Blerta Zilja: Produktet shqiptare dhe babëzia e biznesmenëve vlonjatë

282
Sigal

Dyqani me produkte shqiptare në Vlorë më ka bërë prej kohësh shumë të vëmendshme ndaj përpjekjes për krijimin e një oferte turistike “të qëndrueshme” siç ngordhin ta etiketojnë ekspertët. Duke lënë modestinë mënjanë, vështirë të ketë ndonjë prodhues artizanal vendas me të cilin nuk më ka lidhur puna e të mos kemi shkëmbyer ide e mendime.

Çfarë më ka bërë përshtypje në marrëdhëniet ekonomiko-njerëzore e qasjet që kanë bizneset me njëra-tjetrën?

Ka një unitet të fortë të komunitetit të biznesit të kësaj fushe në Veri. Jo vetëm që mbështesin dhe promovojnë njëri-tjetrin, por e kanë kuptuar që sa më në harmoni të jetë “oferta” dhe sa më të bashkërenduar të jenë, aq më shumë njerëz vinë. Nuk përflasin, nuk përçmojnë, nuk i tremben konkurrentit dhe as e shikojnë si armik, por mundohen të krijojnë frymë dhe të gjejnë hapësirë për të gjithë. Ata po zgjerojnë tregun, pasi ka plot vend për ta rritur atë dhe nuk i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Janë më gjithëpërfshirës, diversifikohen, punojnë tokën, janë afër natyrës dhe jo ratësisht po ecin.

Çfarë shikoj në Vlorë?

Thuajse të gjitha bizneset kanë të njëjtën ofertë, nuk prodhohet, ka babëzi, as i shkon mendja njeriu të bashkëpunojë dhe të “krijohet” fryma. Vdesin të ofrojnë lluks, janë larg natyrës së tyre, përpiqen të krijojnë një ofertë dhe eksperiencë që nuk është e tyrja, ëndërrojnë parinë fisnike të Evropës të vij në hotelet dhe restorantet e tyre dhe ne që nuk kemi kulturën as të themi “të lutem dhe faleminderit” t’ju shërbejmë dhe pasunarët fisnik të ngelen pa mend nga eksperienca kulinare…por do t’i që këta pasunarët evropian nuk vikan ose janë me pikatore? Do ti që mbizotërokan këta që “marrin bukë me vete”, si ju referohen rëndom pronarët bosa të Vlorës?

Këta njerëz që gjykojnë si ishuj, që mendojnë se turisti vjen për hotelin dhe restorantin e tyre dhe harrojnë se njeriu zgjedh njëherë vendin ku do pushoj, pastaj zgjedh hotelin dhe restorantin dhe nuk e kuptojnë që nëse nuk bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, nëse nuk bëjnë presion mbi qeverinë dhe shtetin për mënyrën se si organizohet dhe zhvillohet Vlora, si marketohet, etj, etj, gjithmonë e më pak punë do ketë.

Këta biznesmen që i vë Rama në rresht kur dhe si i do qejfi, që ua qep dhe shqep qytetin si t’i teket e s’i jep llogari kërrkujt, që zhvillon një zonë të tërë me ëndrrat e një nate vere e as i shkon nëpër mend të marri mendt e komunitetit, që ua zhduk historinë, vijën bregdetare e ndërton pishina me lekët e buxhetit e pastaj e jep me qira pa pikë turpi në mes të ditës dhe nuk ndihet njeri.

Këta biznesmenë që ndërtojnë lluksin 200 metra larg kanalit të kakës, që blejnë shezllone si ato të vilave të Santorinit dhe shajnë turistin që nuk e kupton se çfarë po ju ofrohet, se në Itali apo në Francë, këto hotele apo shezllone bëjnë aq e kaq.

Këta biznesmenë që nuk bëhen dot bashkë për të kërkuar minimumi sistemimin e kanaleve të kakës dhe vijës bregdetare me dushe, kabina ndërrimi, kënde për fëmijë, linjë të rregullt me orare transporti publik, pemë që mos të të bie damllaja, etj, etj, por rrinë, buzëqeshin si kinez të lumtur kur Beu del nga qyteti dhe as nuk guxon njeri të frymojë në një ritëm që mund të bezdisë Sulejmanin e Madhërishëm.

Preferojnë të rrinë si kokoshi majë plehut se sa të krijojnë një komunitet, që në radhë të parë do ju shërbente biznesit të tyre.

Jo! Rrini majë mullari dhe lidhni kokën me peshqir! Shtrëngohuni dhe pak se ja, erdhi data 15!