Prof. As. Dr. Artan XH. DUKA: Fleten e votimit e ka në dorëvotuesi !

402
Sigal

E megjithatë, fletën e votimit e ka në dorë votuesi!

Tymi i bardhë i kulisave është tym i zi për demokracinë

Partitë e mëdha e kanë “gogol” votën e lirë. Në mos të implikuara keq me të shkuarën, apo se u hyn lezeti i pushtetit, sot, sidomos në kontekstin e reformës në drejtësi që po u kanos imunitetin juridik, u duhet medoemos imuniteti politik duke ruajtur statukuonë e listave të mbyllura në votime. Ndaj dhe “konsensusi” taze PS-PD mbi reformën zgjedhore, është tym i bardhë për “kënetën” e politikës por jo për demokracinë dhe votën e lirë.

Njëri-tjetrit nuk ia dalim dot, ndaj dhe konsensusi i vetëm në shoqëri e politikë, është shkuarja në votime çdo katër vjet dhe zbatimi ligjit të miratuar me shumicë. Nëse duhen ndryshuar rregullat e votimit, duhet pritur vota e rradhës për të shpalosur para votuesit dhe jo partisë kundërshtare, zotimin elektoral për reformimin e ligjit zgjedhor.

Këshilli Politik ishte përçudnim antikushtetues e antidemokratik sepse  Kushtetuta e rregullon demokracinë përmes ligjeve, votës së qytetarit dhe shumicave të cilësuara në parlament e gjetkë dhe jo me dalldinë e “konsensusit” në tryezë kulisash partiak që shndërrojnë në farsë më pas vetë parlamentin.

Ulja në tryezën e sajuar e PS-së, dëshmoi mungesë korrektësie institucionale prej saj. Ajo u bë palë dhe “legalizoi” PD-në e LSI-në, që me qasjet antikushtetuese ndaj institucioneve e votës  zgjodhën anonimatin e rrugës, ndërkohë që  anashkaloi e shpërfilli politikanë kurajozë që zunë vëndet bosh në parlament duke shmangur krizën e parlamentit, apo të tjerë që ligji zgjedhor i diskriminon si të “vegjël”, pavarësisht kauzave madhore pas. Tryeza ishte një tymnajë politike për të shmangur thelbin e Reformës Zgjedhore. U hodhën gurë pas guri në lumë, u ofruan gjë-a-gjëza  mediatike në pritje të “tymit të bardhë”, që vetëm me listat e hapura apo referendumin për sistemin, nuk kishte lidhje. Por, në demokraci nuk ecet me ujdira kulisash dhe argumenti se “kompromisi nënkupton lëshim reciprok,  është vetëm alibi e pazarit politik. Debati dhe vula vihen vetëm në parlament,  dhe i vetmi konsensus demokratik, është ai mes partive dhe votuesve, mes partive në parlament dhe mes të gjithëve dhe ligjit njëlloj për të gjithë.

“Konsensusi” si alibi për nëpërkëmbje reformash dhe ortakëri! 

Si parti në pushtet, PS-ja,  duhet të jetë e gatshme për consensus, por jo duke nëpërkëmbur institucionet. Për më tepër ndaj një politike hileqare që bojkoton institucione, i kundërvihet votës, provokon anarki etj. Vicklat e PD-së , që hall ka sa të ulet në tryezë dhe pastaj ta zvarriti me yçkla e retorika boshe ,  duke “pjellë mali një mi”, nuk befasojnë kënd. E ka zakon arrogancën në pushtet dhe vet-viktimizimin në opozitë! Nga arbitrariteti i qeverisjes së ‘90 e pas 2005 (në pushtet me paterica), kundërvënia ndaj referendumit kushtetues, cirku me çadër në bulevard për pazare nate etj. PS-ja, më shumë se ujdinë me -në e bishtat e saj, duhet të vlerësojë dakortësinë me votuesin, SHBA-në e BE-në,  si kujdestarë të demokracisë dhe vetë ligjet e shtetit ligjor. Ndryshe, është bashkëfajtore në zvarritjen e reformave dhe “mullarin” e problemeve pafund. Nëse -ja e ka “fiksim” konsensusin, parlamentin aty e ka. Aty mund të konsultohen edhe partitë e papërfaqësuara në Kuvend apo grupe të ndryshme interesi qytetar. E hapur, edhe ndaj një qeverie “kujdestare” dy muaj para zgjedhjeve si rutinë e re e sanksionuar deri në Kushtetutë. Fundja, 2 muaj nuk kompromentojnë 4 vjet ushtrim pushteti dhe ndërkohë hiqet çdo merak politik e qytetar.

