Bashkimi Europian dhe të rinjtë

1440
Sigal

Nga Pandi A. Cici*

* Msc. në Marrëdhënie Ndërkombëtare

-Cila është marrëdhënia e të rinjve me BE-nw dhe çfarë mendon BE-ja për ta?

-Përgjigja e kësaj pyetjeje nuk është e lehtë.

Ajo varet nga shumë faktorë dhe përbën një sfidë therrëse për Bashkimin Europian, sepse është e lidhur me vetë të ardhmen e tij. Kjo çështje është njësoj sfiduese si për vendet anëtare, ashtu edhe për ato kandidate, siç është vendi ynë.

Të rinjtë nuk mund të konsiderohen si një grup i vetëm, i shkëputur, uniform, interesat ose sjelljet e të cilit konvergojnë.

Ata nuk janë një kategori ose masë homogjene, e strukturuar dhe e orientuar drejt një qëllimi të vetëm.

Të rinjtë nuk janë as repart ushtarak, e as parti politike, si nga pikëpamja e sjelljes, ashtu edhe ajo e bindjes, por edhe e parimeve.

Ata janë një pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë; pjesa më e larmishme, më dinamike, më energjike dhe njëkohësisht më ëndërrimtarja.

Të rinjtë  janë motori i shoqërive dhe forca kryesore lëvizëse jo vetëm e tyre, por edhe vetë kombeve e njëkohësisht, barometri i progresit të tyre.

-Çfarë bëjnë të rinjtë e një shoqërie, si e kalojnë kohën ata, me ç’ka merren dhe cili është qëllimi i jetës së tyre, a kanë model apo shembull për ta ndjekur dhe cilat janë aspiratat e tyre ?

-Këto janë pyetje e njëkohësisht sfida për të gjitha shoqëritë, e në rastin tonë, për Bashkimin Europian dhe shoqëritë anëtare dhe kandidate të kësaj hapësire gjeografike, politike, ekonomike, të kësaj hapësirë vlerash dhe sfidash.

E pranoj që nuk është e lehtë t’u japësh përgjigje këtyre pyetjeve. Është madje sfidë me vetveten dhe me fatin politik të qeverive, partive dhe me të ardhmen e shoqërisë.

Duhet, të paktën, të mos mungojë vullneti dhe dëshira e sinqertë e qeverive ose e vetë BE-së për t’i bërë përgjigjet e këtyre pyetjeve pjesë, jo vetëm të fushatave të tyre politiko-partiake 4-vjeçare, apo të financimit të programeve për vetëm disa OJF-w, tradicionalisht të preferuara, por pjesë të shqetësimit të përditshëm, angazhimit serioz dhe vlerësimit objektiv të rolit të tyre të pazëvendësueshëm në të tashmen dhe të ardhmen.

Të rinjtë nuk përbëjnë rrezik për qeveritë dhe shoqërinë.

Përkundrazi, pjesëmarrja e përfshirja e tyre në proceset e shëndoshjes dhe të demokratizimit të shoqërisë i bën këto procese më të qëndrueshme në planin afatgjatë dhe më të suksesshëm në realizimin e tyre.

Vetëm duke i bërë të rinjtë pjesë aktive e njëkohësisht përfitues, shoqëruar me përgjegjësi e llogaridhënie, proceset integruese të shoqërive tona fitojnë garanci dhe jetëgjatësi dhe Bashkimi Europian nuk mbetet vetëm diskurs teorik, por një model frymëzues dhe projekt i prekshëm dhe i suksesshëm i shoqërive europiane dhe atyre që dëshirojnë të bëhen të tilla.