Prof. Artan XH. Duka: Qeveria dhe qokat speciale për pensionet !

Qeveria e qokave!

Artan Xh. Duka

NOA

 

Pensionet speciale qeveritare janë shprehja e rradhës së karshillëkut flagrant të saj ndaj qytetarit të thjeshtë, që diskriminohet në emër të kontributeve e meritave të shkuara ndërkohë që varfëria është e tejskajshme e pensionisti i thjeshtë është më i braktisur se kurrë.  

Pensionet speciale qeveritare janë shprehja e rradhës së karshillëkut flagrant të saj ndaj qytetarit të thjeshtë që diskriminohet në emër të kontributeve e meritave të shkuara ndërkohë që varfëria është e tejskajshme e pensionisti i thjeshtë është më i braktisur se kurrë.

Dreqi e di çfarë “metri” përdoret në këtë rast, por sido që të jetë, një pension special, që ofrohet si bonus e vlerësim për të shkuarën e dikujt është njëkohësisht edhe një shpërfillje, snobizëm dhe përçmim i rradhës për punën e mundin e shumicës së pensionistëve në vënd.

Nuk ranë në sy, por lanë pas gjithshka që të zë syri sot! 

Të gjithë, prindërit e mij, prindërit e tu, ne vetë, kemi punuar (vazhdojnë akoma), kemi arritur plot gjëra etj., duke u vlerësuar me rroga, favore e bonuse sipas vëndit e pozicionit dhe vetë shifra e pensionit e reflekton këtë gjë ndaj, në parim, pensionet speciale janë diskriminim sy për sy. Jo të gjithë kanë lënë të njëjtën gjurmë e ndikim në shoqëri e ekonomi nga të cilat përfitojmë ende sot, por prandaj janë paguar më shumë dikur e gëzojnë pension më të madh tani. Ndaj, thela mbi bisht e dallimi mes të gjallëve, zhgënjen jo pak!

Nëse shoqëria e shteti kthen kokën pas dhe vlerëson se kontributi i disave ka tejkaluar kohrat dhe se sot mjaft të mira mbajnë emrin e tyre, atëhere e meritojnë vërtet një medalje nderi në gjoks dhe bonus financiar përkatës. Por, jo pension special, sepse i bie që pensionistët e tjerë janë thjesht numra dhe ky nuk është nderim e respekt ndaj mundit të atyre që dikur u thanë puna e mbarë!

Shumica e pensionistëve, për të mos thënë gati të gjithë, janë special, sepse kanë dhënë diçka të veçantë kudo ku i gjeti apo i hodhi jeta. Nga doktori që ka sjellë e mbajtur në jetë, arkitekti e ndërtuesi, që ndërtuan diga, rrugë e banesa ku u bartën kujtimet e bukura të familjes, mësuesi që edukoi fëmijën me dije e kulturë që sot të jetë qytetar i mirë, sportisti që emocionoi me mijra me vite, minatori që i rrëmbeu nga barku tokës mineralin e çmuar e mbajti ekonominë, fshatari, që mbolli tokën e mbushi tryeza, polici që rrezikoi që të tjerët të mos kenë frikë etj heronj pafund anonim kudo rrotull nesh, që sot një listë emrash me pension special i fyen në dinjitet duke u ndjerë të shpërfillur dyfish, moralisht e financiarisht.

Shumica e pensionistëve, për të mos thënë gati të gjithë, janë special, nga doktori që ka sjellë e mbajtur në jetë, arkitekti e ndërtuesi, që ndërtuan diga, rrugë e banesa, mësuesi që edukoi fëmijën me dije, sportisti që emocionoi, minatori që i rrëmbeu nga barku tokës mineralin e çmuar e mbajti ekonominë, fshatari, që mbolli tokën e mbushi tryeza, polici, e sot një listë emrash me pension special i fyen në dinjitet duke u ndjerë të shpërfillur dyfish

Hipokrizia sheshit

Pensioni special është dëshmia e rradhës e snobizmit të qeverisë ndaj qytetarit të thjeshtë. Politika gjithnjë flet në emër të qytetarit, mjerisht broçkulla, për gjoja urtësinë e meritat e tij ndërkohë që as ia di dhe as nuk do t’ia dijë për emrin e kontributin e tij. Për të ai mbetet thjesht një numëror në shesh e kutinë e votimit për të garantuar karriken e pushtetit më tej.

