Artur Hasanbelliu/ Dhuna në familje. Të ndërhyjmë sot, që të mos kemi jetimë nesër

1028
Mëngjesin e 6 prillit dy furgonë të “Shqiponjave”, të pasuar me një mori motorësh të Policisë së Shtetit kaluan me sirena ulëritëse kryqëzimin tek 21-shi. Pak minuta më vonë, titrat e televizioneve informativë folën mbi një vrasje për motive xhelozie. Një gardist kishte vrarë gruan e tij të re, në prani të djalit 4 vjeç dhe të vajzës disa muajshe.
Orët pasuese do të zbulonin një të vërtetë të hidhur

Nëna e viktimës dëshmoi se vajza keqtrajtohej nga i shoqi, gardist prej vitesh. Madje ajo kishte denoncuar në polici dhunën dhe ishte detyruar ta tërhiqte për motive, të cilat policia as që kishte marrë mundimin t’i hetonte. Ai ishte punonjës i shtetit. I dhunshëm? Epo burrë është edhe do ta rrahë gruan ndonjëherë… Psiqikisht i paqëndrueshëm? E kush e ka marrë mundimin ndonjëherë të testojë gjendjen mendore të një punonjësi garde ose policie me pistoletë në xhep… Gruaja tërheq denoncimin… shteti është në rregull. Punonjësi i policisë, që kjo grua e ka parë si shpëtimin e saj, sot fle rehat. Sepse proceduralisht gjërat janë në rregull edhe pse vrasja e Ildës, nënës së re të dy fëmijëve të mitur, është një ngjarje e trishtë, një krim padyshim i paralajmëruar. Dhuna në familje nuk është një problem vetëm shqiptar, por përmasat e saj tek ne janë të frikshme. Po aq sa janë edhe përmasat e neglizhencës së strukturave të posaçme për të trajtuar denoncimet e dhunës. Në thelb edhe pse duhet kurajë ta pranojmë, denoncimi i dhunës nga gratë përplaset dhe shpesh thyhet në një terren të fortë mentaliteti shumëvjeçar. Dhuna në familje konsiderohet ende si një “çështje e brendshme” e familjes shqiptare dhe gruaja ende trajtohet si pala më e nënshtruar që herë-herë duhet të durojë edhe një të rrahur, se nuk e gjen gjë. Mentaliteti ndrydh gratë, që të përfshira në vorbullën e dhunës së kthyer në mënyrë jetese janë të paafta të perceptojnë rrezikun me të cilin jetojnë përditë jo vetëm ato, por edhe fëmijët. 

