Panairi i produkteve tipike në Skrapar

795
Bashkia Skrapar organizon Panairin e produkteve tipike dhe degustimin e tyre në datën 27 shtator 2017 në Çorovodë. Ky aktivitet prej 6 vitesh është shndërruar në një ritual të përvitshem, të shumëpritur jo vetëm nga komunitetiti i fermerëve, por dhe ai i qytetarëve duke u bërë pjesë e kalendarit festiv. Këtë herë ky aktivitet u mundësua me mbështetje dhe sponsorizim nga projekti TAP, një nga investitorët më të mëdhenj rajonalë, i cili me ndërhyrjet në infrastrukturë, punësim, projekte komunitare ka lënë gjurmë në Skrapar, duke realizuar punime të një standarti dhe cilësie shumë të lartë. Skrapari është një zonë e cila ka kushte të jashtëzakonshme për zhvillimin e saj,veçanërisht lugina e Osumit dhe ajo e Tomorricës. Interesi i fermerëve për të investuar në mikrofermat e tyre është rritur ndjeshëm vitet e fundit e lidhur kjo me projektet në ndihmë të këtij sektori. Vreshtaria, pemët frutore, produktet blegtorale janë në fokus të punës së fermerëve në të gjithë territorin e bashkisë. Sipërfaqet e kultivuara janë rritur ndjeshëm e lidhur kjo dhe me kërkesën gjithnjë në rritje për keto produkte. Skrapari për atë që ofron nga pikëpamja natyrore, ka zgjuar interes tek turistët e shumtë që vijnë pothuajse gjatë gjithë vitit për të shijuar natyrën dhe degustuar produktet tipike të tij. 

Projektet e bashkisë në fushën e turizmit kanë ndikuar në promovimin e zonës dhe rritjen e vizitueshmërisë së saj. Numri i turistëve shënon rritje nga viti në vit, vitin e kaluar ky numër ishte rreth 6000 turistë, këtë vit ky numër ka shkuar rreth 7500 turistë e përllogaritur kjo sipas indikacioneve të operatorëve turistikë. Pavarësisht punës së mirë të bërë nga bashkia mbetet ende shumë punë në rritjen e kapaciteteve akomoduese dhe standartit të shërbimit ndaj turistëve. Bashkia në politikat e saj e konsideron turizmin si një sektor prioritar për zhvillimin e zonës dhe në këtë kuadër ka mbështetur dhe do të mbështesë fermerët dhe prodhuesit e produkteve tipike në promovimin e tyre dhe panairet lokale, rajonale dhe ndërkombëtare të cilat mbeten format më të mira të promovimit të tyre.

Panairi i produkteve bio në Skrapar, si një eveniment shumë i rëndësishëm lokal, tashmë është bërë pjesë e kalendarit të festave lokale. Në panair do të marrin pjesë prodhues lokalë që do të ofrojnë produkte tipike të zonës si, djathë, mjaltë, arrë, mollë, ftonj, raki, rehani etj. Bashkia ka menduar që këtë aktivitet ta organizojë në sheshin qwndror tw qytetit, ditën e mërkurë, më datë 27 shtator, në orën 10:00. 
Sigal