Miltiadh M. Muçi: Si integrohen emigrantët shqiptarë të Greqisë në BE

843
Sigal

“Nuk mund të ketë integrim të shqiptarëve pa integrimin më parë të emigrantëve të BE-së”, është titulli i një shkrimit të botuar në një nga gazetat e shtypit të përditshëm, 15 vite më parë. Edhe pse kishin kaluar 14 vjet, kur u hapën kufijtë e Shqipërisë me shtetet fqinjë, për emigrantët shqiptarë ekzistonin probleme që dita-ditës shtoheshin nga padrejtësitë e punëdhënësve, të policisë e punonjësve të administratës, për pajisjen apo ripërtëritjen e lejes së qëndrimit, sidomos në Itali e Greqi. “Sa shumë të pambrojtur janë emigrantët, do të mjaftonte rasti i ndodhur dy vjet më parë në Itali, ku organet e prokurorisë mbajtën në burg 105 shqiptarë, që pas një viti lirohen nga gjykata për mungesë provash”, do të theksoja në këtë shkrim. Njësoj ndodhte me autoritet vendase në Greqi, ku përsëriteshin operacionet “Fshesa”, sikurse i quanin fushatat e policisë për largimin e emigrantëve, kur nuk kishte nisur legalizimi dhe pajisja e tyre me leje qëndrimi. Por fatkeqësisht qeveria jonë, strukturat e diplomacisë dhe drejtësisë nuk reagonin aspak. Njësoj ndodhte me grupet, komisionet dhe parlamentarët tanë, me gjithë detyrimin kushtetues për të mbrojtur bashkatdhetarët në emigrim.

Një vit pas propozimit të Presidentit Alfred Moisiu, qeveria shqiptare miratoi “strategjinë e re” të emigracionit, si veprim pozitiv i vonuar kur jashtë Shqipërisë jetonin dhe punonin një e treta e popullsisë, e cila meritonte të kishte strukturën e veçantë në administratën shtetërore. Por akoma nuk i dimë, problemet që do të mund të zgjidheshin nëpërmjet “strategjisë së re”, në mbrojtje të më shumë se një milion emigrantëve shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, as kur do të informohemi për përmbajtjen e saj dhe çdo shqetësim të tyre në vitet që kanë kaluar. Qeveritë dhe instutucionet e tjerë sikurse është parlamenti, jo vetëm nuk kanë treguan interesim ndaj emigrantëve, por janë shfrytëzuar për interesa të ngushta politike dhe ekonomike.

Interesimi për integrimin e emigrantëve nuk mund të kuptohet me slogane të marrëdhënieve të mira midis shteteve, nëse emigrantëve të legalizuar nuk u është garantuar dhënia dhe ripërtëritja e lejes së qëndrimit në afatet e caktuara në ligj, e cila krijon mundësinë e lëvizjes së lirë në çdo moment, një nga të drejtat më themelore të njeriut. Kufizimet në lëvizjen e lirë të emigrantëve të legalizuar, kanë sjellë kufizime të tjera të rëndësishme, për arsimimin e fëmijëve në gjuhën shqipe, grumbullimin dhe protestimin e lirë të tyre, njohjen e vjetërsisë së punës dhe shumë të drejtave të tjera. Kufizimet e mësipërme kanë çuar në cenimin e të drejtave të nxënësve shqiptarë, përdorimin e dhunës së policisë dhe në cenimin e të drejtave të pjesëtarëve të familjes së emigrantëve, etj.

Kuptohet, nuk mund të ketë interesim të përfaqësive tona, për sa kohë emigrantët nuk barazohen me bashkatdhetarët në Shqipëri, edhe pse këtë të drejtë e ka të shprehur qartë Kushtetuta. Këto janë pasoja të ligjvënësve tanë, që nxjerrin ligje diskriminuese ndaj tyre në interes të Qeverisë, sikurse është ai “Mbi taksat e shërbimeve konsullore”.Për të njëjtat dokumente të lëshuara nga administrata shqiptare (vërtetime të çdo lloji, certifikata të gjendjes civile, pasaporta për jashtë shtetit, vërtetim i autencitetit të dokumentit, etj.), çmimet nga shërbimet konsullore të përfaqësisë sonë, janë shumë më të larta se në Shqipëri, si diferencim midis shqiptarëve.

Këto dhe të tjera mendësi të qeveritarëve, jo vetëm e vështirësojnë integrimin e emigrantëve, në veçanti ata në Greqi dhe Itali, ku ndodhet numri më i madh i tyre, por i largojnë më shumë nga atdheu i vërtetë, duke ua shtuar vuajtjet që populli në vite i ka ngritur me mallëngjim, vargjet e këngëve të kurbetit të shek. XIX-XX, të cilat kanë nisur të këndohen përsëri në shek.XXI.

