Besim Ndregjoni/ Liria u “skuq” nga gjaku i të burgosurit politik, por jo fytyrat e zeza të politikanëve shqiptarë!

379
Sigal

Ka mbi 20 vite që ish të burgosurit politikë kërkojnë në mënyre permanente dhe ligjore të drejtat që i jep kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare të drejtave dhe lirive të njeriut. Në këtë të ashtuquajtur “demokraci” ish të përndjekurit politike shqiptare i kanë fituar të drejtat e tyre me greva e demonstrata dhe aspak me njohjen e të drejtave nga shteti, që kishte të drejtën ligjore për t’i njohur e zbatuar të drejtat e tyre. Grevën e parë e zhvilluan në vitin 1991 për të fituar pafajësinë e tyre dhe e detyruan Parlamentin e Partisë së Punës të Shqipërisë të pranonte pafajësinë e tyre dhe të njihte dënimin e pamerituar politikë që kishin kaluar këta vet e familjet e tyre. Në vitin 1994 ata zhvilluan grevën e urisë në të gjithë Shqipërinë për të njohur dhe paguar punën e papaguar (se vetëm në Shqipërinë komuniste, të burgosurit politike punonin të detyruar nga hanxhari i diktaturës hoxhiste. Dhe pushteti që ishte votuar nga ata vete i pajisi me letra me vlerë që nuk kishin asnjë vlerë monetare . Kanë zhvilluar me mijëra demonstrata për të marrë dëmshpërblimin e merituar për dënimin e padrejtë të diktaturës dhe mbas 20 vitesh qeveriitë postkomuniste shqiptare u detyruan t’ua njohin. Mbas grevave e demonstratave, këto ikona të qëndresës dhe të mbijetesës së një diktature terroriste, u përballën me një pushtet politikë të papërgjegjshëm, të cilët ndaj tyre vazhdoi “revolucioni komunistme akte ligjore vetëm që këtë elitë të qëndresës, të ngelnin lëmoshqarë të tyre, të politikanëve faqezinj, të pamoralshëm dhe aspak ligjor. Jo shumë vite ma parë, këto viktima të diktaturës dje dhe sot të demokracisë allashqiptare komuniste, kanë një emër, ata janë ish të burgosurit politike të diktaturës komuniste. Në mesin e tyre është Edmond Vokshi, një i ri tiranas nga një familje jo e persekutuar nga regjimi, deri kur ai u bë në moshë madhore ditën që ai mendoi të krijoj familje së bashku me të fejuarën e tij, niset drejt kufirit për një jetë më të mirë, kapet në kufi, dënohet me gjithë të shoqen, nga torturat kalon depresione të papara deri sa arrin të kërkojë të varë veten në burg dhe e shpëtojnë shokët e burgut që vuanin të njëjtin dënim. Edmondi, me ardhjen e pluralizmit merr një apartament si i pastrehë nga një shoqate bamirëse angleze,(KAFOD) ashtu siç kanë marrë një pjesë e vogël e kësaj shtrese nga një hyrje në tre pallate, nga Banka Botërore. Diktatura i rrëmben Edmondit e mijëra edmondëve të burgjeve politike, pasurinë e tyre të luajtshme e të paluajtshme, me akuza false e të pavërteta dhe paradoksi është se hetuesi i Edmondit dhe edmondëve të politikës së dënimeve makabër, mbasi u kanë rrëmbyer shtëpitë e i kanë internuar në demokracinë e komunistëve shqiptarë, ata, hetuesit, prokurorët, gjyqtarët, sekretarët e partive e lloj-lloj sorollopësh të nomenklaturës kriminale të komunizmit hoxhist, i marrin apartamentet e tyre me nga 100.000 lekë të vjetra, ose me 100 dollarë dhe Vokshit që i morën rininë, që e çmenden, e ndanë me të fejuarën dhe mezi e lanë të krijonte familje, i marrin për apartamentin e falur nga “kafodi anglez “ 20.000.000 