Bernd Borchardt: OSBE, e angazhuar për shtetin e së drejtës

667
Sigal

Fjala e Kryetarit të ri
të Prezencës së OSBE-së, ambasadorit Bernd Borchardt, në ceremoninë e
diplomimit të Shkollës së Magjistraturës

Është nder i
madh që jam këtu për t’ju përgëzuar të gjithëve për diplomimin nga Shkolla e
Magjistraturës dhe për t’ju uruar sa më shumë suksese në karrierat tuaja në
këtë moment të rëndësishëm të historisë së sistemit gjyqësor të Shqipërisë. Kjo
ditë përbën fundin e një periudhe studimi intensiv dhe fillimin e karrierave
tuaja në një nga profesionet më të vështira të botës, në një sistem të prekur
nga mosbesimi i publikut te administrimi i drejtësisë. Brezi juaj është i pari
brez gjyqtarësh dhe prokurorësh që do të ‘rriten’ në kohën e Reformës në
Drejtësi. Ndryshimet e miratuara në muajin korrik duhet të zbresin tashmë në
ligje dhe akte nënligjore dhe të reflektohen përmes rishikimit të procedurave
dhe politikave të të gjithë sistemit gjyqësor. Duke qenë se mbeten afërsisht
edhe 40 ligje për t’u miratuar, nga të cilat vetëm shtatë janë gati për
miratim, ka shumë nevojë për njerëz si ju, me aftësi ligjore dhe me një njohje
të mirë të sistemit, që t’i ndjekin debatet e vazhdueshme në Kuvend dhe të
kuptojnë implikimet e ndryshimeve legjislative. Ju do të bëheni imazhi i
drejtësisë dhe ligjit në komunitetet tuaja dhe duhet të bëni çmos për të
përmbushur detyrat tuaja qytetare. Ju nuk jeni vetëm arbitra dhe zbatues të
ligjit në sallat tuaja të gjyqit, por edhe promovues të shtetit të së drejtës
në komunitetet që i rrethojnë ato. OSBE-ja është e angazhuar t’ju ndihmojë në
këtë aspekt. Shteti i së drejtës përbën themelin e veprimtarive tona të të
Drejtave të Njeriut dhe Demokratizimit dhe unë jam i gëzuar që fjalimi im i
parë lidhet me rëndësinë dhe, veçanërisht, me zbatimin e Reformës vendimtare të
Drejtësisë, një temë që i kapërcen kufijtë kombëtarë – duke shkuar deri aty sa
Shqipëria të mund të bëhet model. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka një gamë të
gjerë veprimtarish në këto fusha dhe ka kontribuuar tashmë me sukses, mes të
tjerave, në: rritjen e efiçencës së gjykatave me nismën tonë të “Drejtësisë pa
vonesa” së bashku me USAID-in; reformën e gjyqësorit, më këshillim dhe
mbështetje teknike në çdo nivel, duke përfshirë zhvillimin e strategjisë së
reformës së gjyqësorit, si dhe Strategjinë e Edukimit Ligjor të Publikut. Ne do
të vazhdojmë përpjekjet tona në ndihmë të Shqipërisë në këta sektorë dhe do t’i
rrisim ato në më të rëndësishmin prej tyre: Zbatimin e Reformës në Drejtësi. Pa
zbatim, reforma nuk do të ishte gjë tjetër veçse një shprehje qëllimesh të
mira; na duhet të gjithëve të bëhemi bashkë në këtë përpjekje, e cila duhet të
vijë nga çdo sektor i shoqërisë nëse, në fund, ato duhet të jenë të prekshme
për të gjithë. Vetëm kur publiku të besojë se ligji qëndron mbi çdo njeri dhe
çdo institucion dhe që ai zbatohet njëlloj për të gjithë, do të kemi vërtet
shtet të së drejtës në Shqipëri.