Mentaliteti i pushtetit të burrave rrit abuzimin e tyre

I njëjti mentalitet mbështjell me burokraci dhe mos efektivitet shtetin në zyrat e të cilit një grua që denoncon shpesh përcillet me nënqeshje mospërfillëse. Hapësira që legjislacioni shqiptar i njeh masave që lidhen me parandalimin, trajtimin dhe pasojat e dhunës në familje është e konsiderueshme. Ka një strategji kombëtare, e cila ka nxjerrë detyra për institucionet shqiptare, ka një ligj që ka parashikuar dhe ka përcaktuar detyra shtesë për këto institucione. Madje ka edhe një VKM, e cila tregon rrugën se si duhet institucionet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe se kush duhet të bëjë çfarë. Për të parë si funksionojnë në terren i gjithë ky kuadër ligjor Departamenti i Auditimit të Performancës në KLSH ndërmori një auditimi me anë të të cilit synoi të vlerësonte efektivitetin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Reduktimi i Dhunës me Bazë Gjinore dhe Dhunës në Familje 2011-2015. Personat që bien pre e dhunës në familje, ose çdo person tjetër që konstaton një rast të ushtrimit të saj mund të drejtohet për ndihmë tek autoritetet përgjegjëse të përcaktuara në pikën 2 të nenit 5 të ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006 “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar. Në rastet kur kërkohet ndërhyrje emergjente, pavarësisht se në cilin prej institucioneve të përcaktuara drejtohet viktima, secili prej tyre ka detyrimin të njoftojë Koordinatorin Vendor të dhunës. Është ky i fundit që bën vlerësimit të tij për rëndësinë e rastit dhe njofton përfaqësues të tjerë të Ekipit Teknik Ndërdisiplinor, me qëllim mbërritjen së bashku në vendngjarje dhe trajtimin e menjëhershëm të rastit. Viktima e dhunës jep një informacion të përgjithshëm në prani të punonjësit të policisë ose të specialistit të mbrojtjes së të miturve dhe të dhunës në familje në Drejtorinë Policisë së Qarkut. Informacioni mund të jepet edhe pranë specialistit të sektorit mjekësor dhe psikologjik. Nëse viktima pretendon se ka pësuar dhunë fizike, ajo shoqërohet nga punonjësit e policisë në qendrën shëndetësore me të afërt për të evidentuar dhe trajtuar dëmtimet e shkaktuara. Mjeku pas konstatimit të gjendjes plotëson një formular tip “Raport i posaçëm për pacientin që ka pësuar dhunë në marrëdhëniet familjare”. Inspektori i policisë në bazë të dëshmisë dhe raportit mjekësor duhet të përgatisë kërkesë-padinë për lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes, i cili dërgohet menjëherë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor. Nga çasti i marrjes së kërkesës gjykata brenda 48 orëve duhet të vendosë për lëshimin ose jo të tij. Deri në lëshimin ose jo të urdhrit të mbrojtjes, viktima duhet të shoqërohet në një vend të sigurt, i cili mund të jetë banesa e saj, një i afërm, ose një qendër e specializuar. Ajo mund të jetë shtetërore ose një nga palët e marrëveshjes të bashkëpunimit të Ekipit Multidisiplinar të Mekanizmit Kombëtar të Referimit.
Gjatë kohës që viktima është duke dhënë deklarimet, dhunuesi shoqërohet në polici. Punonjësi i policisë pasi merr deklarimet prej tij dhe pas raportit mjeko-ligjor, vendos:
a) Në rast se kemi dhunë fizike, bëhet ndalimi në kushtet e flagrancës;
b) Në rast se kemi dhunë jo fizike, atëherë dhunuesi qëndron për jo më shumë se 10 orë në ambientet e komisariatit (Ligjin 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, Neni 109 pika 2).
Duke krahasuar kohën që nevojitet për nxjerrjen e UMM, dhe kohën gjatë së cilës dhunuesi qëndron i veçuar në komisariatin e policisë nga viktima ka një hapësirë prej 38 orësh, gjatë së cilës institucionet shtetërore e kanë të pa përcaktuar se çfarë duhet të bëjnë me viktimën dhe dhunuesin. Gjatë kësaj periudhe kohore ekziston mundësia që të ndodhë një krim tjetër. Mentaliteti i shoqërisë shqiptare, situata psikologjike e dhunuesit, si dhe fakti që viktima në pjesën më të madhe të rasteve është e detyruar të kthehet në banesë, krijon mundësinë potenciale për rikthimin e situatës së dhunës dhe degradimin e saj deri në konsumimin e veprës penale të plagosjes së rëndë ose të vrasjes. Vepër që mund të kryhet nga dhunuesi apo edhe nga viktima në kushtet e vetëmbrojtjes. Nuk duhet të neglizhojmë, edhe një arsye tjetër për të cilën viktima rrezikohet: ajo ka vendosur të thyejë heshtjen dhe të denoncojë një fakt, që për burrin duhet të mbetet brenda mureve të shtëpisë. 


