Prof. Dr. Agron F. Fico/ Qytetërimi i lashtë kinez, thesar i njerëzimit

Në korrik 1963 do të vinte në Pekin, kryeqyteti i Kinës, Drago Siliqi, shkrimtari dhe drejtori i së vetmes shtëpi botuese në Shqipërinë totalitariste, me emrin “Naim Frashëri”. Në atë muaj ishte për vizitë në Pekin edhe kritiku i njohur Razi Brahimi. Atëherë banoja në Pekin dhe punoja profesor i shqipes në Katedrën e Shqipes që kisha hapur aty para 2 vjetësh. Ardhja e Razi Brahimit në qershor 1963 dhe pas 2-3 javësh edhe e Drago Siliqit më gëzuan. Takohesha shpesh me ta. Madje vendosëm që natën e fundit, para largimit nga Pekini, ta kalonim bashkë. Dragua dhe Raziu erdhën në banesën time dhe qëndruam në tarracën e hotelin “Miqësia”. Ishte një natë e paharruar. Qëndruam gjatë, sepse familja ime kishte shkuar për pushime dhe mua më duhej të rrija edhe disa javë që të dorëzoja materialin mësimor për studentët. Kam shkruar për këto takime tek eseja “Nata e fundit me Drago Siliqin” (“Drita”, korrik 1963) dhe më gjerë tek libri “Profesor në tre kontinente”, Drago Siliqi njihej në Shqipëri si shkrimtar me ide liberale dhe njeri i kulturuar dhe në krye të shtëpisë botuese kishte mbledhur përkthyes të talentuar si Kokona, Fico, Caci, Zheji, Kuteli etj. Në Kinë kishte ardhur për të biseduar me shtëpinë kryesore botuese të Kinës lidhur me botimet e mundshme që do të bëheshim midis dy vendeve. Në njërën nga këto takime u ndodha dhe unë. Dragua shprehu dëshirën për përkthime dhe botime nga letërsia klasike kineze, si letërsi me interes për lexuesin shqiptar. Nga letërsia shqiptare do të botoheshin vepra nga rilindësit tanë të mëdhenj si Naim Frashëri, Çajupi, Fan Noli etj. etj. Drago Siliqi, siç kam shkruar, humbi jetën në Irkuck të Rusisë, në aktin terrorist sovjetik të avionit që udhëtonte në linjën Pekin-Moskë. (Agron Fico: “Një e pavërtetë e politizuar”, “Telegraf”, 11 korrik 2014, f. 19). Bashkë me humbjen e Dragos, por edhe ngjarjet që ndodhën më vonë e që çuan në ftohjen dhe prishjen e marrëdhënieve me Kinën, mbeti pa u realizuar dhe ëndrra dhe dëshira e Siliqit për botimet e letërsisë kineze në Shqipëri dhe anasjelltas. Zhvillimet e vrullshme politike-shoqërore në Shqipëri e mbi të gjitha vendosja e rendit të ri pluralist demokratik, si dhe transformimet e Kinës në një vend të fuqishëm ekonomik e teknologjik krijuan kushte për marrëdhënie të reja midis Shqipërisë dhe Kinës. Politika europiane e Kryeministrit Rama solli edhe afrime të reja me Kinën në aspektin ekonomik e kulturor. Ministrja e Kulturës Kumbaro, në mbrëmjen për përurimin e librit “Urtësia shekullore dhe qeverisja” të presidentit Xi Jinping shpalli një projekt të gjerë për marrëdhëniet kulturore me Kinën e veçanërisht në fushën e përkthimeve dhe botimeve të letërsisë nga të dy vendet. Në fjalën e saj ambasadorja e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë e Kinës në Tiranë, znj. Jiang Yu, përshëndeti mbledhjen përuruese dhe shprehu gatishmërinë kineze për të nënshkruar pranverën e 2016 marrëveshjen kulturore midis dy vendeve.