lekë, pa asnjë bazë ligjore, vetëm me një rregullore ministrie. Hetuesi i tij në parlament bën ligjin për Vokshin e dënuar nga diktatura. Edmondi nga torturat që ka kaluar, nuk ka qendër të trajtohet, nuk gjen asgjë për trajtimin e tij shëndetësor në shtetin “demokratik të tijin”. Ai në këtë shtet përballet me gënjeshtrën, përbuzje dhe kjo viktimë e pafajshme detyrohet të ndërmarrë aksionin e rrezikshëm me çmimin e shëndetit të tij, duke prerë damarët e duarve publikisht para Parlamentit të ashtuquajtur demokratik, varfëria, kërkesa e fëmijëve për të qenë të barabartë me të tjerët, mungesa e një pune për të plotësuar gjërat më minimale të fëmijëve e detyruan atë të bëjë aktin sublim, tragjik, të presë damarët e duarve, akt i tillë, sinkron me djegien e Lirak Bejkos para ca vitesh. Akte të tilla ekstreme janë zakonisht pushteti i mospërfilljes të paskrupull të organeve qeveritare që janë të detyruar me ligje për përkujdesjen e tyre. Fatkeqësisht këto autoritete që i kalojnë ditët e vitet në kolltukë komode të zyrave të ngrohta në dimër e verë nuk janë në gjendje të kuptojë çfarë do të thotë të jesh i traumatizuar invalid pa strehim, pa punë dhe i paafte për të siguruar bukën e përditshme për fëmijët që vuajnë. Qeveritarët, fytyrat e të cilëve ndritin nga dhjami që fitojnë nga ushqimi i siguruar me rroga të majme e të rritura nga të ardhurat “legale”, që u siguron pozita e tyre në pushtet, nuk kanë aftësinë për të siguruar bukën për të uriturit, as ndërgjegjen që i zgjon nga gjumi i rëndë i moskokëçarjes kur ballafaqohen me viktimat e akteve zyrtare. Dje u përgjak “liria” e fituar me gjak të pafajshëm të Edmond Vokshit para parlamentit ligjvënës, parlamentarët kishin hallin si të krekoseshin në podium me fjalime ideologjike komuniste dhe nuk iu dhimbsej gjaku i derdhur i të burgosurit politik, ai gjak i pafajshëm nuk ua skuqte fytyrat e zeza këtyre politikanëve shqiptar. Edmondi nuk kishte iluzione për të përmbysur qeverinë, ai kishte vendosmërinë dhe autoritetin moral për të turpëruar qeveritarët para botës së qytetëruar dhe Bashkimit Europian duke treguar qartësisht ku qëndrojnë të shtypurit dhe të harruarit, ish të persekutuarit në këto ditë të turbullta për vendin tonë. Papa Gjon Pali i II-të thoshte: “Aty ku nuk ka drejtësi, aty nuk mund të kemi paqe”,  është detyrë e të gjithëve neve për të eliminuar konditat që shpien individët në dëshpërim, në përfundime shkatërruese. Gjendja e sotme në Shqipëri është mjaft shqetësuese. Një jetë pa liri, pavarësi e dinjitet nuk vlen të jetohet. Me protestën e tij, i burgosuri politik Edmond Vokshi i bie kambanës dhe paralajmëron se fati i tyre sot është pararendës i një fati që rezervohet për të gjithë ata që sot heshtin e qëndrojnë indiferent.

 Sot, kur “pushteti” që i përbuz, mbështetet në kapitalin moral të ish të përndjekurve, (siç ishte rasti i Zhitit) këto viktima shohin veten si “lecka të hedhura poshtë” nga ata që nuk pranojnë të trazohen nga tregimet e tyre, histori të kaluara që u kujtojnë pushtetarëve karrierën gjatë regjimit komunist. Para ndërgjegjeve të këtilla, të gjithë ne ballafaqohemi nga një rrezik vdekësor: ringjallja e diktaturës me një maske të re.
Dëgjoni kambanat e të burgosurve politikë, ata bien për të gjithë ne!