Ore shqiptarë! Thirrini mendjes të paktën njëherë të vetme! Mos vallë duan të zhdukin çdo gjurmë shqiptare këta mortje. Kësisoj, nga Tongo në Sazan na vjen si gjithmonë i padëshiruari dhe i paftuari qoftëlargu grek që nuk ngopet së aneksuari kultura dhe toka shqiptare, tashmë edhe hapësira detare, sepse dihet që Haga është noterizim i humbjes për ne shqiptarët. Ndërsa nga Sazani në Kep të Pallës do të bëjnë pallë arabët dhe nga Kepi i Pallës deri në Bunë do bëjnë pallë italianët.
Lajmet e bujshme se erdhi Ivanka mbushën ekranet, por askush se thotë se ç’po gatuhet larg dhe afër me Shqipërinë? Ardhja me arkitekt të mëdhenj e të huaj na dhanë të kuptojmë se aty diku në ishullin e gurtë siç ka dhe emrin Sazan, thjesht do të jepet një zonë për turizëm elitar për investitorë strategjik, por që ne kurrë s’kemi dëgjuar më parë nga goja e qeverisë se na paskish ekzistuar një projekt strategjik e turistik dhe normalisht do të kishte edhe një vlerësim mjedisor strategjik, mbi të gjitha një vlerësim të Sigurisë kombëtare. Bile nuk paskemi ditur se ky Ishull, që dikur me Karaburunin përbënin vatanet e mia, sot, duke filluar me KM Nano dhe më pas me KM Berishën paska dalë qyshkur në ankand, ku një copëz KM vendoska mbi pronën popull, që vetëm luftra, qysh nga koha e Trojës, nuk mbarojnë së bëri derisa më në fund Zoti e solli së fundmi te i zoti. Por që i vuri damkën e nxjerrjes në ankand si tokë e lirë ishte Presidenti i Republikës më 2024 kur e liroi nga çdo parametër të veçantë, piktoreskë, strategjikë, nevralgjik, madje, edhe nga funksioni zonë e Mbrojtur për të mbrojtur shqiptarët, duke i paraprirë situatave të tilla të paramenduara.

Sinjal për Alarm kombëtar!
Kësisoj, vizita e Ivanka Trump dhe Jared Kushner në Vlorë, si dhe vizita e tyre në Akërni dhe Hidrovor, nuk përbëka lajm turistik. Ai na qenka një sinjal për Alarm kombëtar. Pse do thoni ju të dashur qytetarë të përfjetur dhe të drobitur nga politikat cfilitëse të qeverive shqiptare, njeri më ‘’bujar’’ se tjetri, njeri më i tërbuar se tjetri? Biles, z. Berisha nuk u bëka as pishman dhe përgjigjesh sikur po jepte pjesë nga bahçet e veta. Ore miq, kaq çiliminjë janë politikanët tanë apo jemi ne humameno?! Çfarë?! Nuk e dinë ata që Sazani, Zvërneci, Akërnia nuk janë pronë e Qeverisë dhe janë pasuri të Sovranit, apo na dinë popull leshi?! Nuk e dinë ata që Sazani, Zvërneci, Akërnia janë pikë të forta të Sigurisë kombëtare, janë zona të pashembullta strategjike për vendin, janë trashëgimi e pasur natyrore dhe identitare e shqiptarëve. Çdo tentativë për t’i dhënë me kontrata 99-vjeçare me maskën e karnavaleve si “investime strategjike” nuk është gjë tjetër, veçse heqje dorë nga Sovraniteti, që d.t.th zhvillim dhe përfitim i njëanshëm. Përndryshe nuk quhet investim, jo vetëm që nuk na pasuron, por na zhduk si Komb. Çfarë nuk e dinë KM tanë që Sazani nuk është “parcelë e tyre”, Zvërneci nuk është “brand prej tyre” dhe Akërnia nuk është “poligon projekti për ata”. Janë territore me peshë strategjike, ekologjike dhe kombëtare. Çdo marrëveshje e tillë pa referendum, pa transparencë dhe pa konsensus publik është legjitimisht e pavlefshme në sytë e sovranit.Qytetarët duhet të zgjohen. Jo nesër. Sot. Jo sot, tani!
