Baba Veli Agush Nano, figurë me merita bektashiane

    508
    Sigal

    Në kërkim të  portretit të xhaxhait, Baba Veli Agushi

    Duke udhëtuar për në Shkodër, me mbesën dhe nipin e Veli Guçes, papritur në afërsi të Fushë-Krujës ata më thanë: “A kthehemi pakëz në Teqenë e Fushë- Krujës pasi këtu ka shërbyer xhaxhai ynë për një kohë të gjatë”. U befasova, por m’u duk tepër e arsyeshme që të ktheheshim e të merrnim edhe më shumë informacion sepse dija që ata, shumica dërrmuese e baballarëve të  Teqeve Bektashiane, kanë qenë të veçantë në mirësitë dhe karakterin e tyre. Shërbenin me devocion në objektet e kultit, ishin atdhetarë e luftëtarë të shqiptarizmës, pa bujë, pa reklamë, pa hile.

    Hymë në ndërtesën e Teqesë ku na priti më përzemërsi sekretari i saj, i cili na tha se Babai atë ditë ishte me një angazhim tjetër larg qytetit. Sekretari na shoqëroi nëpër ambientet dhe lokalet  shumë të bukura e të veçanta të Teqesë. Të mahnitnin stili, zbukurimet, orenditë, reliktet e ndryshme që kanë këto objekte. Është një kulturë që nuk duhet të humbasë. Më shumë se ato, portretet, fotografitë, fotot e veçanta, kolektive apo individuale të personave që kanë shërbyer në këtë objekt ndër kohëra, na lanë mbresë. Mirëpo një farë shqetësimi vura re në sytë e mbesës dhe nipit të Baba Veli Agushit: fotografia e atij aty nuk ishte kurrkund. Sekretari i Teqesë ishte i porsaardhur në atë detyrë dhe nuk dinte hollësira. U ndamë miqësisht dhe vijuam udhën…

    Ditë më pas, duke biseduar me të palodhurin, të duruarin, të shkathëtin dhe njohësin e thellë të  arkivave të bektashizmës z.Nuri Çuni, gjetëm një qetësi të thellë shpirtërore se ai na tha lajmin shpresëdhënës se kishte, e ai do të na i jepte, të dhënat për fatin e jetës së njeriut tonë Baba Veli Agushit. Dhe na i gjeti. E gjykuam se besimtarët, të afërmit dhe të gjithë ata që e kanë njohur, si  dhe vetë historia e shkruar, ashtu si dhe për gjithë të tjerët që deri tani i ka mbuluar pluhuri i harresës, duhet të njohin, shumëçka dihet për Baba Veliun.

    -Jetëshkrimi kalendarik i Baba Veli Agushit

    Veli Nano, i biri i Agushit dhe i Limas, ka lindur në fshatin Strorë të Skraparit më 06.07.1889. Nëpër dokumente e gjejmë Veli Guçe ose Veli Agushi sepse në atë kohë ishte më i gjerë përdorur emri i babait si mbiemër. Fëmijërinë e kaloi aty në fshat në kushtet e vështira ekonomike të kohës së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes, shumica e të cilëve u tretën kurbeteve. Në deklaratën e tij personale ai thotë: “Prindërit kishin një sasi toke rreth gjashtë dynymë dhe pesëdhjetë dele, me të cilat përballonin jetesën”. Ai i përkiste shtresës së vobektë nga ana ekonomike, por jo nga aspekti shpirtëror. Prej 13 vjeç deri sa u bë 30 vjeç ai u mor me punët e bujqësisë. Në vitin 1924 deri 1926 shërbeu si kandidat për dervish në Teqenë e njohur të Therepelit po në Skrapar. Mbasi i plotësoi të gjitha kushtet, u vesh dervish në vitin 1926 prej Baba Mestanit dhe prej vitit 1927 deri 1948 ka shërbyer si dervish në Teqenë e Backës. Në vitin 1948 ka marrë gradën fetare Baba, prej Kryegjyshit Ahmet Dede. Prej vitit 1949 deri 1959 ai shërbeu në Teqenë e Shëmbërdhenjit të rrethit të Gramshit. Prej vitit 1959 deri 1966 shërbeu në Teqenë e Fush-Krujës. Gjeshtisi në 31 dhjetor të vitit 1968 në Krujë dhe u varros në fshatin e tij të lindjes në Strorë në ditën e parë të janarit 1969.

