Bashkim Koçi: Koha thërret idealistët

144
Sigal

Botën e kanë ndërtuar idealistët. Madje edhe “bota e re” është në dorë të idealistëve. Unë kam patur një mik shkrimtar, i cili, ngaqë e ka munduar rruga e mbrapshtë që ka marrë ky vend, Shqipëria, është përpjekur t’i jap këshilla politikës e politikanëve, nëpërmjet publikimit të veprave të njerëzve të mëdhenj idealistë. Ky është Jovan Jano. Ai na ka prezantuar e njohur me figura të tillë botërorë si Martin Luter King, Ernesto Çe Guevara, Mahat’ma Gandi, Antonio Gramshi dhe të gjallin Josse Mujica. Që të gjithë janë figura të jashtëzakonshm, që na bëjnë thirrje edhe nga “bota tjetër” për të qenë njerëzorë, që politika dhe politikanët të heqin dorë nga babëzia për pushtet e pasuri. Eshtë, ndoshta, më me interes të sjellim si fakt një shkrim të Jovan Janos për Josse Mujicën. Pse po e sjellim si shembull?

Sepse ky Josse Mujica është politikan, ka qënë në detyrën e Presidentit të Republikës të Uruguajit. Ashtu si i kemi dhe ne këta tanët këtu, të cilët nuk i ngjajnë fare, nuk kanë asnjë fije krahasimi me sjelljen dhe botën njerëzore të Mujicës. Sigurisht, nuk po kopjoj, nuk po hedh në këto radhë atë çka ka bërë e thënë Jovan Jano për presidentin Mujica, por që të mund të arrijmë që ky personazh, mentaliteti i tij si shtetar dhe si njeri, të jetë thirrje, trakt-kujtese për “derrat” tanë të politikës. Sepse, sipas meje, shembulli ngjit, shembulli të bën të skuqesh, sado të paturpshëm të jenë politikanët. Ca më tepër, kur ai vjen nga një vend që ka ngjashmëri me vendin tonë, me rrugën dhe peripecitë që ka kaluar Shqipëria.

Po kujt “i ngjau”, te cila figurë politike është frymëzuar presidenti Mujica? Intelektuali idealist Jovan Jano në të gjitha librat e personazheve që përmendëm, por dhe të shkrimeve që rrahin e shtjellojnë këtë ide, është përpjekur të na thotë “ja nga kush mund të të vijë fuqia për të qënë politikan me zemër të madhe”. Josse Mujica kish bërë “kurbet” me Ernesto Çe Guevarën dhe, për hir të së vërtetës, u frymëzua nga idetë e tij. Ç’dua të them? Intelektualët, gazetarët, e gjithë fuqia e medjas dhe e shembullit të mirë, duhet t’i shpallë luftë politikës dhe politikanëve, të gjithë “oligarkisë” dhe oligarkëve, të cilët hapur, pa mëshirë, çmendurisht të marrosur pas parasë, po pasurohen në kurriz të shqiptarëve. Faktet janë të panumërta, madje individët që kanë akumuluar pasuri të mëdha, janë edhe të frikshëm. Janë të frikshëm sepse të tillë i bën pasuria që kanë grumbulluar, pushteti politik dhe ekonomik që zotërojnë. Këto krijesa të këtyre viteve “në demokraci” duhen të izolohen, t’u shpallet “luftë pa kthim prapa”. Kam mendimin se medja mund të jetë në një farë mënyre “polici” ndaj oligarkëve, sundimtarëve tanë të politikës. Më vjen ndër mend një pyetje që dua ta bëj në adresë të medjas: Në cilën gazetë, në cilin televizion thirren të shkruajnë apo të flasin njerëzit guximtarë, intelektualët me zë, për të thënë publikisht, ashtu si është e vërteta, ashtu si flasin njerëzit e thjeshtë në rrugë, apo në rrjetet sociale? Vetëm kështu do t’u thuhej: ja cilët jini! Në situatat që janë krijuar, për diferencat dhe hendeku që ndan politikanët nga populli për të ardhurat dhe mënyrën e jetesës, janë alarmante, situata që kanë krijuar zëmëratë, në mos urrejtje ndaj klasës politike. Dhe meqë ra fjala për zëmëratën dhe dëshpërimin që ka sjellë ky fenomen, pra, pasurimi i pafre i politikanëve, tek shumica e popullit, të majtë e të djathtë, po sjell një deklaratë të një prej heronjve të Jovan Janos, Martin Luther King: “Më e rëndë se zhurma shurdhuese e njerëzve të dhunshëm, është heshtja e frikshme e njerëzve të ndershëm”. Ma thotë mendja që ky konstatim i Martin Luther King është aktual, sikur ai ta paskësh thënë për Shqipërinë. Iu duhet rikthyer këtyre figurave të mëdha, sepse na mësojnë, na këshillojnë, por edhe na nxisin për të ngritur zërin për të mundësuar kryerjen e reformave të mëdha.
Personalisht jam për veprime të shpejta, por të orientuara drejt dhe të udhëhequra nga intelektualë idealistë, që t’ju dhimbset ky vend, që të jenë optimistë për të mundur të keqen, e cila çdo ditë që kalon bëhet më e guximshme, trimërohet.

