Vangjush Saro: Sa herë voton Diaspora?

346
Sigal

Nga Vangjush Saro:

Shoh që, krahas grishjeve për zgjedhje të parakohshme dhe përpjekjeve për reformë, dukuri krejt normale, po bëhet një zhurmë e madhe në lidhje me të drejtën e Diasporës për të votuar. Si në gjithçka tonën, mendoj, edhe këtu diferencat dhe përplasjet janë të dukshme, tema po trajtohet me një patriotizëm të sforcuar, në të ka emfazë dhe patetizëm, ka edhe ngut. Ideja është e hershme, nuk u realizua asnjëherë gjer më sot, duke përjashtuar rastet sporadike kur emigrantët, sidomos ata që punojnë në vendet më të afërta, Greqi e Itali, kanë qenë me pushime në Shqipëri apo janë sjellë (nga pushteti i radhës) rëndom e të ‘paketuar’, me autobuzë, për të votuar. (Këto skena dhe ky skenar, janë shfaqje të prapambetjes dhe fiksimeve tona pas politikës.)

Në këtë diskutim,janë përfshirë (hë për hë, vetëm me deklarata e ‘drafte’)edhe Diaspora dhe Ministria që mbart emrin e saj; sipas gjasave,palët do të përpiqen të vjelin ç’të mundin nga kjo histori e vjetër. Në fakt, zhurma më e madhe është bërë dhe po bëhet ndër rrethe e qarqe të Diasporës. Ka një përfshirje të paparë në këtë diskutim, që doemos nxitet nga Tirana, nga kapadainj të dështuar, por edhe nga politikanë sot për sot pa pushtet, por që nesër mund të ‘bëjnë çudira’. (“Diktatorët, despotët, të çmendurit si dhe shumë politikanë demokratë e përdorin atë (patriotizmin – V. S.) për të ndezur pasionet popullore, me qëllim që të rrisin fuqinë e tyre.” Erik Margolis)

Në parim, nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi, drejtimi i vëmendjes në çështje të tilla është i vonuar.Por mendoj se duhen saktësuar disa episode të kësaj teme.Natyrisht, ne nuk vendosim asgjë,por thjesht shprehim ndonjëopinion, sidomos kur shikojmë se një argument ka marrë apo është duke marrë tatëpjetën. Qëllimi është të vijmë në këto biseda me misionin e njeriut të fjalës, duke sensibilizuar apo shtuar zërat për mirë. Dëshira është për ta parë bashkëkombasin, kudo që gjendet, sa më të qetë dhe sa më të paqtë. (“Nuk ka ar që të paguajë sinqeritetin.” Karlo Goldoni)

E drejta për të votuar, për të zgjedhur drejtuesit e ardhshëm të një organizmi, të një qeverie, sa edhe e drejta për t’u zgjedhur, janë legjitime në një shoqëri demokratike. Por nëse ti jeton në një shtet tjetër, nëse ke gjithë jetën tënde përpara pikërisht atje, për më tepër me gjithë familje, e nuk ke ndërmend të ndërrosh sërish destinacion, atëherë, mendoj, kontributi yt vlen të merret në konsideratëpikërisht në atdheun e ri; ke nënshtetësinë që gëzon aktualisht, ke detyrime dhe të drejta që burojnë nga ligjet e atij vendi, shteti, kështu që nuk ka arsye ligjore, formalisht nuk ka të tilla, për të votuar edhe në një vend tjetër, edhe për një politikë tjetër, edhe për një qeveri tjetër.(“Kur je në Romë, bëj si romanët.” Servantes)

Mëritë shqiptare janë të hershme e të reja dhe përpjekja për t’i mpakur ato është e pandjeshme; mëritë vijnë edhe në temën ku jemi. Por mendoj që, përtej pasioneve, nuk ka sens të votosh dy herë, tëzgjedhësh dy herë, të zgjidhesh dy herë, të kërkosh llogari nga dy shtete, nga dy qeveri, vetëm e vetëm se kështu mund të ndihmohen disa qarqe politike. Madje, mendoj, edhe shteti ku punon emigranti, nëse ky i fundit ka dokumentet dhe kushtet përkatëse- në këtë rast,nënshtetësinë (citizenship) epunë – dhe perspektiva e tij është kjo, nuk duhet të jetë i interesuar dhe nuk ka pse të lejojë lojëra apo farsa politike,që rrjedhin nga një prapambetje e ngritur në mani në këto kohë transparence. Besoj, shtetet ku aplikohet Sistemi i Demokracisë, nuk lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve të ‘delegura’ dhe krijimin e qendrave zgjedhore të dyfishta; dhe me të drejtë. Fundja, pse duhet të votojmë dy herë, të zgjedhim dhe të zgjidhemi dy herë, në dy shtete, në dy vende, për dy politikëbërje? Jemi më të mirë apo ndryshe nga amerikanët, kanadezët, britanikët, gjermanët, italianët, grekët? Jemi më të qytetëruar? Jemi më demokratë? Jemi më ‘patriotë’? Nuk them dot ‘Jo’, por edhe një ‘Po’ s’do të ishte e lehtë; dhe s’do të ishte e drejtë. Neve nuk na duhet patriotizmi i rremë, na duhet qytetaria, një qytetari e re, ndryshe nga ajo që kemi trashëguar në këto kohë tranzicioni. (“Patriotizmi është streha e fundit e të pabesëve”. Samuel Xhonson)