Hipokrizia e qesëndisja ndaj qytetarit është sheshit. E lartëson dhe i kushton sa për sy e faqe “poezi” kur i lyp votën me detyrim-përcaktim (ligji aktual zgjedhor) dhe e shpërfill për çdo gjë tjetër për katër vjet më pas, deri edhe të drejtën e referendumit ia ka marrë peng pakthim. Nuk i beson më qytetarit asgjë, përveçse sajesa si Këshillimi (lexo karshillëku) Kombëtar, pale të sugjerojë në popull se si, qysh e kush mund të gëzojë një pension special! Dhe si duar të gjata që ka, edhe ca në media apo shoqëri civile e ndjekin pas në kuturisjen hi-syve ndaj qytetarit në vënd.

 

Pabarazi në emër të popullit!

Me qokat jo etike të shumta të saj, qeveria Rama po thellon ndjeshëm hendekun mes qytetarëve në vend. Sot po gërryhet besimi tek sistemi e barazia para ligjit sepse diskriminimi mes qytetarëve, ndarja nga “lart” klasore, veçimi e braktisja e qytetarit të zakonshëm etj, po rregullohen e kopsiten me vendime e ligj!

Dallimet e pabarazia e stisura, sikur ta kishin mallin e plakut, sot po cënojnë parimin e sigurisë juridike e barazisë mes shtetasve me ndikim në ekonomi e kohezionin social. Nga 7501 që diskriminoi mes pronarëve historikë e mbivendosi me tapi, dallimi me kompensimet, ligji për banesat ish-pronë private, që diskriminoi mijra familje përkundrejt qindra-mijrave, që morën pothuajse falas banesë, kredi pa interes për shtresa të caktuara punonjësish, bonus qerash e shtëpi dhuratë pas tërmetit, privatizimi klientelist i pronës publike, favorizimi me statuse “investitori strategjik”, sajesa “performancash” në vlerësimin e punës së arsimtarit, privilegje e pensione marramandëse për veten si politikanë, pensionet speciale, asistenca mjekësore për vip-at ndërkohë që jeta vlen njëlloj, pandjeshmëria ndaj pensionistëve që u shkon pensioni në farmaci, kushtëzimet absurde të kompensimeve psh. energjisë elektrike (pasi e la pa shtëpi pensionistit i thotë se nuk kompensohesh se nuk ke shtëpi(!) etj përjetime rrënqethëse për të cilat nuk ka gajle vetëm një qeveri që nuk ia ndjen për qytetarin e saj.

 

E djeshmja me petkun e së ardhmes!

Partia Socialiste nuk është më e tillë dhe si social-ishte që është, nuk pritet shumë prej saj dhe vetë “zbukurimi” i vëndit i hyn në sy vetëm të huajit se qytetari i thjeshtë ka kohë, që ndjehet jashtë sofrës së “bollëkut” dhe i huaj në realitetin e mega-krijimeve mavi. Sot PS rregullon e bën të butë karriken e qeverisë për shtatë palë qejfe se e di që me këtë ligj zgjedhor e palo-opozitë, do të ulet gjatë atje me servila plot rrotull për fresk. Se ne merremi akoma me Berishën, ndonwse i ka dalë SPAK për zot, e harrojmë pushtetin e ditës që na kujton autokratin e djeshëm që bilbilos nga dritarja sot.

Le të shpresojmë se edhe afrimi dhe përshtatja e legjislacionit me atë të BE mbase fut ca gjëra në vijë, sepse për momentin ligjet janë bërë çorap e heroglife, që duan “përkthim” me amendime pas amendimesh për të mbuluar e legalizuar gjithshka që përkon me interesat e ditës së “elitës” në vend. Por, deri atëhere, të mos ja lëmë gjithshka vetëm SPAK. Boll e “vaditëm” me vota politikën që të kthen shpinën një ditë më pas plot katër vjet. “Perëndia, por ishin edhe duart e mia”,- thotë një fjalë dhe ne i kemi hyrë boll në hak së ardhmes duke i bërë temena së shkuarës që flet si dikur në emër të popullit, por “atentatin” po ia bën popullit!