këtë fjalë e deshifrojmë duke menduar se kjo është një çelës i varrit të kryetrimit, le ta marrim anagramën e saj (lexim mbrapsh ); Hcebiladnacs. Përkthim shqip; “Këndi i letrës iu fsheh, me përulësi, barbarëve në një vend august, varrin e zotit të Shqipërisë sonë.” Tani, a ju duhet besuar hipotezave, gojëdhënave apo legjendave, apo heshtjes së shumë historianëve, shkrimtarëve, ekzemplarëve të Venedikut dhe këtij çelësi?! Nuk duhet kënaqur me atë që shpata dhe përkrenarja origjinale e Skënderbeut ndodhen diku në muzeun e Vjenës, por të përpiqemi akoma më shumë, për të identifikuar plotësisht varrin ku prehen eshtrat e heroit tonë legjendar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Sigal