Sigal

Padyshim, duke i lënë mënjanë dëshirat subjektive apo përkufizimet doktrinare për natyrën e njeriut postmodern si dhe duke parë treguesit e brendshëm social të vërtetë të zhvillimit të tipologjisë së jetës postmoderne, duhet pranuar që në kohën e tanishme jemi duke përjetuar ndryshime të thella të shoqërisë shqiptare, natyrës së njeriut, “frymës” dhe formës së qytetërimit tonë. Në mënyrë të padiskutueshme po përballemi me njeriun individualist, mendimet, ndjenjat dhe sjelljet e të cilit tashmë kanë marrë karakter më të hapur pragmatist, natyrë më të dukshme utilitare. Madje, në se këtë tendencë do ta vlerësojmë në tërë përmasat dhe dimensionin e vet të vërtetë, duhet të themi se kjo tendencë tashmë e përgjithshme në shoqërinë shqiptare të ditëve tona, ka arritur deri në nivelin më të lartë të mundshëm. Aq e fortë është kjo prirje materialiste në psikologjinë dhe logjikën e njeriut tonë, sa që mund të flasim për shfaqje të dukshme të “agresivitetit materialist”, e cila ka marrë përmasat e përgjithshme të shfaqjes së dimensionit social. Synimet materialiste dhe agresiviteti materialist është bërë orientim i pakthyeshëm individuaL. Duke analizuar situatën dhe shkaqet që e determinojnë këtë natyrë të njeriut në shoqërinë shqiptare, duhet pohuar se në kohën tonë ka ca arsye që janë bërë ontologjike, që veprojnë në shoqëri dhe që nganjëherë të duken se veprojnë si qëllim në vetvete dhe janë shumë të lidhura fort me natyrën dhe karakterin e njeriut postmodern. Por megjithëse është tendencë e përgjithshme e natyrës së shoqërisë dhe njeriut të sotëm, edhe pse kjo pjesë e të vërtetës sociale të shoqërisë shqiptare ka pas kësaj tendence “anën e mirë” të saj, që ka të bëjë me natyrën ambicioze të njeriut, mundësitë dhe ekzistencën e kushteve për t’i realizuar ato, përsëri duhet të shqetësohemi për disa tendenca ekscentrike e agresive të natyrës materialiste, apo për faktin që e tërë shoqëria jonë si tërësi sociale, dhe bashkë më të dhe në të njëjtën kohë edhe njerëzit tanë individualisht, janë dhënë dhunshëm pas plotësimit në disa raste në mënyrë të palogjikshme, apo si qëllim në vetvete të kërkesave materiale dhe realizimit me çdo kusht të dëshirave konsumiste pa fund. Prirja materialiste dikur e anatemuar dhe e mohuar për shkak në natyrës kolektiviste të jetës të frymëzuar prej ideologjisë dhe mënyrës holiste të funksionimit të shoqërisë shqiptare, tani “agresiviteti materialist” është bërë tendencë konsistente, e shfaqur thelbësisht në natyrën e njeriut, i cili gjithnjë e më shumë është i dhënë pas plotësimit të nevojave dhe qejfeve pa fund, duke e bërë bërë atë dhe plotësimin e saj, çështje nga më thelbësore të jetës, kuintesencë të vlerësimit social të personalitetit, tregues të aftësisë, aspekt që qëndron në vetvete, qëllim themelor të jetës, objektivin prioritar moral dhe profesional.

Gjykimi me optikën e ngushtë materialiste të gjithçkaje në jetë, duke e parë dhe vlerësuar në dimensionin real të shfaqjes së “agresionit materialist” janë gjëra që tregojnë, që tashmë dhe me sa duket përfundimisht në shoqërinë tonë plotësimi i anës materiale të kërkesave të njeriut, është pjesa thelbësore që është e lidhur me filozofinë sunduese të kohës sonë. Kjo është arsyeja që “synimi materialist” i njeriut është bërë imperativi më kategorik, përballë të cilit duket sikur gjërat e tjera me natyrë morale, humane dhe sociale nuk kanë më vlerë. Imperativi materialist agresiv i njeriut të sotëm, është një instrument që po deformon ekuilibrat e brendshme të natyrës së njeriut, raportet e duhura midis nevojave të trupit, kërkesave të shpirtit dhe dimensionit moral të njeriut.

