Në dekadat e fundit, BE-ja është shndërruar në një model integrimi rajonal. Zgjerimet drejt Lindjes pas rënies së Murit të Berlinit treguan se projekti nuk ishte vetëm për Perëndimin, por një ofertë për stabilitet dhe zhvillim për të gjithë kontinentin. Politikat e përbashkëta në tregti, mjedis dhe të drejtat e njeriut kanë ndërtuar një “fuqi normative” që ndikon përtej kufijve të saj.

Më 9 maj 1950, në një sallë jo fort të madhe në Paris, ministri i jashtëm francez Robert Schuman, me tonin e tij të qetë, lexoi një tekst që do të ndryshonte rrjedhën e historisë evropiane. Ajo që sot njihet si Deklarata e Schuman-it nuk ishte thjesht një nismë teknike për qymyrin dhe çelikun; ishte akt i një vizioni politik. “Evropa nuk do të bëhet menjëherë… por përmes arritjeve konkrete që krijojnë solidaritet faktik,” thuhej në thelb të saj. Një fjali që sot tingëllon si një premtim ende në provë.
Nga armiqësia në bashkëjetesë: arritja më e madhe
Nëse do të duhej të gjykohej projekti i Schuman-it vetëm mbi një kriter, ai do të ishte paqja. Evropa e pasluftës, e cila për dekada ishte përgjakur dhe copëtuar nga konfliktet midis fuqive të saj, arriti të ndërtojë një rend ku lufta mes shteteve anëtare është bërë e paimagjinueshme. Që nga Lufta e Dytë Botërore, kontinenti ka përjetuar periudhën më të gjatë të stabilitetit në historinë moderne.
Nga bashkimi i industrive të rënda lindi një bashkësi politike dhe ekonomike që sot njihet si Bashkimi Evropian. Tregu i përbashkët, lëvizja e lirë, standardet e përbashkëta, janë shndërruar në realitet të përditshëm për qytetarët. Kufijtë, dikur barriera, janë bërë gjithnjë e më shumë shenja administrative ose shenja në hartë.
Ky është ndoshta realizimi më i dukshëm i idesë së Schuman-it për “solidaritetin faktik”.
Evropa si model: një histori suksesi me nuanca
Në dekadat e fundit, BE-ja është shndërruar në një model integrimi rajonal. Zgjerimet drejt Lindjes pas rënies së Murit të Berlinit treguan se projekti nuk ishte vetëm për Perëndimin, por një ofertë për stabilitet dhe zhvillim për të gjithë kontinentin.
Politikat e përbashkëta në tregti, mjedis dhe të drejtat e njeriut kanë ndërtuar një “fuqi normative” që ndikon përtej kufijve të saj. Në një botë gjithnjë e më të fragmentuar, Evropa vazhdon të shihet si një bastion i multilateralizmit që vazhdon të projektojë një rend të bazuar mbi rregulla dhe bashkëpunim.
Më 9 maj, ndërsa kujtojmë deklaratën e vitit 1950, Evropa nuk duket as si një sukses i plotë, as si një dështim. Ajo është, më shumë se çdo gjë tjetër, një punë në vazhdim, një ide që ende kërkon të bëhet realitet i plotë.Nëse Schuman do ta shihte sot, ndoshta do të njihte shumë nga ajo që ëndërroi. Por do të kuptonte gjithashtu se rruga drejt një Evrope të bashkuar nuk përfundon kurrë.

Plasaritjet: kur solidariteti vihet në provë në një botë më të ashpër.
Kur Robert Schuman fliste për “solidaritet faktik”, ai nënkuptonte një zinxhir interesash të ndërvarura që e bën konfliktin jo vetëm të padëshirueshëm, por edhe të pamundur. Por ky solidaritet është testuar në mënyrë të përsëritur nga kriza që vijnë nga brenda dhe nga jashtë; nga realitete politike: interesat kombëtare shpesh mbizotërojnë mbi vizionin kolektiv.
Krizat e dekadës së fundit kanë nxjerrë në pah tensione të brendshme dhe kufij të solidaritetit evropian.
Kriza financiare e vitit 2008 thelloi ndarjet ekonomike, kriza e emigracionit vuri në provë kohezionin politik dhe testoi kufijtë e solidaritetit, ndërsa Brexit tregoi se integrimi nuk është i pakthyeshëm.
Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë qenë historikisht shtylla e sigurisë evropiane, por edhe burim tensioni strategjik. Nga njëra anë, ombrella e NATO ka garantuar paqen në kontinent për dekada. Nga ana tjetër, ajo ka krijuar një varësi që shpesh e kufizon autonominë strategjike të Europës. Debatet për “autonominë strategjike” të BE-së nuk janë të reja, por janë intensifikuar sa herë që Uashingtoni ka ndjekur politika që nuk përputhen me interesat evropiane, qoftë në tregti, në energji apo në siguri.
Administratat amerikane kanë ndryshuar tonin dhe qasjen, por dilema mbetet: a është Evropa një partner i barabartë apo një aleat i varur? Në periudhën e sotme të tensionit transatlantik, me presidencën e dytë të Donald Trump, duket se po vihet në pikëpyetje vetë garancia e mbrojtjes kolektive. Kjo e detyron Europën të reflektojë mbi aftësinë e saj për të vepruar në mënyrë, deri diku, të pavarur, një reflektim që rezonon me idenë e Schuman-it për ndërtimin e fuqisë përmes strukturave të përbashkëta.
Megjithatë, krizat nuk kanë qenë vetëm transatlantike. Ato kanë qenë edhe brenda vetë BE-së. Kriza e borxhit sovran, ndarjet mbi politikat migratore dhe rritja e populizmit kanë treguar se solidariteti nuk është një gjendje e përhershme, por një proces që duhet rikrijuar vazhdimisht.
Këto plasaritje nuk e kanë shkatërruar projektin evropian, por e kanë bërë më të vetëdijshëm për kufijtë e tij. Në një farë mënyre, ato kanë treguar se vizioni i Schuman-it nuk është një garanci, por një angazhim i përditshëm politik.
Sfida e shekullit XXI: Ukraina, uniteti dhe kthimi i historisë
Pushtimi i Ukrainës nga Russia në shkurt të vitit 2022, përbën një nga provat më të mëdha për projektin evropian. Ky akt nuk ishte vetëm një agresion territorial; ishte një sfidë direkte ndaj rendit evropian që kishte lindur pas Luftës së Dytë Botërore.
Për herë të parë pas dekadash, lufta konvencionale u rikthye në kontinent. Dhe me të, u rikthyen edhe pyetje që Evropa mendonte se i kishte lënë pas: siguria, sovraniteti dhe kufijtë.
Reagimi i BE-së ishte, në shumë aspekte, i paprecedentë. Sanksionet ekonomike kundër Rusisë, ndihma ushtarake dhe financiare për Ukrainën, si dhe një koordinim i ngushtë me SHBA-në treguan një nivel uniteti befasues. Në këtë kuptim, kriza ukrainase u bë një moment i “solidaritetit faktik” në kuptimin më të drejtpërdrejtë të Schuman-it.
Por ky unitet nuk ishte pa tensione. Varësia energjetike nga Rusia, veçanërisht për vende si Gjermania, ekspozoi dobësi strukturore. Ndërkohë, kostot ekonomike të sanksioneve dhe mbështetjes për Ukrainën krijuan presione të brendshme politike në shumë shtete anëtare.
Në këto momente, marrëdhënia me SHBA-në mori një dimension të ri. Uashingtoni u shfaq si lider i përgjigjes perëndimore, ndërsa Evropa shpesh u perceptua si ndjekëse, jo si iniciatore. Kjo e rihapi debatin mbi rolin global të BE-së: a mund të jetë ajo një aktor gjeopolitik i pavarur, apo mbetet e lidhur ngushtë me strategjinë amerikane?
Megjithatë, lufta në Ukrainë prodhoi edhe një efekt të kundërt: ajo përshpejtoi integrimin në fusha që më parë konsideroheshin të ndjeshme, si mbrojtja, siguria dhe energjia. Diversifikimi i burimeve energjetike, rritja e shpenzimeve ushtarake dhe sigurisë kibernetike si dhe diskutimet për një politikë të përbashkët mbrojtjeje janë tregues se kriza po funksionon si katalizator.
Në një mënyrë paradoksale, lufta ka rikthyer në qendër pikërisht logjikën e Schuman-it: bashkëpunimi si përgjigje ndaj kërcënimit. Por këtë herë, kërcënimi nuk vjen nga brenda Europës, por nga jashtë saj.
