SKANDALI/ Pyetjet e Përparim Kalos, pse u shqetësua anëtari i GJK për qeverinë?

371

Më shumë sesa shqetësimi për të garantuar paanshmëri në pyetjet ndaj kreut të shtetit, në disa prej pyetjeve drejtuar Metës, gjyqtari Përparim Kalo, vë në dyshim të drejta themelore.

Sigal

Me publikimin nga ana e presidentit të Republikës, Ilir Meta të materialit të plotë me 53 faqe ku iu jepet përgjigje 72 pyetjeve të ngritura nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, publiku pati mundësinë të njihej me natyrën e zhvillimit të seancave në Gjykatën Kushtetuese dhe me nivelin se ku është sot “Drejtësia e Re”.U  lexua me vëmendje dokumenti i publikuar nga presidenca (Lexo këtu), dhe më shumë sesa kurioziteti për mbrojtjen e kreut të shtetit, në qendër të vëmendjes sonë kësaj here ra kërshëria e gjyqtarit relator të seancës, Përparim Kalo. Më shumë sesa shqetësimi për të garantuar paanshmëri në pyetjet ndaj kreut të shtetit, në disa prej pyetjeve drejtuar Metës, gjyqtari Përparim Kalo, vë në dyshim të drejta themelore.

Në pyetjen nr.5, Kalo pyet Metën, se pse nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, duke e ngatërruar me seancën hetimore, dhe duke e vënë në dyshim pretendimin se kishte takime të tjera.

“5.Ju keni refuzuar të merrni pjesë në seancën hetimore, duke pretenduar se keni pasur takime të programuara zyrtarisht me përfaqësues të lartë të vendeve të tjera. A ka ndodhur në praktikën tuaj që të ndryshoni takimet kur e kanë kërkuar rrethanat? A ka qenë ky shkak për mosparaqitjen tuaj në seancat dëgjimore të zhvilluara nga komisioni hetimor dhe Kuvendi?”,-pyet Kalo Metën, duke paragjykuar që në nisje të gjykimit faktet e deklaruara nga palët.

Më tej, në pyetjen nr.14,  Kalo pyet kreun e shtetit se pse e kërkon të drejtën për tu dëgjuar vetëm përmes pranisë fizike. “E drejta për t`u dëgjuar a e nënkupton praninë fizike në seancën dëgjimore apo ajo mund të konsiderohet e ushtruar me anë të parashtrimeve të paraqitura me shkrim? Kemi parasysh se në komunikimet me Kuvendin ju keni parashtruar se keni dhënë argumente shteruese me shkresën tuaj nr. 1651, datë 16.05.2021. A lidhet ky konfirmim me të drejtën tuaj për t`u dëgjuar?”,-pyet gjyqtari, duke lënë të kuptohet, se meqënëse presidenti ka dërguar një shkresë, atëherë nuk kishte pse të kërkonte një pjesëmarrje fizike në seancë.

Më tej, në pyetjen nr 27, Kalo pyet Metën sesi ka guxuar të vëjë në dyshim integritetin e Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tij, Gjykata ka qenë shumë e ngarkuar me punë.

“Sipas nenit 132 të Kushtetutës vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme dhe nuk mund të vihen në diskutim nga asnjë organ i shtetit, madje as prej vetë asaj. Gjithashtu, Gjykata është organi i vetëm i veshur me kompetencën e interpretimit përfundimtar të Kushtetutës dhe të kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjit. Ndërkohë që Gjykata ka përballuar një vit pune intensiv e tejet të ngarkuar Presidenti ka vënë në diskutim publikisht vendime të saj, madje ka shprehur edhe vlerësime për gjyqtarët e saj nisur nga vendimmarrja e tyre. Mendoni që ky qëndrim përfshihet në kompetencat dhe të drejtën e shprehjes së Kryetarit të shtetit?”-deklaron gjyqtari.

Po ashtu, Kalo pyet presidentin se pse ka shkuar në studio televizive. “Daljet publike dhe deklaratat në medie janë bërë me kërkesë të gazetarëve ose televizioneve përkatëse apo janë kërkuar prej jush? Në ç`mënyrë qëndrimet publike e medie me kritika të ashpra ndaj qeverisë, të shoqëruara shpeshherë me epitete për të dhe funksionarë të saj, do t’i shërbente mbrojtjes së interesit të përgjithshëm?“,-pyet gjyqtari duke na vënë sërish në mendime, se a diskutohet liria e fjalës dhe pse duhet të jetë e shqetësuar Gjykata Kushtetuese për transparencën e presidentit.

Ndërkohë që teksa zbresim më poshtë, një nga pyetjet më të patakta nga ana e relatorit të Gjykatës Kushtetuese është referimi për të gjithë ata që iu bashkuan presidentit në mitingun e 2 marsit 2020. Përparim Kalo duke i nënqeshur, deklaron se dëshiron të dijë kush është “populli i 2 marsit”, meqënëse në zgjedhje, fituese u konfirmua Partia Socialiste.

“Keni përmendur shpesh “popullin e 2 marsit”. Cila është sipas jush kjo kategori, duke vlerësuar pjesëmarrjen e popullit në zgjedhje dhe rezultatet zyrtare të KQZ- së për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe votat e marra nga shumica qeverisëse.”,-pyet Kalo, duke dalë haptazi aspak i barazlarguar dhe i paanshëm. 

Ndërsa pyetja e fundit e gjyqtarit Kalo, sjell në pah edhe njëherë shqetësimin që drejtësia shqiptare ka për mirëqenien e ambasadorëve në Shqipëri.

“Gjithashtu, a mendoni se akuzat ndaj përfaqësuesve të misioneve diplomatike bërë në daljet tuaja publike në media apo rrjetet zyrtare e sociale si të korruptuar apo ato për rrezikun e integritetit tuaj fizik kanë bazë faktike dhe nëse po, a keni bërë denoncim në organet përkatëse?”-,pyet Kalo-Metën.