Artistët dhe Elisat e Kuvendit të Idiotësirave

449
Nga Jeta Dedja
Sigal

Kur dëgjova sot Elisën e Kuvendit të Idiotësirave, që i cilësoi artistët trushplarë, e kalova disa herë nëpër mend idenë e një shkrimi për të. Por nuk isha e bindur. Kisha një luftë të brendshme duke u përplasur midis qasjeve feministe, biologjike, psikodinamike, kulturale, situative, historike.

Si argumente kundër idesë së shkrimit rendita supozimet:

  1. Elisa mund të vuajë nga probleme të shëndetit mendor. Kush e di ndonjë skizofreni, histeri, anoreksi a bulimi.
  2. Elisa mund të jetë nën efektin e ndonjë droge psikoaktive që i ka ndikuar gjykimin.
  3. Elisa mund të jetë një viktimë ose e mbijetuar e një abuzimi psikologjik dhe sillet kështu kundër vullnetit të saj.
  4. Elisa mund të ketë ndonjë traumë të patrajtuar,
  5. Elisa mund të jetë injorante, e palexuar që e mban Don Kishotin për figurë romantike të letërsisë shqiptare.
  6. Elisa mund të jetë një trushkulur, e cila ka nevojë për ndihmë të gjejë trurin e saj, humbur nëpër rrugët e Argjentinës.
  7. Por Elisa nëse nuk ka humbur trurin mund të jetë një trushplarë, që ia kanë mbushur mendjen se jeton në kohën e Skënderbeut.

Më pas u ula të rendisja argumentet, pse jo dhe nxitjet emocionale pro shkrimit.

Të shkruash për Elisën e Kuvendit të Idiotësirave nuk fyen asnjë grua.

Se kjo Elisa nuk përfaqëson gjininë e deklaruar, as kombësinë që ka në çertifikatë, as statusin e saj civil.

Kështu që të shkruash për Elisën e Kuvendit të Idiotësirave do të thotë të shkruash për fenomenin ELISA që fare mirë mund të quhet edhe ERION.

Për kategorinë e paemër dhe pa gjini të zyrave të partive që nuk u thonë kurrë JO detyrave që u caktohen rrugës për t’iu avitur Njëshit.

Për ambiciozët dhe mashtruesit që marrin flakë e hidhen në zjarr të marrin kockën e tundur para hundës.

Për të rrahurit e kokëulurit që harrojnë në çast gabimet e janë gati t’i bëjnë sërish.

Për ata që ngrenë dorën të parët të mbajnë lart flamurin e poshtërsisë.

Për gojëtarët e pafre që nuk reshtin së mbjelli neveri, as shëmti.

Të shkruash për fenomenin Elisa apo Erion do të thotë të shkruash për ushtarin e bindur të së keqes. Atë që mbart dhe shpatën dhe helmin, dhe thikën gati ta përdorë ndaj shokut që i zë rrugën.

Elisat nuk njohin të bukurën, as dijen, as të vërtetat.

Elisat dhe Erionët jetojnë në botën e llumit e allishverisheve dhe në këtë botë mësohet si të shtosh farën e keqe.

Për Elisat nuk mjafton kaq pak, por ndërkohë dhe nuk vlen të shkruash më shumë.

Se Elisat vijnë nga MJAFT, bëjnē 99 të zeza por një ditë do ikin, ndonjëherë me çanta plot e ndonjëherë me lecka grisur, ndërsa artistët mbeten përgjithmonë.

Për artistët ia vlen të marrësh dhe pushkën dhe penën.

Se artistët ngrenë peshë zemrat dhe ata mund të bëjnë për të qeshur e qarë edhe mbretër.

Ata mund të bashkojnë popujt dhe të përqafohen me armikun. Artistët kanë mbyllur plagë e kanë shëruar dhimbje.

Për artistët ia vlen të dalësh në shesh e të mbrosh Teatrin, sepse kështu del në mbrojtje të jetës.

Sepse arti është buka dhe uji për shpirtin.

Pa më thuaj, a ka vlerë një trup pa shpirt?

Nëse nuk del për artistët, dil për veten, për historinë tënde, për kujtimet e tua.

A do t’i jepje leje dikujt të të fshinte kujtimet?

Edhe nëse do mbartje dhimbje, ato janë të tuat, është jeta jote.

A falet jeta në këmbim të një kulle apo parkimi?

Ti e di dhe e ndjen që jo.

Se Ti je TEATRI, je shpirti, je vlera, je trashëgimia.

Ti je POPULLI dhe ke në dorë fatin e një ndërtese që frymon kulturë, kujtime, dashuri.

Lufto për jetën, për lirinë, historinë!

MBRO TEATRIN!