Në mes të këtyre zhvillimeve, një gjë mbetet qartësisht e pakundërshueshme: Evropa nuk është vetëm një projekt ekonomik; ajo është gjithnjë e më shumë një projekt politik dhe strategjik. Dhe pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe: të ruajë unitetin pa humbur diversitetin, të ndërtojë autonomi pa prishur aleancat dhe të mbetet besnike ndaj frymës të Deklaratës së Schuman-it në një botë që është bërë shumë më pak e parashikueshme.
Një bashkim i papërfunduar
Evropa e sotme mbetet një projekt në tranzicion, një ndërmjetësi e pazakontë mes federatës dhe bashkësisë së shteteve dhe pikërisht ky status i ndërmjetëm e bën procesin e zgjerimit njëkohësisht provë, motor dhe pasqyrë të vetë identitetit të saj. Që nga fryma themeluese e Deklaratës së Schuman-it, zgjerimi ka qenë më shumë se një shtrirje gjeografike; ai ka funksionuar si mekanizëm “solidariteti faktik” përmes transformimit të brendshëm të vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e projektit.
Në dekadat e fundit, zgjerimi ka dëshmuar se Bashkimi Evropian mund të eksportojë stabilitet, standarde dhe institucione, nga Evropa Qendrore dhe Lindore pas Luftës së Ftohtë, deri te Ballkani Perëndimor sot.
Ai ka qenë, pa dyshim, një histori suksesi: vende që dikur ndodheshin në tranzicion të thellë politik dhe ekonomik janë integruar në një rend të përbashkët rregullash dhe vlerash. Por ai ka qenë gjithashtu i vështirë, i pasigurt dhe i ndikuar nga ritme të pabarabarta, herë i përshpejtuar nga dinamika gjeopolitike, herë i ngadalësuar nga skepticizmi i brendshëm dhe sfidat e vendeve kandidate.
Brenda Bashkimit, dilemat janë të vazhdueshme: sa larg mund të zgjerohet pa u dobësuar kohezioni i brendshëm? A mund të thellohet integrimi ndërkohë që rritet numri i anëtarëve? Pyetjet për kapacitetin absorbues, për funksionimin e institucioneve dhe për ruajtjen e standardeve demokratike janë bërë gjithnjë e më të mprehta. Jashtë tij, procesi përballet me sfida po aq komplekse: ndikime gjeopolitike konkurruese, lodhje reformash në vendet aspirante dhe pritshmëri shpesh të papërputhshme midis Brukselit dhe kryeqyteteve kandidate.
Megjithatë, pikërisht në këtë kompleksitet qëndron edhe vlera e zgjerimit si provë e qëndrueshmërisë së projektit evropian. Në një kohë kur lufta është rikthyer në kontinent dhe rivalitetet globale janë intensifikuar, perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet një nga instrumentet më të fuqishme të transformimit politik dhe shoqëror. Ajo nuk premton vetëm përfitime ekonomike, por një përfshirje në një rend ku rregullat, bashkëpunimi dhe paqja janë themelore.
Në këtë kuptim, zgjerimi është dëshmi se Evropa nuk është një projekt i mbyllur, por një proces i hapur, një ide që vazhdon të zgjerohet në kuptimin më të thellë të fjalës. Ai e mban të gjallë vizionin e Schuman-it: një Evropë që ndërtohet gradualisht, përmes hapash konkretë, duke përfshirë gjithnjë e më shumë aktorë në një komunitet interesash dhe vlerash të përbashkëta.
Në këtë kuptim, “bashkim i papërfunduar” nuk është një dobësi, por një dëshmi e gjallë e vizionit të Robert Schuman.
Evropa e Schuman-it sot: një premtim i hapur
Në fund të ditës, pyetja nuk është nëse Evropa ka përmbushur vizionin e Schuman-it, por nëse ajo vazhdon ta ndjekë atë. Projekti evropian nuk ishte menduar si një destinacion, por si një proces në zhvillim të vazhdueshëm.
Më 9 maj, ndërsa kujtojmë deklaratën e vitit 1950, Evropa nuk duket as si një sukses i plotë, as si një dështim. Ajo është, më shumë se çdo gjë tjetër, një punë në vazhdim, një ide që ende kërkon të bëhet realitet i plotë.
Nëse Schuman do ta shihte sot, ndoshta do të njihte shumë nga ajo që ëndërroi. Por do të kuptonte gjithashtu se rruga drejt një Evrope të bashkuar nuk përfundon kurrë.






















