Ismet Gjoni/ Si luftuam për çlirimin nga pushtuesit, të trevave në Malin e Zi

755
Sigal

Ishte një mesnatë dhjetori e kthjellët dhe e ndriçuar nga hëna kur mbërritëm në fshatin e parë malazez. Kompania e parë e batalionit u ndal në një luginë të vogël. Komanda e batalionit mblodhi komandat e kompanive dhe pas një gjysmë ore ata u kthyen, duke sjellë urdhrin për rreshtim. Ishte ende natë kur kompanitë filluan lëvizjen në drejtim të krahut të majtë. Se ku ishin gjermanët nuk e kishim të qartë, por na ishte thënë se po ecnim drejt pozicioneve të tyre. Më kujtohet se në krye të kompanisë lëvizte skuadra e dytë që kryente detyrën e ruajtjes dhe të zbulimit të pozicioneve ku ishin vendosur gjermanët. Ecnim në drejtim të një mali, të cilin e kishim si pikë orientuese. Lëviznim me kujdes për të mos rënë nën zjarrin e befasishëm të armikut. Kur horizonti në lindje filloi të jepte shenjat e agimit, komandanti i kompanisë vendosi të ndaleshim derisa të hapej drita. Iu afruam pa zhurmë një muri të gjatë dhe u ndalëm për të zbuluar pozicionet e armikut. Errësira dalëngadalë po largohej dhe objektet sa vinin e dukeshin mirë. Diktuam mitralozat gjermanë të vendosur në pozicione zjarri dhe pranë tyre disa ushtarë qëndronin në këmbë. Vrojtuam dhe pamë qartë se ku ishin vendosur forcat e tjera. Komanda e kompanisë i caktoi detyrat çdo skuadre. Largësia nga pozicionet e armikut ishte rreth 150 m. Komandanti caktoi dy mitraloza të kompanisë sonë që të hapin zjarr kundër armëve gjermane. Kompania u hodh në sulm dhe pushtoi vijën e pare të sulmit armik, duke asgjësuar disa nazistë që ishin në pozicionet e zjarrit dhe duke i detyruar të tjerët të tërhiqeshin. Partizanët kapën dy mitraloza gjermanë në pozicionet e zjarrit të tyre. Po në atë kohë u dëgjuan krismat e armëve të kompanive të tjera të batalionit partizan “Baba Abaz”, i cili u hodh i gjithë në sulm. Nën mbrojtjen e artilerisë dhe të armëve të tjera, dy kolona me ushtarë gjermanë nisën të lëviznin drejt nesh për të rimarrë pozicionet e humbura. Gjendja sa vinte e keqësohej. Rreth 200 m prapa formacionit tonë ndodhej një mur are, i cili krijonte mundësi mbrojtjeje nga zjarri i artilerisë së armikut. Ne e kishim keq edhe me zjarrin e disa mitralozave gjermanë, të vendosur në pozicione zotëruese, që po bënin ç’ishte e mundur të na mbanin në vend, derisa të arrinin kolonat naziste. Po komanda e kompanisë vendosi t’i rreshtonte forcat te muri dhe prej andej të hapte zjarr kundër dy kolonave që afroheshin drejt nesh, si dhe të neutralizonte mitralozat e armikut që mbanin në zjarr një pjesë të kompanisë sonë. Në kohën kur u dha urdhri të zinim murin, disa predha të artilerisë së armikut u hodhën gabimisht e ranë mbi pozicionet e mitralozave të tyre që na mbanin të bllokuar në vend. U shfrytëzua në çast ky gabim i zjarrit të artilerisë së armikut, i cili çoroditi forcat e veta për një kohë të shkurtër. Kështu kaluam të gjithë pas murit. Që aty zjarri i armëve të kompanisë u drejtua kundër dy kolonave me ushtarë gjermanë dhe i ndaloi në vend. Të dyja palët kaluan për një kohë në mbrojtje për të mbajtur vijat e kapura. Ne nuk kishim hequr dorë nga sulmi. Prapë do ta përsërisnim atë, por kur të errej. Kjo frikë i detyroi nazistët të përforconin vijën e zënë e të hiqnin dorë nga kundërsulmi për të dalë përsëri në objektet e humbura. Duheshin edhe dy orë derisa të errej dhe zjarri kundër nesh vazhdonte pa ndërprerje. Ne qëllonim vetëm kur diktonim lëvizje nazistësh. Prisnim të errej që të hidheshim në sulm, por na erdhi urdhri që të tërhiqeshim. Zjarri i mitralozave e bënte të vështirë tërheqjen, por urdhri duhej zbatuar. Gjermanët zbuluan lëvizjen e kompanisë sonë dhe e dendësuan zjarrin për të na mbajtur në vend të bllokuar.