“Ëndrra kineze”
Libri “Urtësia shekullore dhe Qeverisja”, citimi i veprave klasike kineze nga presidenti Xi Jinping, është një thesar mençurie dhe urtësie nga trashëgimia e pasur klasike kineze për qeverisjen. President i sotëm i Kinës, Xi Jinping, e përdor këtë thesar mençurie në fjalimet dhe takimet e shumta e të përditshme duke u shfaqur kështu si një udhëheqës-mendimtar, filozof. Libri nuk është vetëm një arkiv i zgjedhur i diturisë shekullore kineze, por edhe një udhërrëfyes i sotëm për një qeverisje sa më demokratike dhe në shërbim të popullit. Arsyeja është se libri është edhe një ditar i madh i përvojës vetiakje të z. Jinping në procesin e ngritjes në nivelin udhëheqës duke u nisur nga pozitat më të thjeshta. Pra libri ka përvojën vetjake, mendjen e mprehtë e krijuese të z. Jinping dhe urtësinë shekullore kineze. Nuk mundet që në një artikull gazete të përfshihen gjithë tematika, idetë dhe konceptet e derdhura në këtë libër, prandaj po trajtoj një nga këto tema të librit, atë të “Ëndrrës kineze”. “Ëndrra kineze” në vizionin e z. Jinping është diçka madhështore dhe frymëzuese. Ja sa bukur e përshkruan presidenti i Kinës moderne këtë vizion: “Ëndrra kineze” është dëshira e çdo kinezi për një jetë sa më të mirë, janë malet me pyje dhe ujë të kthjellët, është harmonia kombëtare dhe ajo e natyrës me njeriun, është paqja në botë. Kjo është ëndrra dhe mendimi unanim i të gjithë popullit kinez, është edhe e drejta e gjithë kinezëve”. (“Urtësia shekullore dhe qeverisja” – Citimi i veprave klasike kineze nga presidenti Xi Jinping, Onufri, Tiranë, 2015, f. 68). Autori Jinping shpreh besimin se rinia do të “eci me guxim në krye të kohës si luftëtare, pioniere dhe kontribuese, do të përpiqet të bëhet shtylla të zhvillimit…do t’ia kushtojë forcat dhe mençurisë realizimit të “Ëndrrës kineze”. (f. 67). “Ëndrra kineze”, thekson autori, është shprehje e figurshme, është një emërues i përbashkët… “Ëndrra kineze” nuk është shprehje e fryrë që bie ndesh me interesat vetjake, si në të kaluarën kur kërkohej përkushtim ose sakrifikim i individit, por është një ndërthurje e pasur e çdo ëndrre të vogël dhe konkrete.” (f. 69). Gjithë libri i presidentit Xinping përshkohet nga dashuria, nderimi, kujdesi, interesat dhe hallet e popullit kinez. Ky është kyçi, qëllimi më i lartë i vizionit të tij për realizimin e “Ëndrrës kineze” kur thotë aq bukur e fuqishëm se: “Standardi i moralit të një pushteti është jeta e mirë e popullit. Ndërsa sot, për të realizuar ‘Ëndrrën kineze’, jo vetëm duhet të përqendrohemi në politikat që e vënë popullin në qendër dhe në zbatimin shkencor të këtyre politikave, por edhe duhet të mbështetet te morali për të fituar mendjet dhe zemrat e popullit me forcën e moralit”, (f. 81).
Tradita e reformave dhe “modernizimi i pestë”
Një temë tjetër e madhe dhe me rëndësi strategjike është ajo e reformave. Në libër përmendet fakti se në historinë kineze ekziston tradita e reformës, se “që nga dinastia Qing deri në fund të dinastisë Qing, reformat ndodhën ose nga faktorë të brendshëm, ose nga faktorët e jashtëm. Mbi 100 reforma kanë ushtruar ndikim në historinë kineze, duke sjellë lulëzim ose shkatërrim. Sistemet shoqërore, tiparet kulturore dhe mënyrat e jetesës, të gjitha kanë qenë në proces ndryshimi nga reformat”, (f. 95). Reforma e fundit në historinë e Kinës që ka pasur sukses është Reforma dhe Hapja e udhëhequr nga Ten Hsiao Pini, e filluar në vitin 1978. Udhëheqësi i sotëm i Kinës moderne po sjell një kontribut filozofik edhe në çështjen e konceptit për sistemet shoqërore. Ai thekson se për ta shndërruar Kinën vërtet në një vend modern dhe të qytetëruar, përveç begatisë materiale, duhet të zgjidhet edhe çështja e modelit të sistemit, krijimi i sistemit të vlerave etj. Xi Jinpingu shpalli “modernizimin e pestë”, duke theksuar “qeverisjen e vendit” dhe jo “sundimin e vendit”, “qeverisjen e shoqërisë” dhe jo “sundimin e shoqërisë”. Ky nuk është thjesht ndryshim termash, por ndryshim i rëndësishëm i koncepteve dhe të menduarit…”. Modernizimi i pestë” nuk është i njëjtë me “katër modernizimet”, por ngrihet mbi bazën e tyre. (f. 146). Xi Jinping – thotë se duhet të “këmbëngulet me vendosmëri në zhvillimin e socializmit me karakteristika kineze, në krahasim me udhëheqësit e 30 vjetëve më parë, faktorët politikë, të tregut, të filozofisë së biznesit etj. që ai duhet të marrë parasysh, janë më të ndërlikuar. (f. 159).
