Prof Dr. Lush Susaj: Arsyet e bashkimit kundër qeverisjes së korrupsionit dhe përçarjes kombëtare

272
Sigal

Shqiptarët janë gjithnjë e më afër ditës së gjykimit dhe dënimit publik të korrupsionit dhe të hajdutërisë së sundimtarëve.

 

Qeverisja e mirë e një vendi nuk ka të bëjë thjeshtë me marrjen e vendimeve korrekte, por me atë procesin më të mirë të mundshëm për gjykimin dhe marrjen e këtyre vendimeve. Qeverisja e mirë nuk është e lidhur thjeshtë e vetëm me performancën e institucioneve dhe administratës, por pikë së pari me debatin, kontributin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e marrjes dhe të zbatimit të vendimeve. Kur ka një qeverisje të mirë dhe gjithëpërfshirëse, ligjet zbatohen në kohë, autoritetet respektojnë vendimet juridike, ndërsa rregullat hartohen dhe miratohen në përputhje me moralin dhe procedurat e parashikuara me ligj. Në të gjitha rastet, interesi publik qëndron përpara interesit individual. Parë në këtë këndvështrim të thjeshtë, kuptohet fakti që Shqipëria kurrë nuk ka patur qeverisje të mirë, aq më tepër gjatë këtyre 90 muajve të fundit të një qeverisje të njohur për korrupsion, kaos institucional dhe konspiracion. Arsyet për të bashkuar votën e lirë në shërbim të ndryshimit të qeverisjes aktuale të Shipërisë janë të shumta, ndërsa po përmendim vetëm disa prej tyre. Falë egoizmit, grykësisë dhe amoralitetit politik, në mandatin e dytë të qeverijses, duket që klani i rilindjes degradoi shtetin dhe politikën në një monizëm dhe totalitarizëm absurd. Për më keq, me anë të ligjeve dhe VKM-ve korruptive, u konstruktue një qeverisje e mirëfilltë klanore, konfliktuale, bulliste, hajdute, përçarëse dhe krahinore. Një qeverisje, që nuk kurseu as diplomacinë, as arrogancën dhe sjelljen e hapur antishqiptare ndaj Kosovës dhe as humbjen e peshës politike të faktorit shqiptarë në rajon dhe më gjerë. Qeverisja e rilindjes do të mbahet mënd gjatë si ngrehina më e shëmtuar e sofizmit, fiktivitetit dhe propagandës, përmes të cilave u zhvilluan gënjeshtrat dhe megavjedhjet më të mëdha në projekte dhe investime, në taksa dhe tatime, në mjedis dhe bujqësi, në arsim dhe zonat turistike, etj. Në këtë lloj qeverisje hermetike, nuk u tha asnjë e vërtetë, përveç dy shprehjeve të njohura: “nuk keni parë gjë akoma” dhe “e dua vetëm tepsinë dhe kazanin”.