Një qytetari shqiptar, që jeton e punon diku gjetkë, por ende s’është nënshtetas atje dhe i ka lidhjet zyrtare me atdheun e parë, patjetër që duhet t’i krijohen kushte për të votuar. Kështu, punët janë pak a shumë të ftilluara, por një pjesë nga ne, ata e dinë pse, përpiqen ta trazojnë e konfuzojnë kohë e pa kohë atë komb, nga jashtë dhe nga brenda, duke hedhur shashka, duke rikrijuar skenarin e pamundësisë për t’u vetëqeverisur a mirëqeverisur. Të yshtur nga nuk e di çfarë, shkrues të përkohshëm dhe militantë ekstremistë, janë gati të thonë fjalën e fundit për gjithçka; ashtu siç lëshojnë broçkulla për Skënderbeun; ashtu siç nuk pranojnë dot kontributin e popullit shqiptar në krahun e fituesve në Luftën e Dytë Botërore, anipse për ne shqiptarët e, mbase jo vetëm për ne…ishte me tipare të theksuara të një lufte civile. Me tipare të një lufte civile.Por vetëm kaq.Pikë.

Që të kthehemi në çështjen e votës së emigrantëve, te ne, prej kohe shkohet pas ‘berihajt’, duke sajuar vend e pa vend stuhi (ra) në gotë. Një shumicë emigrantësh janë integruar në vendet ku punojnë dhe qytetarisht kanë marrë një pamje tjetër. Por në të njëjtën kohë, në Diasporë ka ‘konferenca’ pa fund, ka shumë ekstremistë e militantë, të kohëve dhe brezave të ndryshëm, njerëz që nuk dinë t’i përmbajnë dufet politike; janë kaq të shtënë pas kësaj disipline, sa që habitesh pse nuk kthehen në atdhe e të përfshihen nëatë që duan me kaq pathos, domethënë në politikë, të zgjedhin e të zgjidhen dhe të militojnë për atë forcë a perspektivë qëkanë në mendjen e tyre. Por jo. Ata jetojnë e punojnë në vende perëndimore, por duan të ‘diktojnë’ në atdheun e parë; kjo nuk shkon.

Diaspora shqiptare është sot kaq e madhe, pothuaj sa vetë popullsia që jeton në Shqipëri. Ky ekuilibër është i brishtë; një pjesë e atyre që jetojnë jashtë pa le a dinë gjë se qysh shkojnë punët realisht, e ca mund të kenë hobi, por edhe mllefe, edhe urrejtje të vjetra, hatërmbetje e kushedi ç’tjetër, kështu që mund të devijohen interesat dhe ndjeshmëria e qytetarëve që,mirë a keq, jetojnë aty ku u ka rënë koka dhe fati. Nga ana tjetër, duke qëlluar valencën e fenomenit, mund të eksportohen problemet dhe sherret e atjeshme e të atdhetarshme në vendet respektive, duke krijuar atmosferë jo të mirë për bashkëqytetarët me tjetër kombësi, por dhe për brezat e rinj, që duhet të mësohen me një mënyrë tjetër qasjeje në atë që quhet bashkëqeverisje; ndryshe nga prindërit e tyre të agjituar, ata duhet t’i japin politikës aq vëmendje sa ajo meriton, jo më shumë. (“Nuk kemi kohë për ta shpërdoruar kohën.” Eugjen Jonesko)

Po, e vlen ta rithem, mund të votojnë dhe duhet të votojnë ata qytetarë që ende nuk janë shtetas të shtetit ku jetojnë e punojnë, qytetarë të vendit ku i çoi fati, por dhe dëshira a nevoja. Kanë gjithë të drejtën e Zotit e të Ligjit të thonë fjalën e tyre, të zgjedhin e të zgjidhen. Kësaj pjese të Diasporës, duhet t’i garantohet e drejta për të votuar; se si e qysh, e dinë administratat përkatëse. Pjesa e integruar dhe me nënshtetësi tjetër, mendoj, mund të jetë e pranishme në referendume për çështje kombëtare dhe, natyrisht, është e lirë të agjitojë për çfarë ka bindje apo anim; por vetëm kaq. Shpresoj që kjo bisedë të mos keqkuptohet dhe interpretohet si këmbëngulje apo fiksim; thjesht janë mendime të mbështetura në një reliev ku mund të shkëmbehen mendime pa nxjerrë ‘koburen’ nga brezi dhe në një realitet që tashmë është sadopak demokratik.