Ky ekuacion thelbësisht ekzistencial, thelbësisht i lidhur me natyrën e vërtetë të njeriut, duket se është zhbalancuar në “kahet e natyrshme” të tij, është bërë një formulë e cila edhe pse duket sikur funksionon në të vërtetë, produkti që po del prej tij është paradoksal. Nuk besoj se është në të mirë të njeriut dhe të perspektivës sociale të shoqërisë, mungesa e nevojave të barazimit të ekuacionit të nevojave të njeriut, në raport së pari me veten dhe nevojat e larmishme të tij dhe pastaj edhe me nevojat e përbashkëta të “shoqërisë së mirë”. Ky nuk është ndonjë konceptim idealist apo utopik i problemit, por është një mënyrë e duhur për të humanizuar njeriun, për të ruajtur pak “lëng solidariteti” në këtë shoqërinë tonë që po ftohet nga brenda saj. Sepse ajo po përmbytet nga njerëz që janë dhënë pas plotësimit të dëshirave të vetes, pas “kënaqjes së trupit”, i cili në kohën tonë është bërë jo vetëm “pjesa më tunduese” e natyrës së njeriut, por dhe është rritur presioni i tij, mbi mendjen dhe shpirtin duke kërkuar që kërkesat material të tij duhen plotësuar me çdo kusht. Madje, pa llogaritur asnjë çmim. Por duhet të jemi me “këmbë në tokë”. Materializimi agresiv i idealeve të njeriut, nuk është argument që të na çojë në pranimin fatal të reduktimit të “qëllimeve finale” të tjera që janë pjesë me rëndësi e jetës. As semplifikimi i të gjithë motiveve të punës vetëm në realizimin e elementëve empirikë të pasurimit financiar, të plotësimit paarsyeshëm hedonistik të kënaqësive. Sociologët e shoqërisë postmoderne kanë të drejtë kur mendojnë, se kjo filozofi materialiste e idolatrizuar në “kult”, e kthyer në qëllim kryesor për jetën e përditshme të njeriut, është jo vetëm një realitet empirik i prekshëm, por është bërë sociologjikisht “gur filozofal” i përcaktimit të cakut social, që na ndihmon në një farë mënyre për të “ndarë kufijtë” e shoqërinë tradicionale dhe moderne, për të dalluar njeriun e shoqërisë së kaluar që ka qenë materalisht i ndrojtur dhe disiplinuar, nga shoqëria ekzibicionale e “njeriut të qejfit” dhe që e përfytyron veten si pjesë të “shoqërisë së spektaklit”. Po qe se realitetin e gjërave e shikojmë nga kjo anë, atëherë mund të themi se ky njeri materialist e agresiv është “adekuat me kohën” e tij. Ne shqiptarët kemi tri dekada që kemi hyrë në një shoqëri të re dhe jemi bërë pjesë e botës moderne. Praktikisht, pavarësisht nivelit aktual të stratifikimit të mirëqenies sociale, e sigurt është që jetojmë në kohën kur kënaqësia materiale është bërë më thelbësore për natyrën dhe karakterin e jetës së njeriut. Ajo e vlerësuar nga sasia, shtrirja dhe intensiteti social, duket dhe njëherësh është bërë jo vetëm cilësi konsistente e jetës në Shqipëri, por dhe tipari thelbësor më karakteristik i mendësisë sunduese. Sepse prirja materialiste ka pushtuar trupin dhe ka “skllavëruar mendjen” e njeriut në shoqërinë tonë. Në të vërtetë prirja ekscentrike materialiste e natyrës së njeriut, bashkë me karakterin thelbësisht konsumistik të jetës moderne në Shqipëri, është një nga aspektet e dukshme, që e vlerësuar nga