Josif Papagjoni: Bektashizmi dhe vetëdija poetike Naimiane

308
Sigal

 Njohësi më i thellë i bektashizmit Moikom Zeqo në librin e tij “Syri i tretë” na jep një informacion të gjerë për frymëzimin, idetë, shtysat, burimet, figurat dhe objektin religjioz të bektashizmit. Kësisoj përmes këtij informacioni bëhet më e qartë afëria e vetëdijës poetike të Naim Frashërit me bektashizmin në krijimtarinë e tij, më ngushtazi në poemën “Qerbelaja”.

Bektashizmi është një lloj filozofie profetike, duke qenë një nga degët e shiizmit persian, që e ngre doktrinën e vet mbi veprat e 12 imamëve të shenjtë, filluar me kryeimamin, ose imamin e parë Aliun. Besimi i Naim Frashërit lidhet më fort me degëzimin e shiizmit, që beson në ringjalljen e Imamit të 12, Mediut, çka duket qartë edhe te poema  “Qerbelaja”, por ndërkohë Naimi beson po aq edhe në rolin mistik të imamit të 7 të Xhaferr Sadikut, për të cilin ka shfaqur një admirim të madh. Kjo duket veçanërisht në librin e parë në gjuhën perse “Ëndërrimet”, të shqipëruar mrekullisht nga Vexhi Buharaja.

Moikomi guxon të vetëdijësojë opinionin kritik shkencor letrar se edhe “Historia e Skënderbeut” ka një frymëzim bektashian, në kuptimin e një identiteti të dyfishtë, si të Gjergj Kastriotit, kur, në kohën e rekrutimit ushtarak si jeniçer kishte përqafuar bektashizmin, dhe më pas u bë fatos i mbrojtjes së krishtërimit nga ortodoksizmi islamik, ashtu dhe të vetë Naim Frashërit si bektashi megjithëse e pranonte krishtërimin, madje shkruante edhe një vjershë për krishtin. Te libri “Ëndërimet” ai thur vargje të mrekullueshme:

O ti det, që jep flladitje e gëzim!

Tek ty gazin ma gjen zemra, shpirti im.

Pika jote është e veprave mëria.

Ato-Krishti, kurse ti je shën Mëria.

Eposi i Qerbelasë ishte një ndërmarje e vështirë për poetin. Ajo mbetet njëherazi edhe hipotekë letrare e Naim Frashërit, edhe hymn i bektashizmit, ku të dy së toku sipas Zeqos, krijojnë një “osmozë”, një bashkëjetesë të hatashme, të ndritur dhe tejet njerëzore. Lufta e Qerbelasë është një pikë referimi, gjithashtu reflektimi, për krejt historinë dhe vetëdijen e Lindjes, ashtu si lufta e Trojës për grekët e lashtë, ose lufta e Vietnamit për filmat amerikanë. Veçse Qerbelaja është një luftë e shenjtë, që ka në thelb momentin tragjik të masakrimit të djalit të imam Aliut, imam Hysenit së bashku me 72 vetë, pasues besnikë të tij, si dhe disa foshnjave, buzë lumit Eufrat, lumit biblik e fatlum të Edenit, por “fatal” për martirët, pasi s’mundi t‘u japë nga ujtë e tij të pafund, qoftë dhe një pikë uji jetëdhënës. Paçka se ngjarja ka ndodhur 12 shekuj më parë, ajo çka na shfaqet si e veçantë në gjykimin e strudiuesit Moikom Zeqo, është fakti se qasja që ai i bën optikës naimiane kundrejt tragjedisë së Qerbelasë përkon dhe lidhet ngushtësisht me botën shqiptare. Ndonëse heronjtë e poemës janë njerëz të shquar të islamit, megjithatë Naim Frashëri, sipas Zeqos, e kthen subjektin dhe heroizmin e martirëve të Qerbelasë gati në një apel kushtrimi, në një frymëzim real të shqiptarëve kundër pushtuesve turq dhe: së dyti konceptimi i kësaj tragjedie, më së shumti bëhet në rrafshin e përplasjes dhe të ballafaqimit moral të së mirës me të keqen. Martirët e Qerbelasë vdesin për të drejtën, të vërtetën që është zoti, vdesin duke luftuar Mavinë, simbolin e gënjeshtrës, të djallit e të keqes.

