Besnik NALLBANI/ Ndryshimet në arsim duhet të fillojnë nga drejtori i shkollës

687
Sigal

*ish -shef i burimeve njerëzore të DAR-Tiranë

Para disa javësh në gazetën tuaj “Telegraf” më intrigoi një shkrim  për arsimin me titull ” Është në zhdukje e sipër “specia” e drejtorëve “të ashpër”
Ngjarja e ditëve të fundit në Durrës, kur në shkollë futet nxënësi me kallashnikov dhe bën një krim makabër më riktheu vëmendjen ndaj këtyre drejtorëve  “të ashpër”, për të cilët nxënësit flasin me superlativa veçanërisht pasi mbarojnë shkollën dhe u janë mirënjohës gjatë gjithë jetës për “ashpërsinë” e tyre. Mendoj se reforma në arsim duhet filluar pikërisht nga përzgjedhja e drejtuesve të shkollave, ku deri tani puna ende nuk ka filluar fare, ndonëse po mbyllet semestri i  parë i vitit shkollor… Siç duket në raport me sektorët e tjerë Ministria e Arsimit dhe Sportit e ka marrë  shtruar…, a thua se gjatë gjithë viteve në opozitë nuk i ka analizuar problemet dhe defektet e arsimit  dhe a thua se nuk është në dijeni se, pothuajse të gjithë drejtorët e shkollave të “species” në zhdukje e sipër u shkarkuan me një të rënë të lapsit vetëm brenda disa javësh nga partia që mori pushtetin dhe u zëvendësuan me drejtues militantë që mbushnin sheshet e mitingjeve me nxënësit e shkollave të tyre, duke shkelur hapur ligjin e depolitizimit të arsimit dhe që të gjithë  këta vazhdojnë  të drejtojnë “pa i hyrë gjemb në këmbë”!…
Duke punuar për një kohë shumë të gjatë në arsim, qoftë si mësues dhe drejtues i një sërë shkollash dhe në fund të karrierës sime si shef i Burimeve Njerëzore pranë  Drejtorisë  Arsimore të Tiranës pohoj me kompetencë se drejtimi i shkollës  është një profesion më vetvete, madje shumë i vështirë dhe për  të qenë i suksesshëm kërkon jo vetëm dije teorike (që deri diku mund të “zbulohen” nëpërmjet ndonjë konkursi ), por ky profesion kërkon edhe dhunti e përkushtim, të cilat vështirë se verifikohen nga këto konkurse. Konkurset e hapura janë një dukuri pozitive që për të parën herë po aplikohen nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, por a mundet që drejtimi i suksesshëm i shkollave të varet vetëm nga dëshira e disa personave për të marrë pjesë në këto konkurse  dhe përgjegjësia  e shtetit të quhet e kryer vetëm me organizimin e këtyre konkurseve ?! Nëse do të ndodhte kjo mendoj se do të kishim një fillim jo të mbarë dhe jo premtues, pasi një nga detyrat kryesore të Drejtorive Arsimore dhe veçanërisht të  sektorit të Burimeve Njerëzore është kualifikimi dhe promovimi i vlerave të mësuesve dhe drejtuesve,pra e thënë më thjesht evidentimi i njerëzve që i kanë vlerat dhe dhuntitë e duhura për të drejtuar si departamentet lëndore,ashtu edhe kategori te ndryshme te arsimit,duke filluar nga ai parashkollor e deri tek shkollat e mesme.
Mendimin e mësipërm ma përforcoi më shumë edhe lista prej 50 kandidatësh për drejtor të Drejtorisë Arsimore të Tiranës, kur për ironi të fatit kishte një pjesë jo te vogël që nga opinioni i gjerë i mësuesve  jo vetëm nuk i kishin  aftësitë për  të drejtuar kryeqytetin,por do të ishte guxim i tepruar t’i besoje drejtimin qoftë të  një shkolle 9 vjeçare!
Nëse do të bënim një analogji me disa institucione te rëndësishme kulturore drejtuesit e rinj të të cilëve u përzgjodhën për të konkurruar, pa iu prerë rrugën askujt pretendenti tjetër, edhe në fushën e arsimit duhet të nxiten e të ftohen ata njerëz që kanë dhënë prova apo janë evidentuar si më të përshtatshmit për të kryer detyra drejtuese. Padyshim që një pjesë e tyre janë zhgënjyer jo thjesht nga shkarkimi pa asnjë shkak, por nga përzvalja që i bëri politika e ditës, duke u mohuar çdo vlerë e kontribut dhe natyrisht nuk mund të jenë aq entuziastë për t’u rikthyer dhe riprovuar në këto konkurse, ndërkohë që, kanë punuar me përkushtim dhe kanë qenë të suksesshëm. Të paktën kjo kategori duhet nxitur e ftuar me respekt të japin të njëjtin kontribut veçanërisht tani kur shkolla ka nevojë për përvojën e tyre.  