Kalaja e Pogradecit, vend-hedhjesh për mbetjet urbane

2597
Sigal

Turistët: Duam të shohim edhe qytetin e ndërtuar në socializëm

Turistët dhe vizitorët, frekuentues të qytetit të Pogradecit, këtë vit po të ndihen të befasuar me të mbërritur në Kalanë e Pogradecit, pasi në vend të saj, po gjejnë një vend-hedhjesh të mbeturinave urbane dhe inerteve. Peizazhi përreth s’është gjë tjetër veçse një shëmtim dhe të ngjall një ndjenjë zhgënjimi. Me këtë panoramë të pa pëlqyeshme aktualisht po përballet çdo i huaj dhe vendas që vendos të ngjitet deri te kodrat e qytetit, dhe kur arrin atje nuk sheh atë çfarë kishte imagjinuar, por të kundërtën e saj: Plehra dhe hedhurina të shumta Për gjendjen që ekziston këtë vit te Kalaja e Pogradecit ndihen të trishtuar edhe vetë banorët e Pogradecit. “Ky është një turp,- thonë ata,- sepse në qytetin tonë nuk duhet të ndodhë kështu. Ata që kanë mbetje inertesh apo hedhurina të tjera në shtëpitë e tyre, nuk duhet t’i hedhin këtu, por në vendet e caktuara për këtë qëllim”. Nga vetë banorët e qytetit mësojmë se hedhje e mbeturinave kryhet gjatë orëve të natës me ndihmën e triciklave, dhe traktorëve të vegjël, të cilët duhet të kapen dhe të ndëshkohen me gjoba sipas ligjit, sepse indiferenca i kushton shumë qytetit tonë, pasi ne jetojmë me të ardhurat që sigurojmë prej turistëve. Ndaj, me këtë rast, – shprehen ata, – ju bëjmë thirrje organeve kompetente dhe institucioneve përgjegjëse të reagojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

 

Shohim edhe pjesën e qytetit të ndërtuar në socializëm

 

Mësojmë gjithashtu se gjatë ditëve të fundit, banorët e Pogradecit kanë qenë dëshmitarë realë të zhgënjimit që po pësojnë vizitorët. Një turiste gjermane ndër të tjera tha: “Jam frekuentuese e rregullt e qytetit të Pogradecit, e dua këtë qytet. Ngjitem te kalaja edhe për të parë qytetin nga sipër. Dua të shoh edhe atë pjesë të qytetit të ndërtuar në kohën e socializmit, sepse të njëjtën gjë kemi kaluar edhe ne atje në gjermani. Jo se është një pamje e bukur, as e shëmtuar nuk mund të them, por sepse është një pjesë e jetës tonë, na kujton shumë gjera të viteve që kemi lënë pas. Ka të tjerë që nuk e kanë jetuar fare atë kohë, dhe nuk kanë as më të voglën ide të asaj kohe. Këtu në Pogradec ende ka pjesë të asaj kohe, por është edhe liqeni që na thërret. Edhe këtë vit gjetëm një bregliqen të pastër ashtu si vitet e tjera. Ndërkohë na informojnë se këtë vit do të ketë shërbime përgjatë gjithë vijës liqenore dhe kjo është një gjë e mirë. Pogradeci ka gjithashtu dhe vlera të shumta kulturore; edhe kalaja gjendet në një vend të bukur, por për ata që vijnë për herë të parë, nuk orientohen dot, pasi nuk gjejnë as tabela për vendndodhjen e saj.

Kalasë i mungon prezantimi

Kalaja ka një vjetërsi banimi prej 1400 vjetësh. Është një kala iliro-shqiptare e hershme. Pamja që shfaqet nga kodra e kalasë është e mrekullueshme, ndaj frekuentohet nga vendasit dhe të huajt. Kjo qendër ka pasur marrëdhënie edhe me qendër-banimet fqinje. Në gjysmën e dytë të shek. II p.e.s, gjatë luftërave iliro-romako-maqedone, vendbanimi u shkatërrua nga një zjarr i fuqishëm, i cili mund të jetë shkaktuar gjatë betejave mes forcave kundërshtare. Kjo konfirmohet edhe nga gërmimet arkeologjike, të cilat kanë evidentuar gjurmët e një shtrese hiri që i përket shtresës kulturore të shek. II p.e.s. Pra, nisur edhe nga vlerat historike që ka kjo kala, është e domosdoshme krijimi i një ambienti të bukur dhe mikpritës për vendasit dhe të huajt; gjithashtu edhe një prezantim i shkurtër çfarë përfaqëson Kalaja e Pogradecit.