Si kush janë maskuar djajtë, që kanë zbritur nga Ferri në Tiranë?

109

Nga Çim Peka

Teatri ra, por pas mureve dhe fasadës së tij historike paska qenë fshehur një ‘konspiracion’ politik, i cili sipas disave ziente prej kohësh.

Ende pa mbaruar vajtimi, papritur, u rihap çështja e Reformës në Drejtësi dhe e asaj Zgjedhore si dekor i saj. Petët e lakrorit në pamje të parë, u duk sikur i tërhoqi vetë ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.

‘Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi në Shqipëri, të mos jenë të vërteta’, lëshoi ajo një cicërimë enigmatike.

Menjëherë pas kësaj, Edi Rama, e ndezi edhe më shumë imagjinatën e konspiracionistëve: Ferri është bosh dhe të gjithë djajtë janë këtu!

Le të përpiqemi që të hedhim dritat mbi skenën e Tiranës, ku këto ditë na qenkan transferuar të gjithë djajtë e Ferrit. Cilët janë ata dhe si janë maskuar:

Si kritikë të kësaj Reforme, skeptikë, dyshues apo si ‘dashnorë’ të mëdhenj publik?!

I pari që lëshoi një sinjal të qartë këto ditë, se Reforma në Drejtësi ka dështuar dhe duhet riformatuar krejtësisht ishte një deputet i Partisë Socialiste, juristi Adnor Shameti.

Në një intervistë për RTV Ora, ai madje zbuloi se ishte dakord me kryeministrin Rama për të ndryshuar ligjet e kësaj Reforme të cilat janë votuar në mënyrë unanime nga 140 deputetë 4 vite më parë. Foli edhe për diskutime në Komisionin e Ligjeve, për këtë çështje. Se çfarë ndodh brenda mureve të Kuvendit që kur është larguar opozita, askush nuk e di më me siguri.

‘Mbështes plotësisht qëndrimin e kryeministrit Rama, i cili ka thënë se nuk ka tabu në ligjet e bëra. Nëse do të kemi sugjerimet dhe mbështetjen e partnerëve euroatlantikë pse jo të bëhen dhe korrigjime dhe përmirësime të këtyre ligjeve (Për Reformën në Drejtësi)’, deklaroi deputeti-jurist.

Pra sipas tij, Rama qenka në dijeni për prekjen apo (sipas ambasadores Kim), vrasjen e Reformës. Por mbrëmjen e të enjtes te Sokol Balla kur u pyet për këto deklarata, kryeministri u distancua nga ‘shejtani’ Shameti.

Ka mendimin e tij personal-tha ai dhe e mbylli me kaq këtë sinjal të parë të ‘djajve’ që kanë braktisur Ferrin dhe kanë ardhur me mision këtu në Shqipëri.

Edi Rama është nga ata që kur u përpilua kjo reformë thoshte se nuk e ka lexuar fare dhe do të verë firmën te çdo projekt që do ti sillnin ndërkombëtarët e specifikisht SHBA. Ai është shfaqur gjithmonë si një ‘dashnor pa kushte’ i saj.

Por ka diçka, që nuk shkon. Një dashnor i tillë të vret, po i preke dashurinë.

Ju kujtohet deputeti socialist i Fushë Krujës, Gjetan Gjetani, i cili kritikoi punën e policisë në zonën e tij. Në Asamblenë e PS në dhjetor të vitit 2018, Edi Rama e bëri shembull.

‘Bën një deklaratë pocaqi aty, nuk duhet të jetë më në Partinë Socialiste’, i dha verdiktin e pushkatimit Rama vetëm për kaq pak gjë.

Kurse për Adnor Shametin që kërkon ti zhbëjë ‘dashurinë pa kushte’, mjaftohet vetëm me; ka mendimin e vet personal!

Edi Ramës i duket vetja i zgjuar. Në parlament deklaroi se po të mos ishte shembur Teatri, sot nuk do të flisnim për atë por për suksesin e shpëtimit të mijëra jetëve që ai arriti me strategjinë e tij për menaxhimin e pandemisë.

Kur artikulonte këtë fjali kuptohej lehtë, se në mendje kishte diçka tjetër; Po të mos ishte shembur Teatri, sot nuk do të diskutonim dhe do të vinim në dyshim Reformën në Drejtësi dhe atë Zgjedhore.

Opozitën mund ta akuzosh sa të duash, se nuk bëri sa mundej për të mbrojtur atë godinë. Por është qesharake dhe idiotizëm të thuash se e shembi ajo, apo edhe se i interesonte ky aksion i bujshëm.