pikëpamja sociologjike është faktor thelbësor që po ndikon në formimin dhe deformimin e thelbit të modernitetit. Sepse për shkak të vlerësimit të njëanshëm të anës materiale dhe kënaqësive empirike të jetës së përditshme, ka filluar të lulëzojë filozofia e reduktimin artificial të thelbit të tipologjisë së vërtetë të jetës.Madje në se vazhdon kështu, në këtë drejtim materialistik, me këto ritme zhvillimi, duke reduktuar çdo kërkesë material deri në nivelin e plotësimit të qëllimeve të thjeshta banale, apo të dëshirave ngushtësisht materiale të njeriut, problemi ka për të qenë akoma më shqetësues për funksionimin e shoqërisë dhe organizimin e jetës së njerëzve tanë. Por kjo çështje duhet parë “përtej dukjes” dhe duhet vlerësuar më thellë. Sepse duket se tani në shoqërinë shqiptare, për arsye që janë të qarta dhe kuptohen, por dhe për ca arsye të tjera irracionale duket se tek njerëzit tanë ka shumë konfuzion konceptual që shfaqet herë herë edhe si “çoroditje filozofike”.

Kjo do të thotë se njerëzit tanë në këtë kohë të vështirë kanë nevojë të orientohen, sepse ka disa gjëra të kuptimit të thelbit të jetës, të cilat nën ndikimin “imperialist” të materialitetit dhe nevojave intensive konsumistike të njeriut, në shoqërinë tonë po zhvillohen si fenomene sociale, që perceptohen gabim dhe interpretohen në mënyrë kaotike, të paqartë dhe shumë herë evazive. Pavarësisht deformimeve që ka marrë jeta nën presionin e orientimit materialist dhe konsumistik, nuk besoj se anomalitë që ndihen qartë në jetën tonë të përditshme duhet t’i pranojmë pasivisht, fare pa i kundërshtuar, apo të lejojmë lojën të zhvillohet vetë dhe këto prirje të “bëhen rregull”, duke na detyruar të pranojmë, se është normale, e natyrshme, që të përulemi pa kusht para çdo anomalie të modernitetit. Nuk mund të pretendojmë që të bëjmë “shoqëri të mirë” dhe “njeri normal”, në se pranojmë me servilizëm filozofik dhe konformizëm social, atë realitet që shfaqet i deformuar, që ndikon në nivelin e frikshëm të ndjenjave të thella agresive materialiste dhe konsumistike të njeriut, apo që kjo prirje ekscentrike e kohës të konsiderohet normale, të ekuivalentohet me tërë aspektet dhe qëllimet e tjera të jetës së njeriut, të aspiratave të tjera komplementare të shoqërisë shqiptare të kohës moderne. Por problemi që na intereson, është i lidhur me interpretimin e drejtë të natyrës materialiste të shoqërisë dhe njeriut tonë modern. Kjo nuk është më aq shumë “çështje filozofike”, se sa çështje praktike, që më shumë se arsyetimin botëkuptimor të njeriut të zakonshëm, prek qëllimet e pastra, dëshirat e kulluara konsumistike dhe materialistike të tij. Që janë bërë të natyrshme të ekzistojnë dhe të jenë prirje e thellë e jetës së sotme. Por që nuk janë pa ndikime dhe impakte që duhen llogaritur mirë nga ana sociale. Në fund të fundit, kemi nevojë sociale për të rregulluar “ekuacionin e qëllimeve” sasiore dhe cilësore të jetës sonë, pa e vënë atë të tërën në dispozicion vetëm të dëshirave trupore e materiale. Kjo nuk do të thotë nga ana tjetër që të mos jemi adekuatë me kohën tonë…