Kjo na duhet. Sepse ai që udhëhiqet në jetë nga ideale të larta, nga synime fisnike dhe lufton për të deri në fund, është pa diskutim në krah të së mirës, të njerëzve të thjeshtë. Nuk shërohet kollaj plaga që është hapur. E kini vënë re shpërthimin, revoltën që çfaqin njerëzit në ndonjë kanal televiziv rreth këtij problemi? Po urrejtjen, dëshpërimin, mallkimet që bëjnë për individë të veçantë, por që janë pjesë e “gardës” së politikanëve? Ky realitet është i turpshëm, por edhe i dhimbshëm. Qetësia dhe mosreagimi ndaj një realiteti si ky, kam mendimin se i turpëron intelektualët. Nuk e kam fjalën për ata që gradohen dhe marrin tituj shkencorë “për mbarështimin e blegtorisë”, por për ata djem e vajza, për ata bijë e bija nënash, të cilët gdhihen e ngrysen me hallet e njerëzve të thjeshtë. Këta ku janë? Sepse zëri i tyre, mendja dhe guximi i tyre kanë shansin të mundësojnë shkuljen nga rrënjët të “hashashit” që ka bërë të marrosen politikanët tanë. Ngul këmbë përsëri e përsëri që këtë detyrë madhore mund dhe duhet ta bëjnë intelektualët idealistë. Nuk them që te qeveria e sotme, e socialistëve, mungojnë të tillët, “politikanët e ëndrrave të mëdha”. Bota e emancipuar, udhëheqësit idealist, për të ngritur një shtet, për të formuar një shoqëri me tregues të lartë njerëzorë, bën më të mirën e mundshme, gjithmonë me ligje e pastaj mjafton t’i zbatosh.

Ja, kjo është e tëra. Bëni një krahasim me këta tanët, të cilët sillen si pashallarë, si feudalë të shekullit XXI-të, me ata perëndimorët, të cilët nuk u ngjajnë fare; as moralisht e as si fanatikë në zbatimin e ligjit. Edhe perandorët më të fuqishëm e më të mëdhenj e kishin kuptuar se pushtimi i zemrave është më i vështirë se pushtimi i kështjellave. Politikanët tanë nuk e kanë patur këtë privilegj. Të paktën deri tani. Por, po të shikosh sjelljet e tyre, vrapin marramendës për t’u pasuruar, për të zaptuar prona, për të shkelur gjithçka të shenjtë në emër të të qënit i pasur, sheik, prognoza flet për “mot të keq”. Zor të kenë kurajo për të hequr dorë nga paudhësitë. Në këtë luftë për jetë a vdekje është vetëm një shpresë, ai i SPAK-ut, i cili mund dhe duhet të sjellë paqen në shpirtrat e zëmëruar për atë çka i ka bërë këtij populli politika në këta 35 vjet. Sidoqoftë, sipas mendimit tim, duhet të propogandohen ide të tilla, “të Krishtit dhe të Muhametit”, kur me këtë mendje është edhe shkrimtari i madh Viktor Hygo, i cili përpara se të jepte shpirt la këtë testament: “Dua që nga paratë e mia t’u jepni dhe të varfërve!… Dua të më përcillni në banesën e fundit me karrocën e të varfërve! Nuk e dua përshpëritjen e kishave. Kërkoj veçse një lutje nga të gjitha shpirtrat…Besoj tek Zoti!”