    -Kush ishte Baba Veli Agushi?

    Në të tilla raste, për të qenë sa më afër së vërtetës për jetën dhe veprimtarinë e një njeriu që iu përkushtua besimit fetar të bektashizmit dhe atdhetarisë për Shqipërinë, referenca më e mirë është ajo që kanë lënë me shkrim e pastaj me gojë ata që e kanë njohur. Detaje të vogla sjellin fakte të mëdha. Më në fund fare vijnë edhe gojëdhënat, që mund të shkojnë deri në legjenda…

    Duke lexuar biografinë e tij gjejmë rastin të themi se ai ka shërbyer në Teqenë e Backës të Skraparit në një kohë të vrullshme lufte: 1927-1948. Njëmbëdhjetë vjet të periudhës së sundimit kaotik, mbretëror, të ndërhyrjes dhe pushtimit fashist dhe të luftës së lavdishme antifashiste nacional çlirimtare. Ai i heshtur në punën e tij të devotshme si bektashi, përjetoi ngjarje të fuqishme të përpjekjeve të atdhetarëve të Skraparit, Kolonjës, Përmetit e Korçës për liri të atdheut, për shporrjen e pushtuesve dhe për çlirim të plotë kombëtar. Ai gjithnjë ishte palë në anën e atyre që luftonin për Shqipërinë. Jo më kot në vitin 1950, siç shprehet ai vetë me shkrim: “unë nuk kam marrë pjesë në asnjë organizatë masash ose partie, por në vitin 1950 jam zgjedhur delegat për paqen”.(Arkivi qendror shqiptar, fondi 490, viti 1952, dosje 452, faqe 85.)

    Në vitet e mëpastajme, kur në Shqipëri punohej me një vetëmohim dhe sakrificë të padëgjuar për shërimin e plagëve të luftës dhe ndërtimin e Shqipërisë së re, ai me vetësakrifikim bën të mundur të rindërtohen objektet e kultit të Shëmbërdhenjit.

    Në një prej dokumenteve, nxjerrë prej Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar, nga njeriu i mirë dhe tepër bujar, studiuesi i mirënjohur z.Nuri Çuni, origjinalisht shkruhet:“Baba Veliu asht njeri me moral e karakter të naltë, i palodhshëm në punë, mundohet me çdo mënyrë për të përmirësue gjendjen ekonomike të Teqes. Ka depozitue mjaft materijale të ndryshme për të godit ndërtesat e Teqes që janë djegë prej gjermanve. Vetë sot banon në një kacolle me tri kthime, e cila ka qenë ndreq prej baba Hilmiut. Asht transferue në Krujë me dt.8/VII/959”.

    Këto shënime nuk kanë nevojë për komente.

    Në vijim, në Teqenë e Krujës ai ka lënë gjurmë e mbresa të atilla që jo vetëm ka fituar simpatinë e masave të besimtarëve, por asnjëherë nuk ka ‘shkelur në dërrasë të kalbur’ për tu marrë nëpër gojë për keq nga askush. Kujtojmë se edhe baba Muçua nga Çepani, që ka shërbyer në ato vite në Teqenë e Krujës, ka lënë po ashtu gjurmë atdhetarie e besueshmërie të lartë aq sa e kishin zgjedhur anëtar edhe në drejtim të pushtetit lokal. Për baba Veliun flet shumë fakti që përcjelljen e trupit të tij nga Kruja në Skrapar e bën kryetari i kooperativës bujqësore i shoqëruar nga një vëllami i të ndjerit i quajtur Xhemal Keta. Kujtojmë se kishte tre vjet që ishin goditur ashpër, e thellë, feja dhe të gjitha besimet fetare në Shqipëri nga ideologjia e politika sunduese e kohës, por njerëzit në çdo epokë vlerësohen nga gjurmët që kanë lënë. Një njeri i tillë, besimtar i shkëlqyer dhe atdhetar i pakursyer ka qenë edhe Baba Veli Agushi.

    Për ta mbyllur këtë shkrim përkujtimor, mendojmë se do të ishte në të mirë të historisë që së paku, fotografia e tij të ishte në Teqenë e Fushë-Krujës ku ai shërbeu deri në fund të jetës së tij.

    Përgatiti: Rushit Kuçi dhe Ilmi S. Qazimi