Edi Rama nuk i përgjigjet dot pyetjes, se përse e rrafshoi Teatrin pikërisht 13 ditë përpara afatit fundor të Reformës Zgjedhore. Përse nuk priti që të mbyllej Reforma në Drejtësi dhe veçanërisht, ngritja e Byrosë së Hetimit. Ai nuk e shpjegon dot nxitimin dhe provokimin e fortë që bëri pikërisht tani, kur kishte pritur 22 vite dhe nuk ka ende projekt të detajuar të Teatrit të ri.

Është e vërtetë që rëndësia e dy reformave në vazhdim në krahasim me ‘Çështjen Teatri’ është ku e ku, por historia na thotë se djalli fillimisht fshihet pikërisht në detaje dhe gjëra të vogla.

Tani le tu bëjmë një ‘xhiro’ prozhektorëve, te opozita dhe te presidenti.

Është e vërtetë që edhe segmente të opozitës nuk e kanë me qejf, një Reformë të drejtë në Drejtësi. Në fund të fundit klasa politike në Shqipëri ka 30 vite që funksionon si rotacion pushteti dhe ndryshe nga fenomeni ‘Vetëvendosja-Kurti’ në Kosovë që e ka për herë të parë provën e pushtetit, këtu të gjithë-ca më pak e ca më shumë-mund të jenë objekt i saj.

Ndaj le ta lëmë mënjanë tallavanë e Edi Ramës i cili pas 11 vitesh në krye të pushtetit në Tiranë dhe afro 8 vitesh për gjithë Shqipërinë, ende sillet si nuset e dikurshme që duhet të skuqin çarçafët me virgjërinë e vet, natën e parë të martesës.

E mirë, e keqe, e deformuar apo si do që të jetë rrjeta e Drejtësisë së re, objektiv të parë dhe më të lehtë, ka ministrat skandalozë të Rilindjes dhe vetë Ramën. Edhe pse ky i fundit është kujdesur që të mos hedh firma, poshtë e përpjetë. Ai e di mirë që ca dosje të kopsitura, do të vijnë nga jashtë vendit.

Opozita i ka kritikuar dhe i ka denoncuar tentativat e Edi Ramës, të cilat jo pak herë janë realizuar, për të kapur çfarë të mundet nëpërmjet njerëzve të përzgjedhur, institucionet kyç të sistemit të ri të Drejtësisë.

Në fund të fundit opozita i votoi ndryshimet kushtetuese 4 vite më parë; në vazhdim ka pasur vetëm çelësat e kashtës, veçanërisht pasi Rama mori edhe kontrollin e plotë të parlamentit ku është bërë batërdia me procedurat e ngritjes së institucioneve.

Ndërkohë që Rama flet për djaj dhe bën sikur distancohet nga Shameti, Basha u artikulua qartë:

‘Çdo ndryshim kushtetues ose ligjor në lidhje me reformën në drejtësi nga parlamenti aktual është ilegjitim. Ndryshime të tilla u shërbejnë vetëm atyre që përdorin fuqinë e tyre, për të deformuar dhe minuar reformën dhe për të kontrolluar dhe kapur politikisht sistemin e drejtësisë’

Kurse presidenti i cili ka qenë edhe kritik dhe rojtar i përditshëm me sa ka mundur në këtë histori, i kërkoi Ramës që të ulen në një tryezë të gjithë palët (djajtë?! dhe të flasin me karta të hapura. Në platformën me 14 pika që prezantoi këtë të premte, lexon vetëm këmbënguljen që Reforma në Drejtësi të vazhdojë njëjtë siç është votuar në korrik të vitit 2016 dhe ti përmbahet, vetëm kushtetutës së ndryshuar në atë kohë.

Kjo është ajo që duket. Sepse djajtë që zbritën nga Ferri menjëherë pas prishjes së nxituar dhe në pamje të parë ‘absurde’ të Teatrit, i ka parë dhe i ka numëruar vetëm Edi Rama.

Ai ndoshta është edhe në dijeni të planit, që mund ta shohim të shpalosur në vijim;

Jepni viston për shkatërrimin (ose siç thotë Shameti, riformatimin) e Reformës në Drejtësi dhe si shkëmbim merrni një Reformë Zgjedhore me gjithë qeverinë teknike brenda.

Dhe pse jo; krye-djalli për të shpëtuar degdisjen në honet më të thella të Ferrit ku e ka vendin, nuk ka pse të mos jetë i gatshëm që në këmbim të një amnistie të tillë, të sakrifikojë edhe Fronin këtu në tokë!