“Në eposin naimian të Qerbelasë,-nënvizon Zeqo,- ka shumë Shqipëri, por ka dhe shumë moral, ka një fe të shndërruar në moral dhe, një moral të shndërruar në fe. Heronjtë e Naimit janë titanikë. Termopilja e Qerbelasë është ringjallja e lirisë për Shqipërinë. Te figura e Abaz Aliut është edhe shpata, disa shekuj më vonë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”.

Lidhja që bën M.Zeqo mes dy eposeve, dy ngjarjeve, njëra në shkretëtirat e Arabisë buzë lumit Eufrat (Qerbelaja) dhe tjetra në trojet shqiptare.(Historia e Skënderbeut). Njera me heronjtë e islamit: therorinë, besnikërinë ndaj zotit dhe tjetra me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin, kapedanët e tij, përgjakjen për lirinë dhe Atdheun dhe besnikërinë ndaj krishtërimit. Kjo është vërtet e guximshme. Në sy të parë duket sikur dy eposet, dy ngjarjet: e para tejet fetare: e dyta tejet shqiptare nuk kanë kurrëfarë lidhje. Por, pasi lexon qasjet interesante e mbushamendëse të Zeqos, nis të mendosh thellë e më thellë, për të mbërritur nëse është e mundur, tek psikika dhe ndërdija poetike e Naim Frashërit., tek “laboratori” i tij, tek ajo që quhet “alkimi” e krijimit, rëndom e mbuluar me tymnajë gjendjesh emocionale, përjetimesh, ekstazash, adhurimesh fetare, rëndom nëpër labirinthe ezoterike, që veç poeti i ka njohur thellë e brenda vetes. Moikomi gjakon të futet bash këtyre nebulozave, nëpër këta labirinthë dhe, të nxjerrë syresh ca të vërteta që më parë s’i ka thënë kush dhe ta mbushin mendjen.

Në 25 këngët ose poemat e eposit të “Qerbelasë” dhimbja e pakufishme vjen si një makirologji, si një vajtim heroik i të vrarëve për të drejtën, për të mirën:

Atë brengë aq të gjatë,

ta hiq dita bëhej natë.

“Qerbelaja” është një panteon i 12 imamëve, një histori kuranore, por e qendërzuar mbi tragjedinë e Qerbelasë. Vdekja e imam Aliut vjen si një gjëmë. Kryefigura e krejt eposit është imam Hyseni dhe vdekja e tij është njëherit heroike, tragjike dhe makabre. Kur i presin kokën imam Hyseni ende nuk vdes. Koka e tij e prerë ende shqipton fjalë përdëllimi për zotin e vërtetë. Një skenë me të vërtetë ngjethëse. Por më ngjethës është përshkrimi i vdekjes së Abaz Aliut, që i çpuar, me etjen e tmerrshme që të jep fund-jeta, nuk pi një pikë ujë për vete, përkundrazi mbush enën me ujë që tua jepte katërmbëdhjetë foshnjave të mos vdesin. Abazb Aliu nuk arrin dot te foshnjat, sepse vdes i larë në gjak. Dhe po kështu rrëfehet me dhimbje edhe për imamin e 12 Mehdiun.

  1. Zeqo ngulmon në idenë, se Naim Frashëri në projektin e tij të madh letrar-patriotik, si një trompetë kushtrimi për ringjalljen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, në një aspekt politik i zgjodhi vetë, qëllimisht si shëmbëlltyrë të këtij misioni që të dy eposet e mëdha: betejën e Qerbelasë dhe betejat e madhërishme të Skënderbeut, duke i nënkuptuar si plotësime të njëra tjetrës për t’u dhënë bashkëkombasve një model frymëzimi.

Por Naim Frashëri, bektashi, s’është si fenomen letrar primordial i letërsisë shqipe të Rilindjes.

Ndaj Zeqo nuk harron që herë pas here të vë në piskamë edhe Naim Frashërin si romantik, iluminist, arkitekt i gjuhës moderne shqipe, krijues i tipologjive poetike, kryelirik, përkthyes i kryeveprave botërore, prozator, prijës i arsimit kombëtar dhe i diturimit, përpilues i teksteve shkollore etj. Njëkohësisht Naim Frashëri në librin e Moikomit është marrë edhe në ndërlidhjet  krahasuese me të mëdhenjtë e letrave shqipe si me: L Poradecin,F Nolin, N Mjedën, Gj Fishtën.F Konicën etj.