Prof. As. Dr. Spiro Mëhilli: Polonia, viktimë e Luftës së Dytë Botërore

756
Sigal

Kush nuk respekton dhe vlerëson të shkuarën e tij,

nuk është i denjë të respektohet,

nuk është i denjë të ketë të tashme,

 por as edhe të drejtë të ketë të ardhme.

 

Juzef Pilsudski

 

Polonia akoma nuk është zhdukur,

Për sa kohë qëndrojmë ne,

Atë që armiku me forcë ka marrë,

Me shpatë në dorë do ta rimarrim.

Nga Himni Kombëtar Polak

 

Kur isha student në Leningrad kisha dy shokë polakë, Ludvinjakun dhe Peçakun. Ludvinjaku ishte anëtar i Partisë së Bashkuar Fshatare, ndërsa Peçaku, anëtar i Partisë Demokratike, megjithëse të dy ishin oficerë. Në atë kohë më dukej çudi sesi në Poloni kishte disa parti, kur në vendin tim, në Shqipëri, kishte vetëm një parti dhe ajo ishte Partia e Punës në një vend ku më tepër se 70% e popullsisë ishte fshatarë.

Më kujtohet një ditë, andej nga fillimi i netëve të bardha, Peçakun nuk e mbante vendi. Vinte vërdallë nëpër korridor. Dukej sikur fliste me vete. Ishte i shqetësuar. Zbriti shkallët e diku shkoi. U kthye pas një ore, por përsëri i shqetësuar.

– Çfarë ke Peçak? – e pata pyetur.

– Sot luajmë me Bashkimin Sovjetik. Në Moskë, djemtë tanë do të ndeshen me rusët.

– Po pastaj?

– Duhet të fitojmë me çdo kusht.

– Në futboll ka fitore, ka barazim, ka dhe humbje. Përjashto barazimin, dikush do ta fitojë ndeshjen.

– Ky takim nuk është vetëm futbollistik. Ne duhet të futemi në fushë vetëm për fitore. Duhet t’i mundim rusët.

Me ato fjalë u ndamë. Pasdite u takuam sërish dhe e pyeta:

– Hë, si përfundoi ndeshja?

– Mos më ngacmo. Na rrahën kot së koti.

– Si kot? Ju hëngrët shtatë petulla dhe jo një, që të thuash kot. Me sa duket, ju jeni të çmendur pas kombëtares së Polonisë.

– Po, po. Kështu jemi të gjithë. Të them të drejtën, nuk e duam Rusinë. Rusia ka shumë gjynahe ndaj nesh. Më 1 shtator të vitit 1939, Gjermania dhe më 17 shtator, Rusia, sulmuan vendin tonë. U ndodhëm në mes dy zjarresh. Polonia u nda në dy pjesë, gjysmën e morën gjermanët dhe gjysmën tjetër sovjetikët. Kur kujtojmë Katinin na dridhet mishi i trupit.

Nuk e kisha të qartë se ku donte të dilte Peçaku me Katinin, pasi nuk e kisha idenë se ku ndodhej Katini dhe se çfarë kishte ndodhur atje. Vite më vonë, si u ktheva në vendin tim, u interesova dhe e mora vesh të vërtetën, tragjedinë e pyjeve të Smolenskut dhe fatin e 250.000 trupave polake, ku rreth 22.000 ishin gjeneralë, oficerë, akademikë, mjekë, profesorë etj., të lidhur me pranga e të pushkatuar me plumb pas koke me urdhër Stalinit, apo të “Dajë Mustaqes”, sikundër e quanin atë midis tyre Rusvelti dhe Çërçilli. Në atë kohë, ato thënie m’u dukën tendencioze dhe mashtruese nga një oficer polak. Polonia, jo vetëm që do të ishte viktimë e Luftës II Botërore, por do të mbante vendin e tretë për nga numri i viktimave, rreth 6.900.000, ku 3.100.000 ishin hebrenj.

Populli polak ishte i pamposhtur. Ai nuk e pranonte diktaturën, prandaj dhe disa herë u ngrit në revolta. Në vitet 1945-47 u vranë mbi 70 veta. Në vitin 1956, në Poznan, u zhvillua një revoltë tjetër, që përfundoi me 40 të ekzekutuar. Në vitin 1968 në universitete dhe në të gjithë vendin; në vitin 1970 në Poloninë veriore dhe në 1976 në Rodom dhe në Ursus pati revolta popullore. Në vitin 1980 vendi u trondit nga borxhi i madh publik, për pasojë shpërthyen grevat në Lublin, në kantierin detar në Gdansk dhe që më pas u përhapën në të gjithë vendin. Më 31 gusht 1980 greva e përgjithshme përfundoi me një marrëveshje ndërmjet qeverisë dhe grevistëve. Më 17 shtator 1980 u krijua Sindikata e Pavarur Vetëdrejtuese “Solidarnosti” (Solidariteti), që çoi në bashkimin rreth saj të mbi 10 milionë njerëzve. Do të ishte kjo organizatë e fuqishme që shumë shpejt do të çonte në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, në bashkimin e dy shteteve gjermane dhe rrëzimin në tërësi të komunizmit. Rreth 15 muaj më vonë autoritetet komuniste polake vunë re se situata ishte duke u dalë jashtë kontrollit prandaj vendosën të ndërhyjnë. Më 12-13 dhjetor 1981 gjenerali Vojçek Jaruzelski vendosi ligjin ushtarak, ku 70.000 ushtarë, 30.000 punonjës milicie, 1700 tanke, 1900 transportues të blinduar, 9000 kamionë dhe autobusë, skuadra helikopterësh dhe avionësh kontrollonin territorin polak. Të gjitha organizatat joqeveritare u konsideruan të jashtëligjshme dhe anëtarët e saj u internuan. Në kufirin shtetëror polak rusët, gjermanët dhe çekët u përgatitën për ndërhyrje ushtarake sepse “Dobzhët” po rrëshqisnin nga Kampi Socialist. Për shkak të gjendjes së tmerrshme të ekonomisë dhe në pamundësi për të udhëhequr vendin, më 6 shkurt 1989 udhëheqja polake me në krye Jaruzelskin filloi bisedimet me grupet opozitare ku futej edhe lëvizja e jashtëligjshme “Solidarnosti” dhe të mbështetur nga Karol Vojtila ose Papa Gjon Pali II; Les Valesa, Adam Mikniç, Jaçek Kuron dhe Beronisllav Geremek u sollën fitoren.

Stalini: Qeveria sovjetike e vlerëson shumë traktatin e ri dhe ju jap fjalën time të nderit se Bashkimi Sovjetik nuk do ta gënjejë partnerin e tij.

Jam i bindur se populli gjerman e do Fyhrerin e tij, prandaj unë mund të pi për shëndetin e tij.

Miqësia e popujve të Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik është çimentuar me gjak dhe me të gjitha të drejtat për të qenë e gjatë dhe solide.

 

Hitleri: Urimet me të mira për lumturinë tuaj personale, si dhe për miqësinë e ardhshme të popujve të Bashkimit Sovjetik mik.

 

Ribbentrop: Stalini dhe Molotovi janë njerëz mjaft të këndshëm. Unë e ndjeva veten si midis shokësh të vjetër partie.

 

Molotov: Unë mora lajmin tuaj që ka të bëjë me futjen e trupave gjermane në Varshavë. Dëshiroj t’ju transmetoj të gjitha urimet e mia dhe të gjitha përgëzimet e mia Qeverisë së Rajhut.