Sigurisht do të ishte naivitet që kjo nxitje apo ftesë  të  bëhej  nga Drejtoria  Arsimore aktuale,  e cila siç dihet ndoqi një politikë të hapur militantizmi, por drejtuesit e rinj të këtyre drejtorive arsimore duhet të nxjerrin mësimet e duhura për të evidentuar dhe nxitur më të mirët dhe duke mos e quajtur të mbaruar punën  vetëm me rolin e jurive të këtyre konkurseve. Është i njohur fakti që deri në vitin 2005 në Drejtorinë Arsimore të Tiranës  punonin gjashtë anëtarë të deklaruar të Partisë Demokratike dhe numëroheshin të tillë jo pak drejtues të shkollave  9- vjeçare e të mesme,dhe po kaq i njohur është fakti që pas vitit 2005  nuk mbeti pothuajse asnjë drejtues shkolle  me pikëpamje të majta, ndërsa në Drejtorinë Arsimore të Tiranës kjo do të përbënte herezi dhe “i majti” do të quhej heretik “nëse do të zbulohej si i tillë  !…” E përmenda këtë fakt për të treguar një realitet të pakontestueshëm, i cili tregon emancipim e forcës  politike në pushtet dhe që duhet vazhduar për të përzgjedhur e për të nxitur më të aftët e më të përkushtuarit,për të  ruajtur “specien ne zhdukje” të drejtorëve “të ashpër”, nga të cilët shoqëria veçse fiton,siguria në shkolla forcohet,prindërit janë më të qetë,kërkesa e llogarisë bëhet më e madhe,shteti bëhet edhe më i fortë. Ndryshimet në arsim fillojnë nga drejtori i shkollës,pasi nga ai varet shumë, drejtori zgjidh apo duhet të zgjidhë probleme nga më të ndryshmet. Një drejtor  i përgatitur ndërton një plan dhe ka për mision se në ç’drejtim duhet të lëvizë shkolla e tij, të vendosë  rregullin  dhe disiplinën në shkollë,të përcaktojë çfarë është më e rëndësishme për momentin dhe çfarë është më e rëndësishme për të ardhmen, sepse nuk mund të zgjidhen të gjitha njëherazi. Çdo shkollë ka specifikën e saj, dallohet nga të tjerat, pasi në to punojnë mësues të ndryshëm dhe komunitete në disa raste tepër të dallueshme nga njëri- tjetri. Drejtori duhet të ketë qartësinë se çfarë përgjithësisht do të ndryshojë, vetë ai para së gjithash duhet të kuptojë çfarë duhet ndryshuar e të  mos ketë frikë nga vetë ndryshimi. Sa më pak udhëzime e sa më shumë demokraci në drejtim do të ishte  dhe çelësi i suksesit. Shkolla në të gjithë kohërat dhe epokat ka qenë në vëmendje të popujve dhe shteteve. Mendimtarët e mëdhenj, duke vlerësuar rolin e saj në shoqëri,deklaronin se për popujt më e rëndësishme nga çdo gjë është buka dhe shkolla. Nisur nga rëndësia e problemit  duhet nënvizuar se suksesi i shkollës varet së shumti nga ai që e drejton atë. Në kushtet e ekonomisë së tregut drejtori i shkollës duhet jo vetëm të drejtojë  procesin mësimor -edukativ, por të jetë dhe një menaxher i zoti,  një organizator i shkëlqyeshëm, të zotërojë dije pedagogjike, të njohë mirë psikologjinë moshore, të ketë njohuri të mjaftueshme ekonomike e juridike, të ketë guxim për t’u përballur dhe zgjidhur konflikte, etj., prandaj dhe drejtori i sotëm i shkollës  kërkohet të jetë  figura kyçe e reformimit të sistemit të arsimit. Nga aftësitë e tij për të realizuar idetë kryesore të modernizimit të shkollës varet edhe fati i arsimit shqiptar dhe në fund të fundit e ardhmja e Shqipërisë. Mendoj se ka ardhur koha që në universitetet tona, ashtu si dhe në shumë vende te zhvilluara perëndimore,te hapen degët për Drejtim Administrim Arsimi, gjë që do të garantonte një përgatitje më cilësore të drejtuesve të shkollave, duke përmbushur standardet  të ndërkombëtarizuara edhe në arsimin shqiptar, ku për fat të keq jemi ende të vonuar. Nga sa më lart  përzgjedhja e drejtorëve të shkollave merr një rëndësi të veçantë dhe shërben si gur themeli për reformat e mëtejshme arsimore. Mendoj se ky  duhet te jetë një proces kompleks, jo thjesht teknokratik,e padyshim në  qendër të vëmendjes së Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorive Arsimore si dhe të gjithë komuniteteve pranë shkollave, por që nuk duhet zvarritur pa fund apo deri në fund të vitit shkollor. Çdo vonesë është në dëm të shkollës dhe të reformës arsimore e me pasoja jo të vogla për mbarë shoqërinë.