Prokuroria nis hetimet për dhunën e policisë ndaj 15 vjeçarit

69

Pas dhunës së ushtruar ndaj një adoleshenti dhe deklaratave të debatueshme të kreut të Policisë, Ardi Veliu, edhe Prokuroria e Tiranës deklaroi se ka kërkuar në gjykatë pezullimin e njërit prej policëve.

Prokuroria e Tiranës njoftoi të mërkurën se ka nisur një hetim për dhunën e ushtruar prej punonjësve të policisë ndaj të miturit 15-vjeçar me inicialet S.Ç., më 15 maj në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë. Sipas prokurorisë, është kërkuar në gjykatë pezullimi nga detyra i njërit prej efektivëve të policisë, G.N., si dhe se po hetohet për të evidentuar përgjegjësinë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Mesditën e 15 majit, një qytetar xhiroi me celular momentet kur katër oficerë policie dhunuan një adoleshent, pasi ky i fundit kishte shkelur orarin e ndalim-qarkullimit të vendosur në kuadër të ‘luftës’ kundër përhapjes së koronavirusit COVID-19.

Episodi i dhunës u rëndua edhe nga deklarimet e kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në një mbledhje online të Komisionit parlamentar të Sigurisë, ku ai publikoi një video të nënës së adoleshentit me aludimin se ai rridhte nga një familje me moral të keq.

“Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen. Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim,” deklaroi Veliu para deputetëve.

Sulmi verbal i Veliut u konsiderua si kërcënim nga nëna e të miturit të dhunuar Zaida Çobo, ndërsa aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të ndryshëm e cilësuan si skandaloze sjelljen e kryepolicit në parlament.

E ëma e fëmijës së dhunuar, Zaida Çobo – me profesion aktore, deklaroi pas aludimeve të kryepolicit se videoja është e vërtetë dhe se ajo është një dubël e realizuar gjatë xhirimeve të një filmi, në të cilën, një pistoletë lodër është përdorur nga Çobo.