Bardhyl Hazizaj /Pse u eliminuan ushtarakët!

829
Sigal

Në artin e lashtë ushtarak kinez njëra nga taktikat quhej: “Vrasja e njeriut me thikën e marrë hua”, që do të thotë goditja dhe shfarosja e kundërshtarit duke shfrytëzuar forcat e palës së tretë. Kjo taktikë u përdor shumë shpesh në luftërat ushtarake dhe politike të Kinës së lashtë. Në vitet e fundit të dinastisë Perëndimore, monarku i shtetit Zheng, vendosi të shfaroste shtetin Kuai. Në radhë të parë, ai bëri një listë të ministrave dhe gjeneralëve më të talentuar të shtetit Kuai dhe deklaroi hapur se, pas shfarosjes së Kuait, ai do t’u jepte këtyre personave poste dhe tituj të lartë feudalë dhe do t’u shpërndante atyre tokën e Kuait. Për të propaganduar publikisht vendimin e tij, ai organizoi në qytet aktivitete betimi. Monarku i shtetit Kuai u indinjua, pasi e mori vesh, ai i vrau si tradhtarë të gjithë ministrat dhe gjeneralët e shkruar në atë listë. Kështu, shteti Zheng shfarosi lehtë shtetin Kuai. Kjo taktikë barbare dhe djallëzore, nuk kufizohet vetëm në fushën ushtarake, pasi në kohët moderne njerëzit e ulët, intrigant e kanë përdorur me sukses. Pre e kësaj taktike kanë qenë shqiptarët që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme. Në lojën  e shërbimeve të fshehta të huaja nëpërmjet “mohimit dhe mashtrimit” ranë edhe njerëzit e sigurimit të shtetit që ja servirën popullit duke bërë të besonim për gjëra që nuk ishin të vërteta, dhe tani kur botohen “dosjerë” shtangemi nga deklaratat e njërit apo tjetrit. Gjeneralët shqiptarë nuk kuptuan se sigurimi dhe hetuesia kishte luajtur bllofin ndërsa sigurimi u tregua budalla që nuk e kuptoi se agjenturat e huaja ishin duke luajtur me të. Në këtë mënyrë ju hap rruga të keqes, që po e vuajmë sot. Sot çdo shqiptar, sado analfabet, është në gjendje të shohë qartë llojin e shoqërisë që ai jeton, kursin politik që ndiqet, si ne u grabitem e u shkatërruam, kush ishin dhe kush janë grabitësit tanë, kush ishin dhe kush janë pronarët e vërtetë të pronës dhe se si u shkatërrua gjithë pasuria kombëtare. Detyra jonë, ta pranojmë historinë e vendit ashtu siç është, me të gjitha uljet dhe ngritjet, gjatë gjithë këtij procesi të gjatë të unifikimit të kombit, me veprat e mira dhe me mëkatet. Nuk duhet të shfrytëzojmë britmat e një pakice të popullit, pakënaqësinë e pakicës kundër diktaturës “komuniste” për ta futur popullin në një kurth të gjoja lirisë së fjalës, e të mendimit të lirë dhe nga ana tjetër në vend sundon krimi i organizuar pasi ai vret, në mes të ditës, nën ruajtjen e policisë, dhe me miratimin e qeverisë gjoja demokratike. A nuk jemi të pushtuar, kur njerëzit qëndrojnë të ngujuar nga frika e gjakmarrjes, hakmarrjes, frikës së pushimit nga puna, frikë nga krimi, nga trafikimi, nga zjarret, nga epidemitë e pandemitë, aksidentet, përmbytjet, thatësira, errësira, mungesa e ujit, papunësia, hajdutëria, paaftësia. Sot në Shqipëri askush nuk është i sigurt as edhe brenda në qelitë e burgut. Në të gjitha rendet ekonomiko-shoqërore dhe në të gjitha regjimet, ushtarakët kanë pasur një trajtim të veçantë, janë trajtuar si “kastë” e shoqërisë. Deri më 1991 askush nuk guxoi t’i prekte kufijtë shtetërorë, por pas vitit 1993 ushtria kaloi në duart e civilëve që nuk kishin asgjë të përbashkët me ushtrinë dhe e kthyen ushtrinë në repart ndëshkimi duke e nxjerrë jashtë natyrës së saj, ne rolin e xhandarit. Katrahurën e sajuan politikanët ndërsa ndëshkimin e morën ushtarakët, të cilët ka 23 vjet që diskriminohen. Dy dekada pas rënies së Pushtetit Popullor, Qeveria i trajton ushtaraket si pakicë kombëtare. Ushtrinë, shteti e krijoi jo për të argëtuar politikanet, por për të ruajtur ekuilibrin midis shteteve. Në radhët e ushtarakëve ka shumë trima e të mençëm, por lufta e paskrupullt që u bëhet, integriteti që kanë, i detyron të qëndrojnë indiferent. Për çdo komb ushtria është simbol i bashkimit dhe i sigurisë në vend. Ushtria, e cila është edukuar në zbatimin me rigorozitet të rregulloreve, përdorimin e armëve, teknikës nuk është e gatshme psikologjikisht për këtë lloj aktiviteti, as oficeri e as ushtari. Shkelja e këtij misioni e çoi ushtrinë shqiptare në shkatërrim. Pas 1997 ushtria duhej ngritur nga e para dhe këtë detyrë e kreu me shumë sukses Gjeneral Aleks Andoni. Shpërblimi dihet. Nuk kujtohet njëri për ta. Sot politika e ka vënë në bangën e të pandehurit ushtarakun. Që nga 1912 e deri më sot ushtarakët janë persekutuar më shumë se çdo grup tjetër shoqëror në Shqipëri. Pse heshtin përsëri ushtarakët. Si rezultat i qëndrimeve të gabuara të deritanishme të drejtat tona kanë ardhur duke u zvogëluar pasi barbarët nuk kanë hasur në ndonjë veprim të organizuar, të drejtuar e me një objektiv të vetin kombëtar. Po nuk guxuam sot  kur do ta themi fjalën tonë?! Apo do të përsërisim Naim Frashërin kur tha: “E çe desha trimërinë kur s’mu gjend për Shqipërinë”. Edhe tre gjeneralët e liruar në maj 2013 nuk pranuan të kryejnë detyra jashtë misionit .E keqja duhet denoncuar publikisht. Ushtari ka qenë, është e do të jetë pjesë e popullit. Sot je me uniformë nesër e ke vendin në popull. Karriera ushtarake e shkurtër, si dhe zvogëlimi i ushtrisë, do t’i nxjerrin jashtë rreshtit shpejtë ushtarakët. Nuk ka siguri. Kjo është e vërteta dhe na vjen keq kur ndonjë deputet apo analist i përçmon ushtarakët. Qeveritë shqiptare të nënshtruara nga qarqet shoviniste sllave e greke po e pengojnë këtë prosperitet… E gjithë shoqëria shqiptare nga këndvështrimi etik, i veprimeve të njeriut karakterizohet nga gjendja e ambientimit dhe e mosbesimit në forcat e veta. Këto dy gjendje kanë dominuar për 21 vjet hapësirën shqiptare. Ne duam një shtet me dinjitet dhe daljen nga kriza morale! Dikush do të vijë të vërë rregull!