Qeverisja e Rilindjes duket që e lartësoi dhe e zhvilloi mashtrimin në një mënyrë krijuese, përmes të cilës arriti që të mashtrojë deri edhe faktorin ndërkombëtarë në lidhje me projektet, strategjitë e zhvillimit, investimet dhe reformat, të cilat i përdori për demagogji dhe koperturë, nga ku bullizoi dhe mënjanoi ekspertizën, elitën dhe opozitën, deri në atë pikë sa e detyroi që të largohet edhe nga institucionet dhe kontrolli i funksionimit të pavarur të pushteteve. Në këtë mënyrë, qeverisja e Rilindjes, arriti që të sundojë e vetme duke lartësuar gjithnjë e më shumë korrupsionin, përçarjen kombëtare dhe varfërinë. Duke e menduar Shqipërinë si çifligun apo lopën e klanit nepotik e krahinorë të partisë, duket sikur është hartuar dhe zbatuar në mënyrë graduale e të nëndheshme një spastrim politik i mirëfilltë i rinisë, familjeve dhe popullsisë opozitare. Përmes këtij procesi dhe proceseve të tjera sikurse janë ato të dyfishimit apo trefishimit të numrit të punonjësve të administratës me militantë të rilindjes, apo inkurajimit të klaneve të errëta të trafiqeve, të kanabizimit, të korrupsionit dhe të aktiviteteve të tjera të pastrimit të parave të evazionit dhe krimit ekonomik në ndërtimtari, prona, etj, qeverisja e Rilindjes arriti që ta sjellë vendin fiks në kushtet e një diktature të dhunshme, të njëanshme e kundër interesave tona kombëtare. Qeverisja e rilindjes e ka degraduar deri në ekstrem mjedisin tonë shoqëror dhe politik. Pothuajëse njëlloj si në kohën e komunizmit, popullsia  e Shqipërisë është përçarë dhe etiketuar si rilindase apo me çuna të mirë e që meritojnë poste, para e pushtet, dhe në një popull, çuna dhe familje të këqija e jo besnike, përfshirë këtu edhe pjesën dërrmuese të socialistëve, demokratëve, demokristianëve, agrarëve, republikanëve etj, të cilët meritojnë shpërfillje, fyerje, pushime nga puna, dëbime në azil, burgosje, kanosje, rritje taksash, mungesë ndihmash, si dhe mungesë të rritjes së rrogave, pensioneve, etj. Akoma më keq ka ndodhur me faktin se si kjo Shqipëria jonë e vogël, duket sikur është ndarë në dy copa dhe realitete të ndryshme. Nga njëra anë qëndrojnë disa fshatra, lagje e krahina “të rendësishme” dhe me një supër përfaqësim në politikë dhe institucione, kurse nga ana tjetër janë krijuar disa zona, komunitete e deri dhe qytete të varfëra e në dukje të “të parendësishme”, e pa asnjë përfaqësim e mundësi pjesëmarrje në vendimarrjen dhe në administrimin e përbashkët të fateve, të investimeve dhe të pasurisë kombëtare. Ndarja është thelluar duke zbritur deri në nivelin dhe statusin e fëmijëve. Nga njëra është krijuar duzina e njohur e fëmijëve të klanit të bodigardëve, trafikantëve dhe politikanëve të korruptuar, të cilët studiojnë nëpër shkollat dhe universitetet më të kushtueshme, e që më pas edhe punësohen me taraf, pa meritokraci dhe menjëherë në pozicionet më të mira. Përkundrejt fëmijëve të opozitarëve dhe të popullit të varfër që në jo pak raste janë etiketuar e quajtur huliganë, por që gabimisht janë diferencuar e lënë pa asnjë mundësi përfaqësimi, punësimi dhe jetese me punë të ndershme në shtetin dhe atdheun e tyre. Ky është dëmi më i madh që i është bërë shoqërisë shqiptare në këto vite. Kjo dukuri e hidhur e me një pasveprim shumë të rrezikshëm, duket sikur ushqehet e mbahet gjallë nga mungesa e gjatë e funksionimit të drejtësisë dhe nga mungesa e qëllimshme e qarkullimit të mirëfilltë të elitave në administratë dhe nëninstitucionet tona shtetërore e politike të njëanëshme, aspak të besueshme dhe aspak të respektueshme. Qeverisja e rilindjes, si askund tjetër në botë, ka arritur që të degradojë deri dhe protokollin dhe sjelljen zyrtare të funksionarëve, specialistëve dhe drejtuesve të institucioneve dhe administratës shtetërore. Në këta 90 muaj, si kurrë më parë, kemi parë e dëgjuar për atë mënyrën se si diskutohet dhe raportohet me turravrap përpara kamerave, mediave, specialistëve dhe punëtorëve të keqpaguar e të kequshqyer. As në kohën e diktaturës nuk e kemi parë këtë model sjellje dhe raportimi me turravrap, me kapardisje e me hap ushtarak, ku raportohet duke ecur e mezi duke u mbushur me frymë. Për këtë lloj sjellje, duket sikur nuk kanë asnjë rëndësi as protokolli, as raportimi institucional, as vendimarrja mbi bazën e analzës dhe debatit inxhinierik, as supërvizioni dhe oponenca e mirëfilltë tekniko-shkencore, as informimi i kuptueshëm i publikut. Rëndësia kryesore i është kushtuar aktrimit dhe regjistrimeve të ecjes hap rreshtorë e turra vrap.

