Bledar Dervishaj: 10 maj, dita Kombëtare e Drejtësisë

259
Sigal

Nga Bledar Dervishaj

10 maji na kujton çdo vit përpjekjet që çuan në aktin e parë të kodifikuar të shtetit shqiptar, ku ndërthureshin më së miri parimet perëndimore me traditën juridike shqiptare ndër shekuj.

Më 10 maj 1913, qeveria e Ismail Qemalit dekretoi “Kanonin e Zhurisë”, si aktin e parë juridik për organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor në shtetin e pavarur shqiptar.

Ndaj dhe çdo 10 maj, nderohet kjo përpjekje.

Por as ky 10 maj nuk e gjeti Sistemin e Drejtësisë siç e deshën të parët tanë, siç u duhet qytetarëve të këtij vendi, funksionale dhe efiçente.

Megjithatë, pa harruar asgjë që ka ndodhur këto vitet e fundit, ku ka vend plot si për kritika ashtu dhe për fajtorë, sot është dita për të kujtuar të gjithë përpjekjet ndër vite që tregojnë dëshirën, angazhimin dhe organizimin e shqiptarëve për të patur një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm, të patrembur, të panënshtruar ndaj presionit shtetëror.

Edhe sot pas një shekulli e një dekade më tepër, shqiptarët kanë etje për një sistem drejtësie që ka në themel të tij vlerësimin dhe respektin ndaj njerëzve, të drejtave, lirive dhe dinjitetit të individit, me zyrtarë që i shërbejnë vetëm drejtësisë dhe ligjit, me thjeshtësi e përulësi!

Drejtësia është për ne kur ajo funksionon, jepet shpejt dhe në kohën kur ne kemi nevojë për të.

Kur ajo vonon, bashkë me kohën që ikën ajo humbet efektshmërinë e saj, ndoshta për fat të keq në disa raste bëhet e paprekshme për vet atë që e kërkon.

Ndaj sot, si çdo 10 maj, nuk duhet vetëm të kujtojmë, por të gjithë bashkë të veprojmë për një Drejtësi që kur kërkohet, duhet të jepet!

Gëzuar 10 Majin, Ditën Kombëtare të Drejtësisë!