“Dështim i institucioneve”/ Kristo: Policia rri gjithë ditën dhe shikon çfarë botojmë në facebook

311
Sigal

Pedagogu Erion Kristo në një intervistë në ABC News ka folur për reformën zgjedhore dhe protestat më të fundit të aktivistëve të cilat janë zhvilluar në Tiranë por edhe për polemikat që shkaktoi deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu në Komisionin e Sigurisë.

Kristo ka ndarë shqetësimet e tij për zhvillimet politiko-shoqërore në vend.

Sipas tij, asnjë nga përfaqësuesit politik nuk e do integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian sepse shqiptarët do të kishin ku të ankoheshin dhe do të ndihmoheshin nga një faktor tjetër përtej fuqive të tyre.

“Nuk ka ndërmend njeri të bëjë reformë zgjedhore por andrrime të Reformës Zgjedhore. Më vjen keq që energjia e popullit tim edhe kësaj radhe u depozitua gabim. Ata që janë shkatërruesit e demokracisë nuk mund të jenë ndreqësit e demokracisë. Asnjë nga ata aty nuk është duke luftuar për ti dhënë njerëzve demokraci, liri, hapësirë apo të drejta. Ata janë aty për ti ngushtuar ato.

Këtu vihen në lojë edhe fati i integrimit. Integrimi në BE është disintegrimi i tyre, kush do të zbresë nga kali, do ecin në këmbë pastaj. Do humbin gjithë privilegjet nëse do hyjmë në BE, sepse integrimi i Shqipërisë në BE do të thotë që ne do kemi ku të ankohemi, do ketë faktor tjetër ndihme për ne, do të kemi një derë ku të trokasim. Këta duan që sa të kenë jetë, të jenë në pushtet.

Se janë 100 mijë vetë pa punë tani nuk është parë të mblidhet një komision. Këta duan ti fitojnë zgjedhjet në tavolinë dhe jo përballë shqiptarëve”, tha Kristo.

Në lidhje publikimin e videos, së nënës së të miturit që u dhunua nga policia, nga drejtori Ardi Veliu, Kristo u shpreh se edhe pse shteti është investuar shumë në polici, ajo rri gjithë ditën dhe sheh çfarë bëjnë qytetarët në facebook dhe nuk ka arritur rezultate mbi krimin.

“Policia rri gjithë ditën dhe shikon cfarë botojmë ne në facebook. Ne presim që policia ti thyejë brinjët krimit, ata i thyejnë brinjët qytetarëve. Kryepolici bën sikur nuk e kupton, kryeministri gjithashtu.

Është dështimi i institucioneve sociale në të gjitha këto që po ndodhin në Shqipëri për të cilat nuk flet askush. Dëmi është bërë dhe është i pakthyeshëm. Tani mund të bashkojmë zërat ku zëri është më i fuqishëm. Do ta duartrokisja nëse Kryeministri do të dilte dhe do të thoshte kemi bërë këtë mbledhje, kemi pyetur këto mendje dhe kemi bërë këtë strategji”, tha ndër të tjera Kristo.