Në këtë mënyrë mund të vazhdojmë duke analizuar pa fund edhe të tjera dukuri e sjellje të gabuara të kësaj qeverisje, që në analizën time më rezulton e njëanshme dhe tepër e nxirë nga korrupsioni, nga varfëria, nga nepotizmi dhe nga mllefi dhe përçarja e thellë shoqërore e politike e shkaktuar dhe e akumuluar në vite.

Pavarësishtë nga këndvështrimi im mbi dukuritë e mësipërme dhe mbi të tjera fenomene dhe ngjarje të ndodhura, më e rëndësishmja për këtë fundviti më duket që është rruga e ndriçimit dhe shëndoshjes së mendjes dhe zëmrave të shqiptarëve, të cilët duhet të bashkohen me patjetër për të bërë ndryshimin e duhur në mendësi, në qeverisje, në lidërship dhe në menaxhment. Ndryshimi për të mirën e atdheut tonë të përbashkët është bërë çështje jetike, për të cilën vlen dhe duhet të bashkohemi si kurrë më parë.

 

box

 

Sjell ndërmend thëniet e At Zef Pllumit, sipas të cilit: “Është i mjerë ai popull që nuk ja del me zotnue bijtë e vet të këqij” dhe se “Shqipëria jonë e vogël dhe e gjakosur nuk ka parë ende demokraci të plotë, mjerisht këto vitet e fundit u rikthye bindshëm në një sistem autokrat paradiktatorial.”

Ndaj çdo ditë që kalon, duket që shqiptarët janë gjithnjë e më afër ditës së gjykimit dhe dënimit publik të korrupsionit dhe të hajdutërisë së sundimtarëve dhe klaneve politike në ekonomi, në diplomaci, në demografi, në arsim, në kulturë, në burimet natyrore, në investime, etj. Çdo ditë që vjen i gjen shqiptarët gjithnjë e më pranë finalizimit të funksionalizimit të plotë të organeve kushtetuese që do të mund të drejtojnë betejën ligjore kundër kriminalitetit dhe korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri.

 

box

 

Platoni thoshte që: Vlera e një burri është ajo që bën me pushtetin” dhe “Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët”.

Nisur nga këto përfundime filozofike, na rezulton se politikanët e këtyre viteve e dekadave, kanë abuzuar aq shumë me pushtetin, dhe si të tillë nuk kanë asnjë vlerë positive për shoqërinë dhe as për shtetin e as për politikën shqiptare. Në këtë situatë, duket që detyra më e madhe e çdo shqiptari është largimi me votë i kakistokratëve dhe të korruptuarëve dhe shkëputja sa më parë e kontratës së qeverisjes prej tyre.

 

Box

Filozofi gjerman Emanuel Kant (1724 -1804), ka shkruar: Ai që e bën veten krimb, nuk mund të ankohet pastaj kur të tjerët shkelin mbi të me këpucë”.

Kjo thënie duket sikur është shkruar për tu lexuar e kuptuar thellë nga shqiptarët e vjedhur, të mashtruar e të varfëruar si askush tjetër në Ballkan dhe në Europë.Vlen të kuptohet nga të gjithë shqiptarët e lënë pa punë, vlen edhe për nxënësit dhe studentët e lënë pa shkolla dhe universitete funksionale e bashkëkohore. Vlen edhe për popullsinë e lenë pa shërbimet e duhura mjekësore, për qytetarët e lënë pa drejtësinë dhe sigurinë për jetën dhe pronën, për fshatrat dhe rajonet e vjedhura në subvencione, në investime, në trojet dhe mjediset turistike, si dhe në burimet ujore. Vlen edhe për prindërit me fëmijë të dhunuar, të lënë pa punë e të dëbuar në kampet e azilit. Për të gjithë ka vetëm një zgjidhje, atë të bashkimit dhe të përdorimit të forcës së votës së lirë kundër qeverisjes dhe politikës përçarëse e varfëruese të shqiptarëve.