Anti-korrupsioni: Të pastrohet turbullira dhe të qeveriset sipas ligjit
Problemeve të ndërlikuara të luftës kundër korrupsionit në shoqërinë kineze, në libër i kushtohet një kapitull i tërë me titull – “Për antikorrupsionin: Të pastrohet turbullira dhe të qeveriset sipas ligjit”. Në librin “Urtësia shekullore dhe qeverisja” shkruhet se kur Xi Jinping mori postin, gjendja e korrupsionit ishte aq serioze, sa që e detyroi qeverinë të shqyrtojë nivelin e rregullimit të saj në sipërfaqe dhe në thelb, por kjo nuk e ndryshoi vendosmërinë e z. Xi për të goditur si “tigrat” (zyrtarët e lartë), ashtu dhe “mizat” (zyrtarët e rangjeve të ulëta), f. 163. Kyçi i zgjidhjes së problemit të korrupsionit është forcimi i legjislacionit kundër korrupsionit dhe zbatimi me rreptësi i ligjit. Me interes është edhe kërkesa që “me përmirësimin rrënjësor të sistemit të anti-korrupsionit, duke përfshirë edhe publikimin e pasurive të zyrtarëve, pushteti do të ushtrohet “nën dritën e diellit”. (f. 196). Fati i ligjit varet nga vetë zyrtari, i cili duhet të kuptojë se besnikëria nuk është mirësi, por respektim i drejtësisë dhe ligjit. Po përvoja historike dëshmon se gjëja më e vështirë në botë nuk është hartimi i ligjit, por zbatimi. Që gjithkush t’i ketë ligjet e rregullat në mendje e të ndërgjegjësohet për to, duhet të kultivohet fryma e zbatimi të ligjit. Shpërfillja dhe moszbatimi i ligjit dhe korrupsioni bashkëveprojnë me njëri-tjetrin. “Korrupsioni, thekson zoti Xi, si në Kinë, apo në vende të tjera të botës, fillon gjithmonë nga zvetënimi moral i zyrtarëve. Nëse do që të dish të ardhmen e një vendi, mjafton të shohësh nivelin e qeverisësve të tij”, (f. 263). “Koncepti i tanishëm për vlerat morale, i shoqërisë kineze, është i pandarë nga normat morale të krijuara gjatë 5000 vjetëve; nga konceptet e mençurisë, mirësisë e guximit të Konfucit…”, (f. 344). Libri i z. Jinping “Urtësia shekullore dhe qeverisja” ka shtatë pjesë dhe lënda shtrihet në 140 ese përvoje intelektuale tradicionale shekullore dhe përvoje pune të vetë autorit. Mendimet shprehen me një thjeshtësi të habitshme edhe pse kanë peshën e mendimtarit, filozofit. Libri “Urtësia shekullore dhe qeverisja” është një enciklopedi e përmbledhur e përvojës dhe traditës kineze në qeverisjen e vendit. Kjo përvojë është pasuruar në një hark kohor të pamasë dhe pas fitores historike të 1 tetorit 1949 ajo mori një zhvillim të mëtejshëm. Në libër trajtohen shumë e shumë tema e nën-tema, që nga zgjedhja e talenteve të zyrtarëve, tek sjelljet e tyre morale. Në qendër të gjithë filozofisë së z. Xi është populli në të gjitha anët komplekse të tij d.m.th. dashuria për popullin, kujdesi për jetën e tij, për respektim të të drejtave të tij dhe për dëgjimin e vazhdueshëm të mendimeve të popullit. Libri i kalon kufijtë e një libri të zakonshëm, ai është një traktat i mirëfilltë filozofik për një qeverisje të mirë dhe të suksesshme për popullin e madh kinez. Z. Jinping gëzon nderim ndërkombëtar, ai është zgjidhur nga revista autoritare amerikane “Times” si personalitet i shquar i vitit dhe në Europë njihet si politikan i tipit të Çurçillit. Kryesore është fakti se presidenti Jinping gëzon dashurinë dhe nderim e pamasë të vetë popullit kinez, i cili e ka zgjedhur për ta udhëhequr Kinën popullore në zhvillimin e mëtejshëm të reformave modernizuese dhe drejt një jete cilësore e më të begatë, për të realizuar atë që z. Xi me të drejtë, e quan “Ëndrra kineze”. “Ëndrra kineze është një ëndërr që i kushtohet botës, – deklaroi z. Jinping në Paris në 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Francës. Siç thuhet në gjuhën kineze: “Dijetarët mund të kultivojnë moralin në rrethana të vështira, mund të ndihmojnë botën në kushte të mira. Ky ka qenë gjithmonë virtyti dhe koncepti i kombit kinez”, (f. 453). Është një kënaqësi njerëzore dhe intelektuale për mua të nderoj edhe punën e shkëlqyer të përkthyesve kinezë, të cilët janë ish-studentë të atij brezi që mësuan gjuhën shqipe në Katedrën e Shqipes, të cilën pata fatin e bardhë të themeloj e të jem profesori i parë i saj.
NOA