Por çfarë ka ndodhur me eksodin shqiptar të emigrimit, kur në 2 korrikun e vitit 2020 do të mbushen 30 vjet, ndërsa të tjerë largohen pa mbarim? Është pyetje e vështirë për t’u përgjigjur nga institucionet shtetërorë të paaftë dhe nëpunësit indiferentë në gjithë rrotacionet e pushteteve, të cilët jo vetëm nuk e kanë treguar kujdesin e nevojshëm dhe të detyruar, por e kanë nxitur dhe inkurajuar largimin e shqiptareve, me numrin më të madh nga të vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës.

Kanë qenë dhe janë përpjekjet e mëdha, të vazhdueshme, të emigrantëve shqiptarë, të cilat kanë bërë dhe bëjnë integrimin e tyre në këto 30 vjet, të djersës e mundit, të dijes e mençurisë. Tashmë nuk janë raste por vazhdimësi e shqiptarëve, që tregojnë se janë po aq të zotë dhe të aftë sa popujt e tjerë të Evropës. Këto vlera i tregojnë çdo ditë në veprimtaritë ekonomike, kulturore, artistike, sportive, arsimore pse jo atë politike, me emrat e dhjetëra shqiptarëve që kandiduan për në Parlamentin Evropian, në zgjedhjet më të fundit të vitit 2019.

Duke qenë më shumë i lidhur me emigracionin në Greqi, ku si dhjetëra mijë shqiptarë qëndrova për 5 vjet së bashku me fëmijët e mi, jam mirinformuar se çfarë po ndodh me emigrantët tanë në vendin fqinj. Ndryshimet janë të mëdha, të paparamenduara për integrim të tyre në Bashkimin Evropian.

Shumë nga familjet shqiptare tashmë janë bërë pronarë jo vetëm të shtëpive të banimit, por dhe të pasurive të tjera të paluajtshme, të aktiviteteve ekonomike, etj. Kanë marrë e vazhdojnë të marrin shtetësinë greke, për t’u bërë qytetarë të Bashkimit Evropian, sidomos brezi i lindur dhe i rritur në Greqi. Janë me dhjetëra emigrantë shqiptarë që kanë kryer dhe kryejnë shërbimin e detyruar ushtarak, kur qarqe të ekstremit të djathtë pretendojnë për ekzistencën e ligjit të luftës me Shqipërinë. Disa mijëra janë larguar nga Greqia dhe kanë shkuar në vende të tjerë të Evropës.

Ndryshime të mëdha kanë ndodhur në shkollën greke, kur vite më parë nxënësit shqiptarë të shkëlqyer në mësime, nuk lejoheshin të nginin flamurin kombëtar të Greqisë, ndërsa në shumë klasa të parashkollorit e parauniversitarit në Athinë, përbëjnë thuajse numëron më të barabartë me të nxënësve vendas. Nuk është rastësi ku midis 17 nxënësve të një klase të parë, tetë janë vendas dhe po kaq shqiptarë, ndërsa vetëm njëri i përket kontinentit afrikan. Më e rëndësishmja është dashuria e trupës mësimore për nxënësit shqiptarë, veçanërisht tek ata ku shikojnë zgjuarsinë, mprehtësinë, shkathtësinë, dashurinë e ndërsjellë të nxënësit me mësuesin.

Ja çfarë i ka shkruar Bjordit, në kartolinën e urimit të mbylljes së vitit shkollor, mësuesia e klasës së parë në shkollën publike Nr. 41 të Athinës:

I dashuri im Bjordi!

Je përqafimi i zëmrës time. E di që mësimet disa herë janë të lodhshëm, por ta mbash mend se sa mezi pres për të lexuar mendimet e tua, sa gëzohem kur gjen përgjigjet e duhura, sa shumë më qetësojnë shkronjat e bukura që bën.

Pikturat e tua janë gjithmonë të veçanta dhe pres që t’i shoh dhe admiroj çdo herë!

Të uroj verë të mbarë.

Mësuesia jote – Martha

Athinë, më 14.06.2019

 

Vërtetë me Bjordin është një rast, ku mësuesia nuk ndjen asnjë paragjykim ndaj nxënësit të saj shqiptar, por tashmë me siguri ata janë të shumtë, që tregojnë se si emigrantët shqiptarë po integrohen në Evropën e Bashkuar.