Ca kusure ligji zgjedhor, ca dhe votuesi vetë!

Zhgënjimet me parlamentin dëshmojnë , se kemi nevojë për reformë reale dhe jo arnime të ligjit zgjedhor. Tani që topi ka kaluar në parlament, duhet arritur konsensus për një ligj të ri zgjedhor. Në pamundësi të STV-së irlandez që heq merakun e të “keqes” më të madhe, variant familjar mbetet mazhoritari (votë-për-kokë)  me korrigjim proporcional (ndroja nga futja e të “fortëve” nuk qëndron sepse drejtësia e ligji nuk janë si më parë). Nëse koha nuk premton, minimumi të hapen listat për ligjin ekzistues. Politika e tranzicionit është përfolur shumë,  ndaj dhe nuk habit rezistenca ndaj reformave që e nxjerrin zbuluar atë. U degradua reforma e pronës për të justifikuar abuzimin, u ciflos Kushtetuta me ligj zgjedhor që garanton imunitet politik, u kap drejtësia për të mbrojtur abuzimin në gjykatë etj. Ndaj dhe reforma reale apo referendumi për sistemin zgjedhor mbetet “tabu” për të. Por përtej rezervave për sistemin zgjedhor (të gjithë demokratik), “topi” prapë shkon tek votuesi. Është në dorën e qytetarit kë parti voton. Nëse sugjestionohet të zgjedhë mes dy të këqijave, t’i refuzojë të dyja dhe të votojë një të tretë. Nëse nuk ka një të tretë, të frymëzojë një të tillë apo organizohet e krijojë një të tillë që krye-premtim para elektoratit të ketë një ligj të ri zgjedhor apo referendum për të.

 Me këta nëpër këmbë, referendumi duhet menduar mirë

Kemi përjetuar më shumë se një sistem zgjedhor ndaj dhe referendumi ka logjikën e tij. Por sado zgjidhje “magjike”, ai ka dritë-hijet e tij. Ndonse demokraci direkte, ai nuk është automatikisht bartës objektiv i së vërtetës dhe mund të krijojë ndasi të thella në publik. Nga ana tjetër, aq sa mundësi për zhbërjen e statukuosë politike, po aq mund të jetë edhe alibi për këtë , për të vazhduar me nge. Referendumi është votim, dhe politika e kulisave, edhe nëse e lejon, me siguri do të fusë duart në të. Dhe nëse ia del, me verdiktin “plebishitar” do të spekulohet gjatë. Ndaj dhe referendumi kërkon frymë që krijohet dhe bartet nga qytetarë me integritet e të respektuar në shoqëri. Nga mbledhja e firmave për peticion (nëse politika nuk hap udhë apo kompromenton objektin e referendumit), argumenti publik që vë në siklet e ekspozon politikanët e përfolur tek qytetarit (dhe motivon reformatorët brënda partive) etj.

Lajmi i mirë është se, herët a vonë, si reforma në drejtësi, ashtu dhe ajo elektorale do të futen në hulli. Shqipëria është pjesë e “mozaikut” perëndimor dhe afërmëndsh, anomalia demokratike stonon, dhe SHBA-ja e BE-ja nuk do rrinë duarkryq.

Nuk ka të bëjë fare me retorikën e sovranitetit nga syresh që me reformat po u ikën imuniteti juridik dhe politik. E kemi vet-ofruar atë me konsensus kur u nisëm drejt BE-së,  apo hymë në  NATO,  e institucione ndërkombëtare. Dhe më mirë kur e ndajmë me partnerë në tryeza ku ndahet e mira e përbashkët,  sesa ta shtrojmë si “beze” tryezave të pazarit politik ku ulen, jo nga halli i shoqërisë, por nga halli i tyre,  dhe që pastaj e bëjnë tërkuzë se i detyron po ai.