Xhevdet Shehu / MOSMARRËVESHJA

895
Sigal

Sot del në qarkullim libri më i ri i Ismail Kadaresë “Mosmarrëveshja”. Është botimi i tretë dhe, siç e thotë vetë autori, përfundimtar i këtij libri. “Mosmarrëveshja” është padyshim një nga librat më të rëndësishëm dhe një nga punët më serioze të shkrimtarit tonë të madh. Si i tillë ky libër është konsideruar qysh në botimin e parë, dy vjet të shkuar. Por, siç e ka zakon Ismaili, vepra ka pësuar një proces përpunimi i është rikthyer shpesh gjatë këtyre dy viteve këtij libri, e ka ripunuar dhe e ka pasuruar, për të arritur në këtë variant të tretë, mund të themi të përkryer të veprës, pikërisht në prag të 100- vjetorit të Pavarësisë Kombëtare. Dje ai i dha dorën e fundit një paragrafi të librit para se të futej për shtyp. Në vend të një interviste për gazetën “Telegraf”, shkrimtari preferoi botimin e një fragmenti nga libri i tij. Është episodi më i zymtë dhe më trishtues i Luftës Antifashiste, vrasja e Ramize Gjebresë. Për fatin e kësaj partizaneje të bukur dhe inteligjente, janë shkruar disa libra. Por e vërteta nuk ka dalë asnjëherë e plotë. Mbi vrasjen e partizanes është manipuluar ndoshta si në asnjë rast tjetër. Fakti që edhe pas 70 vjetësh shkruhet dhe flitet për të, tregon se e vërteta e asaj vrasjeje monstruoze nuk është zbardhur përfundimisht. Ndokujt mund t’i duket i tepërt futja e këtij episodi në librin e Kadaresë, i cili merret me çështjet më madhore të ekzistencës sonë si komb. Por kjo tashmë një fakt i kryer. Fakti që me të merret Ismail Kadare është i mjaftueshëm për të treguar se sa i rëndësishëm dhe domethënës është ky episod. Kur Ismail Kadare iku nga Shqipëria në tetorin e vitit 1990 në shenjë revolte ndaj diktaturës komuniste të kohës, një intervistë e intelektualit të shquar kosovar, Akademikut Rexhep Qosja, ishte më mbresëlënësja. Në atë intervistë, menjëherë pas deklaratës së Kadaresë për arratisjen, Prof. Qosja tha se ai akt nuk mund të gjykohej, përderisa e kishte bërë intelektuali që quhet Ismail Kadare. Kjo është mbase një nga shprehjet më emblematike të Prof. Qoses. Kjo donte të thoshte se Ismail Kadare nuk duhej vënë në dyshim për aktin e tij. E vërteta dhe e drejta ishin në anën e tij. Koha e vërtetoi plotësisht këtë. Në të vërtetat tronditëse që Ismaili përshkruan në librin e tij më të ri, ky episodi për Ramize Gjebrenë nuk mund të shmangej. Ismail Kadare është ai që është. Pa asnjë dyshim Kadare është shkrimtari jo vetëm më i famshëm, i papërsëritshëm, por edhe më i përgjegjshëm në letrat shqipe të të gjitha kohëve. Pasi ka shkruar me një stil unikal vepra të mëdha si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Prilli i thyer”, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” etj., në dy dekadat e fundit Ismail Kadare ka shkëlqyer në fushën e eseistikës. Përkundër hipotezës se arti i tij u zvordh pas rënies së diktaturës, shkrimtari ka vërtetuar pikërisht të kundërtën: se pjekuria e tij artistike është në kulmin e saj. Vepra si “Dantja i pashmangshëm”, “Eskili, ky humbës i madh”, “Hamleti, princi i vështirë”, “Poshtërimi në Ballkan”, për të mbërritur tek “Mosmarrëveshja, “Shqipëria përballë vetvetes” vetëm një Ismail mund t’i shkruante.