Boll dhe mjaft më!
Na ka mësuar historia skema të tilla që kur fillojnë me të keq përfundojnë përdreq. A nuk ishin italianët më 1920, po ata edhe në të dytën ardhje (1939) që gjoja erdhën për investime, por nuk pamë që Shqipëria u ndihmua, nuk pamë që u rrit mirëqenia shqiptare. Përkundrazi, pamë që fitimi u xhvendos jashtë vendit. Kemi parë aktualisht, sesi është shkatërruar vendi me investimet e huaja dhe pararendëse të zhvillimeve në Shqipëri. A nuk jemi sot në prag të shkatërrimit total të mjedisit shqiptar prej këtyre investimeve të huaja diku Hec-e, diku marrje uji, diku komplekse turistike, por mbi të gjitha në prag të varfërimit ekstrem të popullsisë shqiptare dhe më keq akoma në kufijtë e ikjes golgotë moderne të shqiptarëve. A nuk po e provojmë me investimet strategjike të kryera deri më tash që po prodhohet nga Resortet e mbyllura, me akses të ndaluar për qytetarin, me punë sezonale dhe me paga qesharake, tipikisht tokë apo zonë e zanun e bllokuar, për të cilat nuk qasesh as me leje kalimi. A quhet ekonomi ku qytetari, populli i thjeshtë pronar i tokës është i përjashtuar. A mund t’í quajmë këto një neo-neo-kolonializëm?!
Në këto kushte, është Vlora sot të dashur qytetarë vlonjatë,
Nëse ju ka ngelur një pikëz ADN-je nga gjyshërit tuaj, Shqipëria sot, të dashur qytetarë shqiptarë, nëse ju ka ngelur një gjurmë gjaku shqiptar nga të parët tuaj thërret për një alarm sovraniteti, për të ndalur dorën e gjatë të të gjatit që po t’i kishte më të gjata edhe Hënën do të prishte, për t’i thënë këtij të gjati se Sazani nuk është çok që ti të ndreqësh me Amerikën dhe me Presidentin e saj çfarë ti ke djallosur më parë. Por, edhe të çdo dore tjetër, qoftë KM i djeshëm apo President i Botës i sotëm. Unë jam nga ata që dua Amerikën sa më s’ka, por më shumë dua Kombin tim, sepse atij dhe vetëm atij i përulem dhe në fund të fundit i përkulem duke e thirrur Atdhe dhe Mëmëdhe. Nuk mund të lejojmë që meqënëse dikur ky Baba i dytë bëri që të na njihej ky shtet që figurativisht po e quaj ‘’lopë’’, nuk mundet të na marrë qumështin me gjithë viçat e saj, sepse unë t’i dhashë.
Çdo tentativë për t’i dhënë me kontrata 99-vjeçare me maskën e karnavaleve si “investime strategjike” nuk është gjë tjetër, veçse heqje dorë nga Sovraniteti, që d.t.th zhvillim dhe përfitim i njëanshëm. Përndryshe nuk quhet investim, jo vetëm që nuk na pasuron, por na zhduk si Komb. Çfarë nuk e dinë KM, që Sazani nuk është “parcelë e tyre”, Zvërneci nuk është “brand prej tyre” dhe Akërnia nuk është “poligon projekti për ata”. Janë territore me peshë strategjike, ekologjike dhe kombëtare. Çdo marrëveshje e tillë pa referendum, pa transparencë dhe pa konsensus publik është legjitimisht e pavlefshme në sytë e sovranit. Qytetarët duhet të zgjohen. Jo nesër. Sot. Jo sot, tani!

Tani, ndaluni pak të dashur qytetarë! Mbushuni me frymë!
