Prof. Dr. Qemal Lame: Europa zgjerohet dhe mbrohet

238
Sigal

Samit të NATO-s, në Madrid dëshmoi për forcimin e Aleancës Perëndimore. Realiteti i sotëm gjeopolitik është shumë i ndryshëm nga ai i një çerek shekulli më parë. Në Samitin e Madridit të vitit 1997, NATO ftoi tre ish vende të Paktit të Varshavës – Republikën Çeke, Hungarinë dhe Poloninë – për t’u bashkuar. Gjithashtu atë vit, pas nënshkrimit të Aktit Themelues NATO-Rusi dhe formimit pasues të Këshillit NATO-Rusi, Evropa priste me padurim një të ardhme të pajtimit të paprecedentë me Kremlinin. Partneriteti dhe miqësia i përkasin të kaluarës. Me Strategjinë e Re të NATO-s u përcaktua se Rusia është armike.

NATO është dëshmuar si e domosdoshme për sigurinë e Evropës dhe garancia më e mirë për sigurinë kombëtare të një numri në rritje vendesh, që janë anëtarësuar në këtë aleancë. Një nga pasojat më të rëndësishme të luftës në Ukrainë është aplikimi i Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Të dyja janë vende që kanë cilësitë për të dhënë një kontribut pozitiv në aleancë. Eshtë rritur edhe interesimi i qytetarëve të Danimarkës për t’iu bashkuar mbrojtjes së BE-së.

Në Bashkimin Evropian dhe shtetet e saj anëtare është zhvilluar për dekada diskutimi për sigurinë midis pro-evropianëve dhe atlanticistëve. Nacionalistët bëhen pengesë me mendimet e tyre të gabuara kundër forcimit të bashkësisë dhe integrimit. Sot, është krijuar bindja e ndërgjegjshme se evropianët duhet të jenë më të përkushtuar ndaj Aleancës dhe sigurisë evropiane, dhe se ata duhet të zhvillojnë dhe garantojnë masat e nevojshme për të marrë një rol udhëheqës në krizat e ardhshme të sigurisë. Prandaj, është rritur interesimi se si Evropa mund të kontribuojë më së miri në misionin e NATO-s.

Një Evropë gjeopolitike dhe gjeostrategjike, është detyrë thelbësore për efektivitetin e rolit të bashkësisë, si dhe për rigjallërimin e aleancës transatlantike të sigurisë. Ngjarjet e muajve të fundit kanë treguar se BE-ja mund t’i përgjigjet kërcënimeve të sigurisë në mënyrë të koordinuar dhe të fuqishme. Sanksionet gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë, financimi i përbashkët i shitjeve të armëve në Ukrainë dhe nevoja për të reduktuar në mënyrë drastike varësinë e Evropës nga energjia ruse do të kishin qenë të paimagjinueshme para agresionit rus, në 24 shkurt 2022, ndaj Ukrainës.

Pas masave të marra për të zbutur pasojat ekonomike nga COVID-19, si dhe përgjigja evropiane ndaj pushtimit rus të Ukrainës kanë treguar se Evropa po forcohet në kohë të vështira. Fakt është se agresioni rus nuk u parashikua dhe ndalua në kohë. Pasojat katastrofike me viktimat e pafajshme ndërgjegjësuan për reagime të menjëherëshme, ndalimin e zgjerimit dhe kundërpërgjigjen për të mbrojtur çdo centimetër të teritorit të shteteve të aleancës duke kompaktësuar bashkëpunimin dhe unifikimin e politikave. Komisioni Evropian dhe qeveritë e shteteve anëtare me forca të jashtëzakonshme gjetën burimet e nevojshme për gaz, investimin emergjent për burime të reja energjisësë rinovueshme dhe shkëputjen nga varësia e gazit rus,përballimin e kostos së rëndë ekonomike e të inflacionit.

Forcimi i integrimit evropian ka krijuar bazën për unifikimin e politikave që janë parashikuar në çështjet e mbrojtjes. Progresi i bërë gjatë 20 viteve të fundit në politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes, përvoja e fituar nga misionet civile dhe ushtarake të BE-së, puna e Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes dhe miratimi i Konceptit të Ri Strategjik e kanë vendosur Evropën në një pozicion të favorshëm për të arritur qëllimet e parashikuara për të ardhmen.

Gatishmëria e popullatës kombëtare dhe e institucioneve qëndrore të BE-së për të financuar projekte të përbashkëta për të forcuar institucionet e mbrojtjes së Evropës është një hap i parë i rëndësishëm. Reflektimi në përgjegjësinë për mbrojtjen dhe ndryshimi me guxim i politikave të qeverisë gjermane, e cila gati dyfishoi shpenzimet e saj të mbrojtjes në 100 miliardë euro në 2022, përfaqëson një transformim rrënjësor dhe një mundësi historike në objektivin për tu bërë një fuqi gjeopolitike me përgjegjësi për BE-në dhe NATO-n, si dhe për të financuar projekte me partnerë të tjerë evropianë.

