Në përkujtim të një dashamirësi të fisit shqiptar. Fishta dhe Koliqi për Norbert Joklin

334
Sigal

Nga Frank Shkreli*

Ish Drejtor i VOA-s për Euro Azinë*

Izraeli dhe bota hebraike në përgjithësi shënojnë Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Holokaustit duke filluar nga mbrëmja e ditës së Hënë të 20 Prillit e deri të Martën me 21 Prill.  Është kjo një ditë solemne që përkujtohet eliminimi i 6-milionë hebrejve gjatë Holokaustit.

Fund javën që kaloi, Qendra e njohur Hebraike në Nju Jork, “The Temple Emanu-El Streicker Center”, në përgatitje të shënimit të kësaj dite përkujtimore, ftoi Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, Besiana Kadare në shërbimet e ditës së Premte për të folur, siç thuhet në njoftim, mbi historinë e “pabesueshme dhe kryesisht të pa njohur”, se si Shqipëria u bë një vend i sigurt strehimi për hebrenjët, gjatë Holokaustit.

Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së, Besiana Kadare

 

Gjatë fjalimit të saj, Përfaqësuesja e Përhershme  dhe fuqi-plotë e Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara foli për ndihmën që dhanë shqiptarët e rendomtë, pa dallim, për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.  Shefja e Misionit të Shqipërisë pranë OKB-së foli gjithashtu edhe për rolin që kanë luajtur edhe “autoritetet zyrtare” të qeverisë shqiptare në atë kohë në Tiranë, të cilët, shtoi ajo, kanë refuzuar të dorëzonin listat me emëra hebrenjësh.  Pa përmendur emra konkret, ambasadorja shqiptare foli për “guximin moral të shqiptarëve”, duke i cilësuar përpjekjet e autoriteteve dhe të shqiptarëve të thjeshtë për shpëtimin e hebrenjëve në Shqipëri, si një “trashëgimi qytetërimi dhe një mësim për brezat e ardhëshëm”.  Ajo përmendi veçanërisht rolin e ambasadës shqiptare në Berlin, e cila tha ambasadorja Kadare, në atë kohë, lëshonte viza për hebrenjtë e kërcënuar nga cilido vend evropian qoftë, gjë që mundësonte largimin e tyre për në vende të sigurta për ta, përfshir edhe Shqipërinë.

Mund të jem gabim, por është hera e parë që dëgjoj një zyrtar/e e Shqipërisë pranon, duke përmendur rolin që ka luajtur qeveria shqiptare, ministra dhe përpjekjet e autoriteteve të asaj qeverie në atë kohë, për të bërë ç’mos që të shpëtonin hebrenjtë nga likuidimi fizik, roli i të cilëve ende konsiderohet, zyrtarisht, si një tabu në Shqipëri.  Është meritë e ambasadores Kadare që të pakën përemendi tërthorazi, por publikisht, këtë të vërtetë historike.  Është kjo një temë që nuk duhet harruar por duhet kujtuar roli dhe përpjekjet e autoriteteve shqiptare të asaj periudhe, për hir së vërtetës historike, por edhe si një “trashëgimi e qytetërimit dhe si një mësim për brezat e ardhëshëm”, siç u shpreh  ambasadorja Kadare.  https://telegraf.al/analize/frank-shkreli-pse-nuk-e-permendet-roli-unik-i-kol-bib-mirakes-per-shpetimin-e-hebrenjeve/

Kemi të bëjmë me njerëz guximtarë e trima, me personalitete shqiptare të cilët megjithëse shërbenin në një qeveri mike me Gjermaninë naziste të asaj kohe — për shpëtimin e hebrenjve, ata jo vetëm që rrezikuan pozitat që kishin, por mund të rrezikonin edhe jetën gjatë Hollokaustit, si rezultat i përpjekjeve tyre për të shpëtuar hebrenjtë nga zhdukja fizike, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Holokaustit dua të përmend përpjekjet e Ernest Koliqit dhe të At Gjergj Fishtës për të shpëtuar jetën e Norbert Joklit, albanologut të njohur austriak, me origjinë hebraike, që konsiderohet edhe si njëri prej themeluesve të albanalogjisë modern Ai vdiq në muajin Maj të vitit 1942, nën rrethana ende të panjohura, pasi kishte marrë urdhër nga nazistët që të largohej nga Vjena brenda 30 ditësh.  Si albanolog i njohur, Norbert Jokli gëzonte miqësi dhe mbante lidhje të ngushta me intelektualët më të njohur shqiptarë të kohës, si At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani e shumë të tjerë. Thuhet se Jokli ishte admirues i madh, ndër të tjerë i Fishtës, Konicës, Naimit dhe i traditës bektashiane.  Njihte mirë veprat e Jeronim De Radës dhe ishte simpatizues i Koliqit dhe i Dom Lazër Shantojës, publicistit dhe përkthyesit të veprave të shkrimtarëve të mëdhej gjermanë, priftit të parë katolik i vrarë nga një skuadër pushkatimi e regjimit të Enver Hoxhës, në Mars të vitit 1945.  Thuhet se Norbert Jokli vizitoi vetëm njëherë Shqipërinë, me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë, me ç’rast u prit me nderime të mëdha dhe iu akordua çmimi i lartë kombëtar “Urdhni i Skenderbeut”.

