Astrit Kosturi: “Deri tani na kanë drejtuar politikanë sharlatanë”

668
Sigal

INTERVISTA/ Astrit Kosturi, Kryetar i Lëvizjes për Drejtësi e Shqiptarëve

 

Partia Lëvizja për Drejtësi Shqiptare ka mbi tre vjet që kryen veprimtari politike, strukturat e së cilës janë të pranishme në të gjithë qarqet e vendit. Ajo udhëhiqet nga një program me përmbajtje thellësisht sociale, i cili ka në themel zbatimin e Ligjit. Edhe në këtë fushatë zgjedhore për Parlamentin e ri,LDSH-ja  ka si mision luftën për drejtësi e barazi shoqërore, dinjitet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Rreth këtyre problemeve, kryetari i saj, zoti Astrit Kosturi dha këtë intervistë për gazetën  “Telegraf”.

-Zoti Kosturi, përse është pagëzuar me këtë emër partia juaj?

– Ajo që i ka munguar prej vitesh këtij populli është drejtësia, e cila i është mohuar dhe vazhdon të jetë në një gjendje dëshpëruese për të gjithë shqiptarët. Ndaj dhe njerëzit  ndjehen  “të kapur”  nga një pesimizëm gati-gati i pakthyeshëm.  Partia jonë, e themeluar  tre vjet më parë, përfaqëson një lëvizje mbarëpopullore, e cila ka marrë përsipër  të vendosë në vend drejtësinë, të bëjë të mundur që  në të gjitha hallkat e jetës të ketë shtet ligjor. Për këtë, vetëm për këtë mision e kemi pagëzuar  “Lëvizje për Drejtësi Shqiptare”.

-Sigurisht, që jini pjesë e Koalicionit të Majtë. Në 36 vagonët e këtij treni gjigand, ku, cilin nga ata përfaqëson  LDSH?

Unë, edhe për modesti, nuk dëshiroj të them se  ”vagoni“ i partisë që drejtoj është në fillim apo në fund të lokomotivës që udhëheq  këtë tren, pra të PS-së. Ajo që mund të deklaroj (dhe këtë e them me bindje të plotë) është se ky “vagon” mban brenda një parti progresiste, e përfaqësuar nga drejtues idealistë, nga një elektorat  “ i zgjedhur“, po të kemi parasysh bindjet e tyre. Për mentalitetin që është krijuar tek elektorati  në këto vite të demokracisë, i cili është bërë tepër pragmatist, nuk ta jep votën po nuk pa me sy, po nuk  e preku me dorë përfitimin,  votuesit tanë  në një farë mënyre ndjehen të “sakrifikuar“.

– Disa nga partitë e vogla janë inekzistente, nuk kanë mundur të përfaqësohen, qoftë dhe në organet e pushtetit vendor. LDSH, i përket këtyre partive, të ashtuquajtura  “fantazma”?

-Partia jonë është një subjekt politik modest. Por megjithatë, edhe pse kemi vetëm tre vjet që përpiqemi për t’u  përfaqësuar nëpërmjet votës popullore, kemi arritur të jemi dikushi, duke patur këshilltarët tanë në disa komuna të vendit. Sigurisht, hë për hë, jemi me peshë relativisht të vogël, por jemi me plot besim se do të rritemi edhe më, do të mundim të bëjmë për vete njerëzit, të cilët ndjehen të hallakatur nga trysnia që bëjnë partitë e mëdha.

– Sipas jush, kini më shumë vlera, kini program më të mirë se partitë e tjera, qofshin edhe ato të mëdhatë?  

Nuk kam ndërmend të marr përsipër për të vlerësuar, për të klasifikuar njërën apo tjetrën parti. Ajo që mund të them, dhe që është bindje e patundur përLDSH, këtë vend në këto 22 vjet e kanë drejtuar politikanë sharlatanë. Është vetëm  “merita” e tyre dhe vetëm e tyre që kanë futur në drejtimin e shtetit, që nga qeveria e deri poshtë në bazë, praktikat më të shëmtuara korruptive, nepotizmin dhe politizimin e administratës në nivele të neveritshme. Ne do të mundim që në këto çështje të japim kontribut modest dhe aktiv.

-Nëse koalicioni juaj merr pushtetin, a kini elementë, a ndjeheni  ”të pasur“ me individë që të mund t’u përfaqësojnë denjësisht në organet shtetërorë?

Të vetmen pasuri që ka LDSH është elektorati i saj, votuesit, të gjithë ata që po na mbështesin. Madje ndjehem shumë i lumturuar kur në krah të drejtuesve të partisë kam njerëz të arsimuar, të zotë për të drejtuar dhe tepër të ndershëm. Madje e vetmja e “metë” që kemi është se e kemi idealizmin me “tepri”, udhëhiqemi prej tij.