Xhevat Mustafa: Humor në kohë coronavirusi, si nga fundi i një… pusi!

485
Sigal

Dje në mëngjes gruaja ishte ngritur me humor të mirë! Kur po shkëmbeheshim rreth 1 metër larg njeri-tjetrit në korridor, zgjati kokën dhe buzët të më puthte në faqe! Iu largova vetëtimthi dhe i hoqa vërejtjen me qortim: -Jo, mos më prek! Të lutem, mbaj distancën e përcaktuar nga speciaslistët e shendetsisë dhe në urdhërat e kryeministrit! Po sikur ti ta kesh marrë coronavirusin, kur i nden në telat e ballkonit dhe të dhomave dhe kur i merr të thara teshat e lara? Po sikur ta kesh marrë kur ke shkuar nja 2-3 herë për të blerë në dyqanet pranë nesh, ushqime dhe fjalëkryqë? Ajo qeshi dhe u zgjat edhe më shumë. Por, edhe unë iu largova “i tmerruar”. Që ta dini ju, si qytetarë shembullorë e “të mrekullueshëm” që jemi, qysh kur kemi filluar zbatimin e “dënimit” nga kryeministri me arrest shtëpiak të paafat”, ne, pas rreth 46 vitesh, nuk flejmë më në krevatin dopio bashkëshortor, por në dhoma të ndryshme. Edhe kur shikojmë filma dhe lajmet në televizor rrijmë, ulur ose shtrirë, secili në një divan, me rreth 2 metra largësi nga njeri – tjetri! Edhe kur hajmë mëngjesin, drekën, darkën, ulemi secili në një nga cepat e tavolinës, me rreth 1.5 m largësi. Po kështu, nuk ngatërrojmë gotat e ujit, të lëngjeve të frutave, qumështit, filxhanët e kafesë, të çajit…Jemi apo nuk jemi në karantinë? Edhe për të dalë me ble bukë, qumësht, fruta, zarzavate, dalim si ilegalët “nëpërr rrugicat që kërkonin diell”, tek e tek, me maska dhe doreza, nëpër rrugicat përreth pallatit tonë dhe pas pallateve në anë të rrugëve kryesore. Duke dëgjuar prej një muaji dhe kushedi sa herë, në një emision lajmesh, paralajmërime dhe kërcënime nga kryeministri dhe specialistët e shendetsisë, na ka hyrë frika në palcë, si plot politikanëve dhe qeveritarëve nga SPAK-u, OVL-ja dhe…coronavirusi! Po sikur të na kapë, përveç coronavirusit, edhe ndonjë patrullë e policisë së Sandër Lleshajt e të na vënë ndonjë gjobë të kripur? Vërtetë kryeministri na i rriti pensionet 2.4%, domethënë 300-500 lekë, por, me një gjobë 3.000 lekëshe na e merr përfitimin e 1 viti të tërë nga kjo “rritje marramendase”. Vazhdoni e bëjeni vetë llogarinë! Me një gjobë 10.000 lekë na merr përfitimin e 3 viteve! Prandaj, për devotshmëri ndaj urdhërave të kryeministrit si dhe për t’iu ruajtur coronavirusit dhe gjobave të shtrenta të policisë, po e rrespektojmë me bindje dhe nënshtrim “karantinën”. Vërtetë, mban ca era arbitraritet dhe diktaturë, por, falë maskave dhe dezinfektuesve me doza të larta, po ia durojmë edhe erën!