Megaskandali, grisen regjistrat hipotekorë të bregdetit

870
E shumëpërfolura, çështja “Kakome” rishfaqet përsëri në media. Këtë radhë qytetarët e dëmtuar nga kjo çështje, kanë zgjedhur gazetën “Telegraf” për të shprehur shqetësimet e tyre. Shkak u bë denoncimi i qytetarit Jani Nika, banor i fshatit Nivicë, të ish – komunës Lukovë ku denoncon për herë të parë skandalin që ka ndodhur me regjistrat e hipotekës së Sarandës, çka vërtetohet edhe me një shënim të titullarëve të tanishëm të këtij institucioni. Çfarë ka ndodhur? Qytetari Jani Nika, duke treguar dokumentacionin përkatës, thotë se prona e tij është e regjistruar në hipotekën e Sarandës me dokument të sigluar në librin nr.5, faqe 76, viti 1996, datë 1/10/1996 me numër indeksi të hipotekës 1116, dokument që mban firmën e punonjësit Robert Haxhi dhe vulën e institucionit. Ky dokument origjinal disponohet nga denoncuesi Jani Nika. Por sot kur qytetari Jani Nika aplikon për marrjen e certifikatës, përgjigjja zyrtare nga hipoteka vjen se është grisur fleta e regjistrit që ka të dokumentuar këtë pronë. Kush e grisi fletën e regjistrit dhe pse? Dihet që as shteti monist nuk vuri dorë mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme. Atëherë pse ka ndodhur ky krim shtetëror dhe kush e ka kryer? Rast që ka edhe të tjera nëse ministri Manjani e merr për kujtesë të inspektojë regjistrat hipotekore për masakrën e kryer. Dhe ministri duhet ta bëjë. 
Historia e pronarëve të Kakomesë
Po të vijmë tek investigimi se pse ka ndodhur kjo ngjarje shumë e rëndë kriminale? Janë 20.5 ha në gjirin e Kakomesë, të ndara sipas ligjit 7501 për të gjithë banorët e fshatit Nivicë dhe megjithëse ka një vendim gjyqësor dhe një vendim ekzekutimi të këtij vendimi, ende vijojnë sorollatjet. Për të mos u marrë shumë me komente tona, po përcjellim tekstet e këtyre dokumenteve zyrtare: “Gjykata e rrethit gjyqësor Sarandë, nr. 1559/38 dhe nr. 335 vendimi”. Vendim në emër të Republikës. Gjykata e shkallës së parë Sarandë me kryesuese gjyqtare Nevrie Duka, antarë Ketra Bajrami dhe Enkeleda Doda. Në këtë vendim midis palës paditëse të banorëve të Nivicës kundrejt Komunës Lukovë dhe Qarkut të Vlorës, thuhet: “Gjykata pasi shqyrtoi aktet e administruara, dëgjoi përfaqësuesit e paditësve që kërkoi pranimin e padisë sipas objektit, pasi analizoi çështjen në tërësi,Vërne. Paditësit janë të gjithë banorë të fshatit Nivicë të Komunës Lukovë të Rrethit Sarandë dhe me kërkesë padinë e tyre kërkojnë që të detyrojnë të paditurit që t’i pajisin me aktet e marrjes në dorëzim të tokës në pronësi në zbatim të ligjit për tokën nr. 7501, dt 19/07/1991. Po për shkak se problemi i ndarjes së tokës ka mbetur në mes, pa përfunduar, (për arsye të ndryshme), fshatarët e trajtuar me tokë nuk janë pajisur me dokumentacionin përkatës sipas kërkesave të ligjit. Paditësit, pasi kanë ezauruar më parë ankimin administrativ (si në Komunë dhe në Këshillin e qarkut Vlorë dhe ministritë përkatëse), i janë drejtuar gjykatës me këtë padi, me qëllim realizimin e një të drejte ligjore të pretenduar. 

Kështu rezultoi, që për fshatin Nivicë është realizuar një ndarje faktike e tokës bujqësore, fakt i provuar nga shkresa me nr. 104, prot. dt.30/01/2008 të Komunës Lukovë, sipas së cilës “…në këtë proces për 2/3 e 460 hektarë është realizuar një lloj ndarjeje në terren, por nuk janë plotësuar formularët përkatës, me përjashtim të 20.5 hektarëve tokë e ndodhur në fushën e Kakomesë, për të cilën është plotësuar edhe formulari nr. 6”, që do të thotë që edhe etapa e parë e këtij procesi, për këtë ndarje pjesore të tokës, është realizuar dhe fshatarët që kanë përfituar nga kjo ndarje, kanë marrë në dorëzim tokën e ndarë sipas formularit nr. 6 e cila shoqërohet (sipas ligjit për tokën) edhe me aktin e marrjes së tokës në përdorim. Ky fakt u provua në seancë, jo vetëm nga shkresa e Komunës Lukovë e sipërcituar, por edhe nga administrimi me cilësinë e provës shkresore të dy formularëve Nr 6 të shtetasve S. Vjerri e Sofo S. Llambri, në përbërjen familjare të të cilëve (sipas certifikatave familjare respektive)… Rezultoi se kjo praktikë e ndarjes së kësaj pjese të tokës është regjistruar edhe në zyrën e ish kadastrës Sarandë (sot Z.A.M.T.), si dhe shënimi i bërë thotë që të detyrojë të paditurën, Këshillin e Qarkut Vlorë, të shprehet me një akt administrativ për të pranuar, ose jo, kërkesat e paditësve. Në këtë këndvështrim, gjykata çmon, se duke qenë se afati ligjor i funksionimit të komisioneve të tokës në fshat dhe komunë ka përfunduar, Komisioni i Tokës i krijuar në gjashtëmujorin e dytë të 2001 pranë Këshillit të qarkut Vlorë, duhet të zbatojë kompetencat e tij të ngarkuara me ligj, duke shqyrtuar kërkesën e paditësve lidhur me sa pretendojnë, pasi për një periudhë të gjatë kohe nuk i kanë ushtruar të drejtat e ngarkuara me ligj, duke u mohuar atyre një të drejtë të njohur me ligj. Në këto kushte Gjykata konkludoi se padia e paditësit është e bazuar në ligj dhe në prova e si e tillë ajo duhet pranuar pjesërisht, për sa i përket 

