Boçi: Rama e çoi Shullazin te profesor Koni

448
Gara për zgjedhjen e drejtuesve të Universiteteve publike ka qenë sot kryefjala e hapjes së punimeve në Kuvend. Gjatë fjalë së tij, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiono Boçi deklaroi se këto zgjedhje u shkelën dhe tronditën nga politika e veshur me krimin. Teksa iu rikthye kërcënimeve që Emiljano Shullazi i bëri akademikut Mynyr Koni që të hiqte dorë nga gara për rektor i UT-së, Boçi theksoi se Republika e krimit kërcënoi botën akademike. “Gara në universitetet është mbyllur ndaj dhe urimi është i natyrshëm. Përgëzoj dhe ata që patën kurajo për të marrë pjesë në garë. Këto zgjedhje u shkelën, u tronditën nga politika e veshur me krim. 
Dhe nga krimi që kërkoi të vishte tunikën e fundit pa veshur në gardërobën e tij, atë të botës akademike. U kërcënua nga republika e rrugës dhe iu imponua me zor parimet e republikës së rrugës. Shumë kolegë këtu në këtë sallë që e kanë shprehur këtë gjë, do ta konsideroja shumë naive një deklaratë timen sot, që të thoja e Rama e çoi Shullazin tek Koni apo Nikolla, por deklarata është e përafërt.”, tha Boçi. Ndër të tjera, Boçi e krahasoi këtë situatë me personazhet e Tolstoit, duke shtuar se: “Tolstoi i ka letrar personazhet e tij, ndërsa kryeministri Rama i krijo personazhet e tij reale, për të arritur vlerat e tij njerëzore. Gjithsecili prej nesh në këtë sallë dhe jashtë kësaj salle, ky personazh real është krijuar nga ky kryeministër i cili e bëri atë që të kapërcejë portën e rëndë të këtij universitetit”.
Sigal