Nuk është se znj. Ivankë dhe z.Kushner vijnë dhe investojnë vetë ata, dhe në një farë mënyre do krenohemi se kemi çikëz tokë amerikane, kemi një çikëz NATO më pranë nesh, kemi një situatë turistike që do të na shërbejë edhe si kushte ‘’garancioni’’ kur thonë shqiptarët e Kosovës. Investimi është totalisht nga një Bankë arabe me rreth 2 miliard euro. Ore miq kam të drejtë të ngre dymendësime tashmë?! Porti Durrës, i pari Port në rruzullin tokësor, më i vjetri, më i qëndrueshmi, pse shpërngulet drejt Porto – Romanos dhe quhet Dubai – Durrës. Nuk po merrem sesi Qeveria me dy milion euro investoi reklamat në Mediat e veta, me taksa shqiptare, dhe pastaj të pavëmëndshmit shqiptarë u sulën apartamenteve në Port pa filluar gropa, dhe Ai (arabi) me lekët tona ndërton Portin në Porto-Romano, që s’ka për t’u ndërtuar e punuar kurrë, sepse është punë e nisur me të keq dhe do të përfundojnë për dreq. E dini pse? Sepse ai Port do të mbushet 10 herë më shpejt dhe 10 herë më shumë se Porti i Durrësit nga rërat që vijnë nga Karpeni e delta e Shkumbinit, të cilat përplasen në Kepin e Pallës dhe do të ndalojnë në këtë Port mynxyrë! Pra, kanë qenë budallenj të parët tanë që ndërtuan Durrësin?!

Ore shqiptarë!
Thirrini mendjes të paktën njëherë të vetme! Mos vallë duan të zhdukin çdo gjurmë shqiptare këta mortje. Kësisoj, nga Tongo në Sazan na vjen si gjithmonë i padëshiruari dhe i paftuari qoftëlargu grek që nuk ngopet së aneksuari kultura dhe toka shqiptare, tashmë edhe hapësira detare, sepse dihet që Haga është noterizim i humbjes për ne shqiptarët. Ndërsa nga Sazani në Kep të Pallës do të bëjnë pallë arabët dhe nga Kepi i Pallës deri në Bunë do bëjnë pallë italianët. Pse kot është dhënë tokë italiane Gjadri? Të japësh një tokë, me status si i vetmi ishull, kur shteti grek me 13,000 ishujt nuk dha sikur një prej tyre, edhe në kushtet e krizës së saj, ndërsa ju KM i djeshëm paske dashur ta heqësh nga Amza shqiptare këtë toke amtare në kushte kur nuk ishim në kriza greke. A nuk është edhe për ju z.KM i sotshëm një shembull, kjo e rastit të shtetit fqinj? Tani po ju drejtohem juve z.Rama! Që të japësh 99 vite me koncesion, gjoja fillimisht këtë ishull, do të thotë një brez i tërë shqiptarësh, ju që do të mbaheni mend për keq e për dreq, i ke përjashtuar nga toka e vet. Do të thotë që fëmijë të rriten me gardhe aty ku sot është deti i tyre. Mbi të gjitha bën ‘’precedentin’’ se Shteti ynë që dikur mbahej me pushkë e penë, sot mund të shitet copa-copa.
Ndaj Shqipëria duhet të thotë JO të madhe dhe të fortë!
Privatizimit të Sovranitetit dhe Koncesioneve shekullore; Pazareve gjoja për hotele; Vendimeve pa përfshirje të qytetarëve. Sepse nëse doni zhvillim të dashur KM-stra, ajo do të vijë nga politika publike prej një planifikimi kombëtar duke ruajtur mjedisin dhe duke bërë të marrë pjesë Sovrani. Përndryshe, herët a vonë, sot apo nesër do të mateni me uragan popullor për këtë grabitje të veshur me kostum investimi. Kjo nuk është çështje partie, por çështje Sovraniteti, dhe Sovraniteti nuk jepet me qira thotë një studiues i thjeshtë popull nga Vlora.




