Ernest Koliqi, ish-Ministër i Arsimit ka përshkruar në revistën Shëjzat 1-4 dhe 5-8 të vitit 1972, shkurtazi, përpjekjet e autoriteteve të atëhershme shqiptare për të shpëtuar Albanologun e njohur Norbert Joklin, nga “fati mizuer që ia këputi jetën”, siç shprehet Profesor Koliqi.  Si një provë të këtyre përpjekjeve nga ana e tij dhe të tjerëve për të shpëtuar jetën e Joklit, ai boton letrën origjinale të Ministrisë së Arsimit që ai kryesonte dhe pas vendimit të Këshillit të Ministrave, me qëllim për t’a sjellur në Shqipëri për ti shpëtuar atij jetën nga nazistët që i ishin venë pas, Norbert Jokli emërohet nga Ministria e Arsimit në detyrën si “Organizatuer të Bibliotekave Shqiptare me 6 tetuer, 1941”, me qëllim për ta larguar atë nga Vjena për në Shqipëri për t’i shpëtuar jetën.  Mjerisht, shënon Profesor Koliqi, ky emrim i marrur nga autoritetet shqiptare me qëllim për t’ia kursyer albanologut të madh vuajtjet dhe mbarimin tragjik, nuk solli rezultatin e dëshiruar.  Por kjo tregon, shkruan Koliqi se, “Për mik, simbas zakonit shqiptar, edhe qeveria e asokohëshme e vendit tonë nuk dreshti me ia hy nji pune që mund të acaronte marrëdhëniet me ndonji prej autoriteteve të fuqishme”, të asaj kohe.

Letra e ish-Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqit drejtuar Norbert Joklit

Ndërkaq, ndër të tjerë intelektualë shqiptarë të kohës, si Lasgush Poradeci e të tjerë që ishin angazhuar për të shpëtuar jetën e albanologut të njohur duke dashur ta strehonin atë në Shqipëri — ishte edhe At Gjergj Fishta, i cili në një letër të datës 23 Shtator, 1939 drejtuar ish ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Franceso Jakomonit, i propozon atij që të sillej në Shqipëri, “Ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Europë, Profesor Norbert Jokli, me kombsi çfute, që, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit të Vjenës e profesor gjuhsije në të njajtin universitet. Tashti, më shkruen prej Vjenet, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem që të largohet, mbrenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut”.

Fishta i shkruan Jakominit se do të ishte fatkeqësi për gjuhën kombëtare shqipe nëqoftse Norbert Jokli detyrohet të braktisi Evropën dhe i bën thirrje atij, “në emën të t’ gjithë intelektualëve shqiptarë” që të marrë, “në konsideratë dashamirse këtë propozimin tem” që “Shkelqësia e Juej të mundet me gjetë mundsinë e t’a bajnë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty nji vend, edhe pse jo aq fitim prues, megjithate të pershtatshëm per famën e tij si shkenctar e gjuhëtar i shquem”, përfundon Fishta letrën, dërguar Jakomonit, në përpjekje për të shpëtuar jetën e  mikut të tij të ngushtë, Norbert Joklit.

Profesori dhe albanalogu austriak Norbert Jokl

Në Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit, me përvujtëni kujtojmë njërin prej më të mëdhejve albanologë, Norbert Joklin dhe miqtë e tij të kohës, ndër më të mëdhejt intelektualë shqiptarë, të cilët megjithë rreziqet që mund tu kanoseshin, megjithse u munduan ta ndihmonin, fatkeqsisht, nuk ia dolën t’ia shpëtonin jetën e mikut të tyre të shtrenjtë dhe dashamirsit të madh të fisit shqiptar.  Për hir të vërtetës historike, kujtojmë e nuk harrojmë, por edhe falënderojmë shqiptarët e rendomtë dhe autoritetet shqiptare të asaj kohe.  Kujtojmë veçanërsiht,Norbert Joklin, këtë dashamirës të fisit shqiptar, për jetën dhe veprën e tij kushtuar gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Kujtojmë dhe falënderojmë me Drejtorin e Komisionit Hebraik Amerikan, David Harris, i cili në deklaratën që bëri dje me rastin e Ditës Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit u shpreh se, “Ne kujtojmë guximin e Danimarkës, por edhe të Shqipërisë, Bullgarisë dhe Finlandës, për përpjekjet e tyre të jashtzakonshme në mbrojtje të komuniteteve të tyre hebraike.  Ne kujtojmë shembullin e mijëra Personave të Drejtë, të cilët rrezikuan edhe jetën e tyre, ashtuqë të tjerët të mund jetonin”, ka thënë në deklaratën e tij Drejtori i Komisionit Hebraik Amerikan, David Harris.