Gjermania nuk është një rast i izoluar. Lufta në Ukrainë i ka shtyrë vendet anëtare të BE-së të miratojnë rritje të paprecedentë në shpenzimet e tyre të mbrojtjes që arrijnë në 200 miliardë euro gjatë katër viteve të ardhshme. Këto ndryshime janë me të vërtetë një hop cilësor, në krahasim me plogështinë e kaluar të Evropës. Gjatë 20 viteve të fundit, përqindja e rritjes në shpenzimet e përbashkëta të mbrojtjes në vendet anëtare të BE-së ka qenë një e treta e asaj të SHBA-së, një e pesëmbëdhjetë e asaj të Rusisë dhe një e tridhjeta e asaj të Kinës.

Për fat të mirë, niveli i rritjes së shpenzimeve ushtarake programuar edhe me kërkesën se si do të përdoren fondet e caktuara. Masat e përbashkëta ndihmojnë në forcimin e bazës industriale dhe teknologjike të Evropës. Premtimi i fundit i Komisionit Evropian për të ndarë 500 milionë euro për prokurimin e përbashkët tregon qartë se Evropa po ecën në drejtimin e duhur.

Evropa aktualisht blenë nga SHBA dhe vendet e tjera partnere 60 për qind të armatimeve të saj. Shpenzimet e përqëndruara të mbrojtjes kanë për qëllim që të shmangin rritjen e varësisë nga industritë e mbrojtjes të vendeve të tjera, si dhe të nxiten përpjekjet për të arritur një autonomi më të madhe strategjike evropiane. Bashkimi Evropian i Mbrojtjes i propozuar nga Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen nuk do të lejojë të përparësi të njëanëshme dhe varësi të reja të brendshme nga të cilat përfitojnë disa industri kombëtare brenda Evropës.

Forcimi i marrëdhënieve transatlantike do të thotë të rrisësh besimin dhe të dëshmosh konkretisht ndryshimin me përkushtimin evropian për aleancën dhe për vetë bashkësinë. Zhvillimi i politikës së përbashkët të mbrojtjes së BE-së nuk parashikon një ndarje të përgjegjësive në lidhje me sigurinë evropiane dhe as nuk synon të zëvendësojë funksionin jetik të kryer nga NATO. Përgjegjësitë e institucioneve që përbëjnë bazën e aleancës transatlantike të sigurisë do të mbeten të njëjta. Ajo që është e rëndësishme është t’i adresojmë këto përgjegjësi me të gjitha kapacitetet tona ekzistuese.

Krahas këtyre arritjeve, mendoj se është jetike që krahas masave ushatarke të gjejnë vendin e duhur edhe ato diplomatike.Është e domosdoshme:

1.Të rriten përpjekjet për të ndalur luftën dhe arritjen e paqes në Ukrainë, krizën e re të transportit hekurudhor të Rusisë me Kaliningradin si masa të domosdoshme për të parandaluar një përshkallëzim me përmasa botërore.

2.Forcimi dhe zgjerimi i NATO-s dhe mbrojtjes evropiane, sipas Konceptit të Ri Strategjik të Aleancës, kanë rikrijuar realisht një Luftë të Re të Ftohtë. Aleanca Perëndimore e fuqishme është një domosdoshmëri për t‘u përballuar me Rusinë e Kinën, por edhe për të ruajtur disa ekuilibre dhe mënjanuar me zotësi konfrontimet e panevojshme.

3.Turqia ndryshoi qëndrimin për veton dhe u realizua ftesa për anëtarësim në aleancë për Suedinë dhe Finlandën. Ato nënshkruan deklaratën duke pranuar kërkesat e Turqisë, ndërsa pas vendimit të NATO-s publikojnë qëndrimet zyrtare se për ekstardimet vendoset sipas ligjeve të vendeve të tyre dhe të BE-së. Kërkesat e Presidentit Erdogan janë shumë të rrepta dhe ai kërcënon për bllokimin e miratimit në Parlament dhe krijohen pasoja për aleancën.

Vullneti politik i evropianëve dhe qeverive të tyre, fuqizmi i mbrojtjes dhe bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të garantojnë sigurinë në kontinentin tonë, ruajtjen e rendit botëror të ekulibrave midis superfuqive të kohës, mbrojtjen e paqes dhe mirëqënies së njerëzimit.