Durrësi përkujton Ditën e çlirimit, veteranët: Mos zhvlerësoni luftën tonë!

916
Sigal

Me 14 nëntor është çliruar qyteti i Durrësi, qytet i cili i ka dhënë Evropës dëshmorët e parë të luftës kundër fashizmit me 7 prill 1939, si dhe partizanin dëshmor në moshën me të re të vendit 15-vjeçarin Met Hasa. Për nder të kësaj dite përkujtimore të rëndësishme që shënon edhe 68-vjetorin e çlirimit, Bashkia e Durrësit ka organizuar në sallën e Këshillit Bashkiak ceremoninë solemne me rastin e 14 Nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë në 1944. Në këtë ceremoni merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, veteranë të luftës dhe të afërm të dëshmorëve që dhanë jetën për liri, Prefekti i Qarkut Genc Alizoti, përfaqësues të organeve të tjera të pushtetit vendor, etj..

Ceremonia

Ceremonia është çelur me ekzekutimin e himnit kombëtar dhe më pas e ka marrë fjalën kryebashkiaku, i cili deklaroi se do të kujtojmë gjithmonë me respekt të gjithë ata që e deshën qytetin aq shumë sa sakrifikuan edhe jetën e tyre për të. Në fjalën e tij Dako u shprehur veteranëve të luftës mirënjohjen e tij për luftën dhe vetëmohimin e bërë pa kursyer as jetën për të çliruar vendin. Dako ka evidentuar në fjalën e tij faktin që qyteti i Durrësit  u gjend në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, sepse pikërisht në këtë qytet, më 7 prill, nisi të shkruhej me gjak historia lavdishme e Luftës  Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në takim kanë folur edhe veteranë të luftës, të cilët sollën kujtimet e luftës dhe nderimin që kanë për bijtë e këtij qyteti që dhanë jetën për çlirim.

Komiteti i Veteranëve

Sipas kryetarit të komitetit të veteranëve të qytetit të Durrësit, Xhemal Kaçani Durrësi është qyteti i parë në brigjet e Adriatikut 73 vite me parë, i cili u përball dhe u gjakos me agresoret fashist. Ai  evidenton faktin se Shqipëria e vogël ngriti në këmbë 70 mijë të rinj dhe të reja të inkuadruar në brigatat partizane e divizione për të mundur aderimin e Shqipërisë në koalicionin e madh anti fashist Anglo-Sovjeto-Amerikan të Luftës së Dytë Botërore. Burimet historike flasin se Durrësi i dha luftës antifashiste nacional-çlirimtare 545 partizanë, të inkuadruar në 15 brigada. Ky qytet numëron vetëm gjatë viteve të luftës së dytë botërore 240 dëshmorë të atdheut. Veterani tjetër Qemal Mance në fjalën e tij u beri thirrje bashkëluftëtarëve që të mbrojnë luftën e tyre, e cila ka tendenca që të zhvlerësohet. Nxënës të shkollave 9-vjeçare të qytetit të veshur me bluza me simbolin kombëtar kanë organizuar një ceremoni të veçantë me motive patriotike me këtë rast.