detyrimit të nxjerrjes së aktit(po jo se çfarë lloj akti), duke detyruar Këshillin e Qarkut Vlorë të shprehet në lidhje me pretendimin e paditësve, ndërkohë që për sa u përket palëve të tjera të paditura për shkak të legjitimitetit pasiv, pasi ka përfunduar afati ligjor për t’u shprehur për këtë çështje, konkludon se duhet rrëzuar. Për të gjitha sa më sipër u vërtetua nga thëniet e përfaqësuesit të paditësit, provat shkresore të administruara në dosjen gjyqësore si dhe vendimit unifikues nr. 686, dt 11/05/2000 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, sipas së cilës”… gjykata ndër të tjera vendos detyrimin e organit administrativ të nxjerrë akte administrative në përputhje me kërkesat e ligjit… gjykatës i lind e drejta ta detyrojë me vendim cilindo organ, jo vetëm të ushtrojë detyrën, por ta ushtrojë atë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet duke garantuar të drejtën e individit për një gjykim të drejtë dhe në një afat të arsyeshëm…”. 

Për këtë arsye, Gjykata në bazë të nenit 126 e 306 të K.Pr .Civile, vendosi pranimin pjesërisht të kërkesë padisë. Detyrimin e të paditurit, Këshilli i Qarkut Vlorë, të nxjerrë një akt administrativ, lidhur me këtë kërkesë të paditësve…, për tu trajtuar sipas ligjit 7501 “Për Tokën”. Rrëzimin e padisë për sa u përket të paditurve Komuna Lukovë dhe ZAMT Sarandë. Gjyqtare Nevrie Duka, datë 08/04/2008. Ankimimi në Gjykatën e Lartë, por odiseja e interesave të pushtetarëve ka vijuar duke ankimuar në gjykatën e Apelit Gjirokastër, e cila e ka prishur vendimin e gjykatës së Faktit Sarandë. Po çka ndodhur pas ankimimit në Gjykatën e Lartë? Ja vendimi. Vendim, Urdhër Ekzekutimi”. Gjykata e Rrehtit Gjyqësor Sarandë e përbërë prej gjyqtare Nevrie Duka dhe në asistentë të sekretare Edlira Haxhi, me nr. vendimi 23, 2014-835, dt.13/05/2014 vëren se vendimi është ankimuar në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, e cila me vendimin nr. 243920-2008-299, datë 24/06/2008 ka vendosur prishjen e vendimit nr. 335, datë 08/04/2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe pushimin e gjykimit të çështjes. Ndaj vendimit është bërë rekurs edhe Gjykata e Lartë me vendimin nr. 1661(336), datë 30/05/2013 ka vendosur prishjen e vendimit nr. 2243, datë 24/06/2003 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim me tjetër trup gjykues. Mbas kthimit nga Gjykata e Lartë, çështja u gjykua në gjykatën e Apelit Gjirokastër e cila me vendimin nr. 592, datë 26/11/2013, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit civil nr. 335, datë 08/04/2008 të gjykatës së rrethit gjyqësor Sarandë. Në këto kushte, gjykata duke parë se akti i mësipërm plotëson kushtet ligjore për t’u ekzekutuar, në bazë të nenit 511 të K. Pr. Civil, urdhëron lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për vendimin civil Nr 335, datë 08/04/2008 të Gjykatës së Rrethit Sarandë. Ky urdhër ekzekutimi u lëshua në Sarandë më 13/05/2014, duke u bërë shënim në titullin ekzekutiv (në dosjen gjyqësore). Gjyqtare Nevrie Duka (firma dhe vula së bashku me sekretaren). Pra është e qartë se pse vijojnë të sorollaten banorët e Nivicës edhe pas vendimeve të gjykatave dhe odiseve gjyqësore. Politika çirret kundër drejtësisë, po ajo vete nuk zbaton vendimet e drejtësisë. Deri sa edhe faqet e regjistrit hipotekor ku figurojnë pronat, janë grisur. Kush i grisi dhe pse? Ministri Manjani duhet të ndalet tek ky megaskandal.
Sigal