Bardhyl Berberi: Pse njerëzit i janë kthyer GABIT?

765
Të gjithë e njohin emrin Gabi. Dhe ky treg masiv është nga më të frekuentuarit. Një zë i lodhur gruaje thërret tek zona industriale e qytetit, atje ku është vendosur Gabi, vendi ku shiten rrobat e përdorura. Grumbuj të mëdha njerëzish rrëmojnë në pirgun e rrobave të përdorura të vendosura në tokë mbi disa mushama ushtarake… Në fakt, nuk është e domosdoshme që të thërrasësh, pasi njerëz të moshave të ndryshme vijnë aty dhe mbushin çantat me rroba të përdorura. Dikush bën ironi, janë rroba prej të vdekuri që familjet e huaj i falin… por askush nuk i kthen përgjigje. Ne, thotë Landi, kemi klientë të përhershëm, madje edhe njerëz me pozitë, që na vijnë në shtëpi dhe i kontrollojnë thasët se këtu ju vjen turp. Është një fakt, thotë Landi, se sa më shumë varfërohen njerëzit, aq më tepër na shtohet puna. I them Landit na thuaj disa emra të Vipa-ve. – E kam sekret, thotë ai, se, nëse do të jap emrat dhe ti shkruash në gazetë, ata nuk më vijnë më… Ja shikoje këtë kostum, është Pierr Kardin, nuk është i ri, por unë e jap për 2.000 lekë të reja, ndërsa në butik është 500 euro… Por shumica e klientëve janë pensionistë dhe persona që jetojnë me ndihmë ekonomike, apo me të ardhura minimale… Zakonisht, thotë Landi, vijnë gratë e personave të njohur publikë dhe blejnë për vete për burrat dhe fëmijët… Mes pirgut të rrobave shikon shumë vajza të bukura gjimnaziste, që rrëmojnë rroba mes pirgjeve të mëdha, për të gjetur rroba sipas shijeve të tyre, që nesër ndonjëra prej këtyre bukurosheve mund të kurorëzohet MIS. Dikur Gabi ishte vetëm i romëve, por sot ky treg është kthyer heterogjen, por sot aty punon kushdo, mjafton të fitosh bukën e gojës, thotë Landi, ja vetëm me paret që kam fituar këtë vit unë do të blej një shtëpi… Tregtarët e Gabit janë të bardhë e të zinj analfabetë, me pak klasë, por dhe të diplomuar, të cilët luftojnë për bukën e gojës… Aty gjen gjithçka, që nga të brendshmet, rrobat e banjës, deri tek palltot dhe xhupat e dimrit… Europianët, thotë Bedriu, kanë shumë rroba dhe duket se këta njerëz të kamur, nuk mendojnë vetëm për vete… Malli më i mirë vjen nga Gjermania dhe Italia transportohet malli me trena dhe më pas nëpërmjet tragetit vjen në Shqipëri… Është fakt se, europianët zengjinë, thotë Bedriu, ju është lodhur syri me gardërobën me rrobat e tyre dhe e ndërrojnë atë, duke i sjellë rrobat në Shqipëri. Prej gati 20 vjetësh lulëzon tregu i Gabit dhe ai ka zigzaget e tij, por falë krizës dhe varfërisë, ai po kapitullon shumë butikë të shtrenjtë… Blerësit në fillim, pak të sikletosur, por tashmë atyre nuk ju dridhet syri dhe shkojnë tek Gabi dhe zgjedhin rroba të lira të firmave më prestigjioze, tek zonat e përcaktuara që tashmë janë bërë legjitime për gjithë tregtarët e Gabit në të gjitha qytetet e Shqipërisë …Varfëria është maskarallëk, thotë një pensionist, që dikur ka qenë zyrtar i lartë, ai kërkon një palë këpucë me qafë, mes pirgut të mallrave të përdorura, më duhen për dimër, thotë, dëbora është tek dera pritet dita-ditës …

Shkrimi u botua në datën 03.12.2015 në Gazetën Telegraf 
Sigal