Komandanti i kompanisë qëndroi me skuadrën që ishte më në rrezik, sepse kishte 4-5 të plagosur, të cilët nuk ecnin dot me këmbët e tyre. Partizania Mukades Hoxha nga Gjirokastra, e plagosur më rëndë se të tjerët, nuk lëvizte dot. Nga vendi ku ndodhej ajo, lëvizja mund të bëhej vetëm me zvarritje. Gjendja sa vinte e keqësohej, sepse gjermanët me anën e zjarrit të mitralozave kishin gozhduar në vend një pjesë të kompanisë dhe po i afronin forcat nga krahët. Më me rrezik ishte krahu i djathtë. Komandanti i kompanisë, i cili kishte një skuadër me përvojë, bëri një ndarje zjarri të kompanisë që i përgjigjej më mirë situatës. Mitralozi dhe disa automatikë u ngarkuan të neutralizonin zjarrin e mitralozave gjermanë që mbanin nën kontrollin e tyre pozicionet që ishin afër partizanes së plagosur. Ajo me kurajën që karakterizonte partizanët tanë, filloi të lëvizte dhe doli nga vendi i rrezikshëm ku mund të humbiste jetën. Rëndë ishin plagosur edhe Halit Seferi e Isuf Shahini nga Tepelena, Hamza Mehmeti nga Puka etj. Streha e kapelës së mitralierit të skuadrës, Nexhip Baboçit nga Gjirokastra, ishte e shpuar nga dy plumba të gjermanëve. Çuditeshim si kishte shpëtuar mitralieri ynë, i cili mitralozin gjerman që kishte në krahë dhe që e kishte marrë që në Operacionin armik të Dimrit dhe e kishte përdorur me mjeshtëri që nga Gjirokastra e deri në Mal të Zi.

Pas kalimit me sukses të sulmit të parë më nazistët në Malin e Zi, komanda e batalionit “Baba Abaz” na komunikoi urdhrin e komandës së Brigadës VI Sulmuese për vazhdimin e detyrave të tjera luftarake.

 *****

Doc. Kadri Dingu/ Të vërtetën historike të LANÇ-it, nuk ka forcë që ta prekë

Mbi tradhtinë e Ahmet Zogut, me 7 Prill 1939

 Ish kryetari i Këshillit të Lartë të shtetit Mirash Ivanaj, në ditarin e tij dy ditor, 6-7 prill 1939, shkruan për vërtetësinë e tradhtisë së Zogut, të ministrave e të gjeneralëve të tyre, që sabotuan rezistencën e popullit shqiptar ndaj pushtimit të Shqipërisë nga forcat ushtarake të Italisë fashiste.

I zhgënjyer nga politika zogiste, ai në këtë ditar jep fakte për makinacionet e fshehta të bëra nga Zogu e qeveritarët e tij në bashkëpunim me diplomatët dhe ushtarakët italianë në Shqipëri për sabotimin e rezistencës popullore e të ushtrisë shqiptare, si dhe mashtrimin e popullit shqiptar në këto ditë të rënda për fatet e atdheut tonë. Në hyrje të ditarit të tij shkruan: “Teksa shikoja avionët e parë italianë që fluturonin mbi qiellin e Tiranës pasdites të 6 Prillit 1939, nuk besoja se pushtimi italian do të ndodhte pas 24 orësh. Diçka më bënte që mos t’i ndaja sytë këtyre avionëve që i numëron që ishin plot 32. E para dëshmi që më futi në ankth ishte se shteti shqiptar do të dorëzohej pa luftë, se të gjithë oficerët e lartë ishin përgatitur për t’u larguar me të gjitha familjet, ose pa ato jashtë shtetit. Ato ishin mbledhur në komandën e lartë për të gatuar planin e largimit, sapo të merrnin rrogat. Mund të thuhet se sot komanda tek ne nuk ka”.

