Fshati i mbetur jetim

549
Sigal

Kosta Nake

Dy janë investimet e prekshme në fshatin shqiptar të viteve të tranzicionit: shkolla dhe qendra shëndetësore. I pari u bë në kushtet e vlerësimit joserioz të lëvizjeve demokratike dhe sot mund të gjesh shkolla me gjysmën e dhomave mësimore të zbrazëta; në ekstrem, mund të gjesh edhe fshatra pa fëmijë. Me ndryshimin e sistemit politik fshati doli nga izolimi i dyfishtë në regjimin totalitar – kufizimi i papërfytyrueshëm i largimit nga fshati dhe mbyllja e kufirit shtetëror, rrjedhimisht fshati u çlirua me dy shfryrje të përmasave të mëdha: Eksodi ilegal i viteve ’90 dhe largimi tronditës pas heqjes së vizave. Tashmë fshatari shqiptar që ka emigruar në masë, ka parë e prekur një realitet të ndryshëm në ekonomitë bujqësore të vendeve ballkanike dhe më tej, ka ndodhur një revolucion i thellë në perceptimin e tij për punën dhe jetesën. Fshati edhe në këto 28 vite tranzicion ka mbetur jetim, prandaj investimet e mësipërme duhej të pasoheshin edhe me të tjera që fshati të bëhet i banueshëm me parametrat e qytetit, çka do të thotë, rrjet ujësjellësi, rrjet i ndriçimit rrugor, rrjet kanalizimesh për ujërat e zeza, rrugë me asfalt ose me kalldrëm, shërbim shëndetësor, etj. Gjuha vete atje ku dhemb dhëmbi. Natyrshëm këto ndryshime të mëdha, por jo të pamundura, kthehen në tregues të zhvillimit ekonomik. Më shumë se kaq, që fshati të bëhet i banueshëm, duhet që politikat shtetërore të priren drejt orientimit të ekonomive fshatare drejt prodhimeve për tregun, që specialistët e bujqësisë në bashki dhe drejtoritë rajonale të mos bëjnë vetëm statistika, por t’i paraprijnë zhvillimit, që Ministria e Bujqësisë të mbështesë prodhimin vendas, ta subvencionojë për t’i bërë ballë konkurrencës rajonale dhe të synojë shtimin e eksportit nga ky prodhim. Riaftësimi i sistemit ujitës dhe kullues ende nuk është kthyer në parametrat e sistemit kooperativist, rrugët bujqësore shpesh bëhen të pakalueshme, teknikat për t’u përballur me sfidat e motit janë të papërfillshme, kostot e prodhimit janë të larta. Sipërfaqja e tokave bujqësore është e mjaftueshme në raport me popullsinë aktuale, madje ka shumë sipërfaqe që nuk mbillen. Reforma kadastrale duhet të kurorëzohet me gjallërimin e tregut të tokës bujqësore çka do të mundësojë që fermerët e suksesshëm të rritin sipërfaqet ku futet lehtësisht agroteknika që sjell rritjen e rendimenteve, vlerësimin dhe aplikimin e marketingut, lidhjen e kontratave me tregtarët, zgjerimin e kapaciteteve frigoriferike dhe aftësive përpunuese, etj. Cila është e nesërmja e fshatit shqiptar? Sa më shpejt duhet të fillojë një lëvizje në kahun e kundërt, kthimi në fshat. Disa shenja janë dhënë me përshtatjet e banesave të vjetra dhe kthimin e pensionistëve për disa muaj. Nisma qeveritare e 100 fshatrave është një hap që duhet të shoqërohet me shtimin e një zeroje dhe me hapa të tjerë duke sjellë përvojat më të mira evropiane dhe botërore. Kur infrastruktura e fshatit të përmbushë kërkesat që u përmendën në krye të këtyre radhëve, do të ketë edhe rikthim të familjeve. Kështu ka ndodhur me Evropën Perëndimore, ky duhet të kthehet në trend edhe për Shqipërinë, në se slogani “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” do kalojë nga goja te zemra.