Biznesi i vogë ultimatum qeverisë: Plotësoni 10 kërkesa ose hidhemi në grevë

 

Të përgjysmohen taksat dhe tarifat vendore, kërcënohemi përballë një kolapsi ekonomik dhe social

NOA

Mbi 38 mijë biznese kanë shpallur falimentin dhe 120 mijë persona kanë humbur vendin e punës si pasojë e krizës së thellë ekonomike në Shqipëri si pasojë e pandemisë së COVID-19. Alarmi është dhënë nga Shoqata e Biznesit të Vogël, e cila fajëson drejtpërdrejt qeverinë për këtë kolaps ekonomik.

Të gjitha organizatat e biznesit në Shqipëri i kanë bërë thirrje sot qeverisë Rama t’i mbështesë me masa konkrete në kushtet e rritjes së ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike me një afat brenda 10 marsit ose në të kundërt ato do të përshkallëzojnë reagimin e tyre.

Shpëtim Agolli Shoqata e biznesit të vogël: Të përgjysmohen taksat dhe tarifat vendore, të cilat kanë pësuar rritje këto vitet e fundit, sidomos në qarqet dhe qytetet më të mëdha të vendit. Të rishikohen dhe kompesohen të gjitha faturat e energjisë elektrike dhe ujit të atyre bizneseve, që u mbyllën gjatë pandemisë dhe u tarifuan me vlerën e muajve përkatës të vitit 2019. Të hartohet një ligj mbi faljen fiskale, njëlloj si Ligji i vitit 2017 me nr. 33, për pagesat dhe detyrimet tatimore dhe doganore, si dhe gjobat e vendosura nga çdo institucion tjetër shtetëror. Çdo biznes i vogël të financohet për këtë periudhë me 1200 Euro, për përballimin e krizës dhe për të nxitur rritjen e punësimit.  Biznesi i vogël i ka dhënë afat qeverisë 15 ditë që të përmbushë këto kërkesa, në të kundërt ata do të protestojnë dhe paralajmëruar edhe grevë urie.

 

Një listë kërkesash iu paraqit  qeverisë nga: Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Shoqatat e biznesit; Bashkimi i Prodhuesve Shqiptar, Qendra e Eksporteve Shqiptare, Bashkimi Tregtar i Shqipërisë, Shoqata e Konvertuesve të Plastikës, Dhoma Italiane në Shqipëri, Unioni Tregtar Agroushqimor dhe Industrial, Shoqata “Industria e Përpunimit të Qumështit”, Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë.Në deklaratën e tyre thuhet: “Kriza e energjisë elektrike është bërë kryefjala e ditës, pjesë shumë e ndjeshme e debateve publike dhe ekonomike. Por për sipërmarrjen çdo ditë e më shumë kjo krizë po bëhet një faktor kërcënues, që po e çon drejt pamundësisë dhe falimentimit. Përballja reale me këto çmime po vë në vështirësi një pjesë të madhe të bizneseve të industrive prodhuese, të cilët edhe pse mund të arrijnë të sigurojnë energjinë, po paguajnë një kosto të lartë për të, çka do të reflektohet tek kostoja e prodhimit e në vazhdim me efekt zinxhir te kostoja e produkteve të tregut të konsumatorëve.
Pjesa më e madhe e bizneseve në grupin që do të dalin në tregun e lirë janë në zonat e industrializuara dhe kryesisht mes Tiranës dhe Durrësit. Kërcënohemi përballë një kolapsi ekonomik dhe social, pasi efekti që krijohet nga rritja e çmimeve tani do të jetë zinxhir me ndikim në të gjithë sektorët e ekonomisë. Bizneset e mëdha prodhuese nuk mund ta përballojnë të vetme një rritje kaq të madhe të çmimit të energjisë elektrike, jemi të pambrojtur nga këto luhatje të tregut qoftë ndërkombëtar por edhe nga tarifat e shpërndarjes, që ofrohen nga tregu vendas. Për sipërmarrjet prodhuese, shpenzimet për energjinë elektrike zënë një pjesë të konsiderueshme të kostos së prodhimit të çdo produkti e cila varion nga 20-40%, në varësi të teknologjisë së instaluar, që përdoret për prodhim industrial.