Një tjetër dëshmi qe se Ministri i Brendshëm Musa Juka kishte tre ditë që kishte nxjerrë familjen e tij jashtë kufirit në Greqi, dhe për përgatitjen e rezistencën nuk shoh të bëhet gjë. Siç shihet, Zogu me ushtarakët e tij nuk organizojnë asnjë rezistencë të armatosur ndaj forcave pushtuese italiane, por ai e salutoi organizimin e qëndresës popullore. “Më 6 Prill 1939, në orën 10°°, – shkruan autori Ivanaj, – ndalem në trotuarin e rrugës së Kavajës, kundrejt portës të oborrit të gjimnazit (shkollë) kishte shumë nxënës. Pyeta një qytetar për qëllimin e kësaj mbledhje, ai m’u përgjigj se ata kërkojnë të regjistrohen vullnetarë. Koloneli i kishte thënë se do t’i jepnin armë. Por unë besoj se koloneli ka dashur t’i heqë qafe”. Ai shkruan se Mehmet Konica ka folur përpara popullit, ku ka thënë: “Ç’kërkon populli armë? Armët nuk janë për popullin, populli duhet të shpërndahet”. Ndërsa historiani Muharrem Dezhdiu ka shkruar se Zogu nuk i dha armët popullit për ta ruajtur atë që të mos vritej. Më poshtë shkruhet: “Me 7 Prill 1939 u bë e qartë se çfarë përfundimi do të kishin paralajmërimet e paraqitura nga Rama. Një ditë më parë dëgjova se mbreti Zog, kishte thënë: “Jam malësor me opinga në këmbë, do të qëndroj me shqiptarët e mi nëpër malet e Atdheut”. Por ky entuziazëm i imi do të binte menjëherë”. “Në takimin atë ditë me ministrin e Punëve të Brendshme, Musa Jukën, i thashë se populli kërkon armë për të luftuar. Ai më tha se janë marrë të gjitha masat dhe ushtria është në vendin e duhur. Për popullin nuk kemi armë e municione të mjaftueshme, por edhe sikur të kishim, popullit nuk do t’i jepnin”. Më poshtë Ivanaj tregon për veprimet e fshehta të Zogut me krye diplomatin italian në Shqipëri Jakomonin. Në orën 9 më 7 Prill 1939, para Legatës italiane ndalet një veturë, nga ajo doli Jakomoni dhe një tjetër. Arsyen e kësaj shëtitje të lirë të tyre nuk e kuptoja. Por më vonë mora vesh se Zogu kishte dërguar atë bashkë me një ministër të tij tek gjenerali italian Guzzoni që ishte në një anije luftarake në det, afër portit të Durrësit, për ta lutur që të urdhëronte në tokën shqiptare (gjeneral Guzzoni ishte komandanti i forcave pushtuese italiane). Më tej ai vazhdon: “Në këtë kohë nga Durrësi na vinin lajme se mungonte një rezistencë e organizuar. Këtë e tregonte fakti se në orën 15°° të 7 Prillit, para komandës në Tiranë, nga një makinë zbriti Abaz Kupi. Unë nuk i besova syve të mi. Si është e mundur që një komandant të largohej nga sheshi i luftimeve. Ardhja e tij mos ishte paralajmërimi i mbërritjes të italianëve. Kur u përhap lajmi se Zogu dhe familja e tij të hipë në makina, kujtuan se ishte nisur drejt Burrelit. Por më vonë morëm vesh se karvani kishte marrë rrugën e Elbasanit, vetë Ivanaj ndjek rrugën e Elbasanit, takon karvanin e mbretit e pasi kalojnë Korçën, Zemlakun, Zogu kalon kufirin me Greqinë. Dhe vetëm këtu kryetari i Këshillit të Lartë të shtetit u bind se Shqipëria u pushtua se mbreti Zog, ministrat e gjeneralët e tij e kishin tradhtuar atdheun. Të dhënat e këtij ditari kanë vlerë aktuale, se demaskon propagandën e Legalistëve që bëjnë sot për të mohuar tradhtinë e Mbretit të vetëquajtur të Zogut. E vërteta historike tregon se Abaz Kupi me 7 Prill 1939 si komandant i xhandarmërisë dhe si anëtar i shtabit operativ ushtarak në Durrës, nuk ka zbrazur asnjë pushkë dhe nuk ka dhënë asnjë provë trimërie në luftimet që u zhvillua kundër forcave pushtuese italiane në Durrës, në operacionin e zbarkimit të tyre. Qëndresën e bënë patriotët shqiptarë që luftuan me armë e ranë në fushën e betejës, ndërsa Abaz Kupi i vazhdoi luftimet nga ura e Dajlanit, kodra e Rrashbullit dhe së fundi nga Shijaku.