Bazuar në të dhënat e marra nga pyetësorët dhe intervistat e kryera në 6 komisariatet e policisë së Tiranës, në komisariatin e policisë së Beratit dhe në atë të Korçës gjatë auditimit të zhvilluar nga KLSH për efektivitetin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Reduktimi i Dhunës me Bazë Gjinore dhe Dhunës në Familje pjesa më e madhe e specialistëve të policisë që trajtojnë rastet e dhunës gjykojnë dhe kërkojnë që afati kohor për dhënien e urdhrit të mbrojtjes nga gjykata duhet të shkurtohet nga 48 në 24 orë. Ata bazohen në praktikën e tyre të përditshme. Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Reduktimi i Dhunës me Bazë Gjinore dhe Dhunës në Familje 2011-2015 dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të saj janë dokumente gjithëpërfshirëse, por strukturat që ato krijojnë paraqesin probleme në bashkëpunimin ndërmjet tyre. Madje në disa rrethe këto struktura nuk janë krijuar ende realisht duke mbetur thjeshtë projekte në letër. Një tjetër element shumë i rëndësishëm është niveli profesional i personave të angazhuar në strukturat e parandalimit dhe trajtimit të dhunës në familje. Niveli arsimor dhe kualifikimi i punonjësve të institucioneve përgjegjëse janë faktorë të rëndësishëm për mënyrën se si ata do të menaxhojnë një rast të tillë. Niveli i cilësisë së këtij shërbimi varet nga formimi arsimor dhe aftësitë e fituara nga trajnimet që kanë bërë punonjësit. Po nga të dhënat e auditimit të kryer nga KLSH, 80.9 % e personelit të sipërpërmendur nuk kanë kryer trajnime specifike për menaxhimin e një rasti të dhunës në familje. Strategjia Kombëtare rezulton të jetë pjesërisht efektive në terren, në aspektin e ofrimit të mbrojtjes ligjore dhe administrative gjatë 48 orëve të para pas referimit të rastit të dhunës në organet kompetente, sepse:
• Ekziston kuadri ligjor për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, por ai ka nevojë t’i përshtatet më mirë të paktën në afate situatës në praktikë;
• Nuk funksionon mekanizmi, i cili duhet të ofronte mbrojtjen administrative, gjithashtu anëtarët e Mekanizmit Kombëtar të Referimit nuk kanë marrë përsipër plotësisht përgjegjësitë që u ngarkon ligji për të bashkëpunuar me njeri-tjetrin;
• Nuk ka trajnime specifike profesionale dhe teknike të stafit që menaxhon rastin e dhunës;
Megjithë problematikën e mësipërme problem akut paraqet rregullimi ligjor për zgjidhjen e situatës së trajtimit të rasteve të strehimit të viktimës (kur gruaja apo fëmija/personi i dhunuar nuk kanë ku të strehohen) së dhunës në periudhën nga momenti i denoncimit deri në lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. 
Cila do të ishte zgjidhja… Institucionet përgjegjëse, të cilat kanë mundësinë e ndërhyrjes, ndoshta mund të marrin në konsideratë tri mundësi zgjidhjeje;
1. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si institucioni përgjegjës për zbatimin e strategjisë duhet të ndërhyjë dhe të ndryshojë nenin 18, pika 1 të Ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar, për të shkurtuar afatin kohor të 48 orëve të lëshimit të Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes;
2. Drejtoria e Policisë së Shtetit, të ndryshojë Nenin 109, pika 2 të Ligjit 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, duke shtuar “Për rastet kur personat shoqërohen për veprën e dhunës në familje shoqërimi duhet të zgjas deri në shprehjen e gjykatës, në lidhjen me Urdhrin e Menjëhershëm të Mbrojtjes;
3. Në komisariatet e policisë të krijohen hapësira të përshtatshme për qëndrimin e viktimave të dhunës në familje deri në lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes;
Dhuna në familje nuk mposhtet vetëm nga dispozitat në letër qofshin ato më të përparuarat. S’ka ligj që të parandalojë vrasjet që neglizhenca jonë e rrënjosur në mentalitetin qindravjeçar paralajmëron. Duhet të ndalemi dhe të mendojmë vetëm për një çast për traumën që fëmijët e këtyre familjeve pësojnë, për ndikimin që dhuna ka tek ata, për atë se çfarë ata mund të bëhen nesër. Duhet të ndalemi e të mendojmë se dhuna është shkatërruese, infektuese, e aftë të përhapet si një sëmundje e keqe, ndaj të cilës askush nga ne nuk ka imunitet. Mbase kështu mund të shpëtojmë…. një nënë më shumë. 

Sigal

*Drejtor i Auditimit të Brendshëm