Luan Rama: Nostalgjia… (në kohë Corona virus)

320
Sigal

 

Në këtë fotografi që ka mbijetuar nga zhdukja e harresa, ti atë kohë doje Lorkën, Ricosin, Eluard dhe Prever, doje ëndrrat e tua të ishin vargje, fllade, qiej, kodrina të diellta dhe dete të shkumbëzuara, ti, një djalosh me hove që natyra veç të dehte dhe të merrte në krahët e saj ku të pëlqente të shikoje rrebeshin me dëshirën të lageshe dhe të ishe pinjoll i tij, përkundur prej vitesh në djepin e kinemasë ngjitur me shtëpinë ku në mesnatë të shfaqeshin shëmbëlltyrat e dashnorëve të mëdhenj nëpër filma, si në një «Rizzo amaro», ekranet e ditëve të nxehta të verës tiranase dhe ja ku sheshi çuditërisht mbushej e mbytej nga shirat dhe gratë që hiqnin këpucët për të kaluar zbathur me fustanet ngritur në anën tjetër dhe ti qeshje me to ndërkohë xhamia në krah përgjumej shurdh-memece prej vitesh, kohë kur të pëlqente të pije «ma non troppo», se ti më shumê deheshe me yjet dhe galaksinë, gjithnjë me habinë e madhe se ç’ndodh atje lart, thellë në «Udhën e qumështit» ku gjithçka lëvizte rreth tyre veç koha jote jo, sepse ti doje të ecje, pa ditur se do të vije këtu, në këtë ditë të sotme, ecje në shkallë të pafund që herë ngjiteshin dhe herë zbrisnin nga qielli, pa ditur se ku shkoje, të pëlqente udhëtimi pë të parë botra të tjera me sytë e kureshtjes, habisë, dhe ti i pe me të njëjtën dëshirë, dashuri, sepse forca e dëshirës nuk ka ndryshuar, është po ajo, ishte geni që të shtynte, si në këtë fotogafi, gjysmë të grisur, gjurmë kohrash, jete, gjurmë si të ishin plagë jete, pasi jeta i ka të gjitha, gjelbërimet dhe të errtën e natês, aget dhe rrënimet, mure të rrënuara, shpresa të zhbëra, piedestale të rëna, lindje, humbje dhe vdekje të të shtrenjtëve të tu e megjithatë ajo që mbetet nga gjithë kjo, është ajo dritë e syrit, ai puls i zemrës që rreh gjithnjë me tê njëjtin ritêm dhe kështu do më mjaftonte kjo fotografi gjetur si në një rrënojë, të kohês, tê kujtesês, që të mund të rikthehesha, të kujtoja kohën e skribit të dikurshëm, të shkrimeve të kohëve të hershme, të kujtoja vitet e djalit plangrishës, të bohemit që i donte aq shumë udhët dhe qiejt dhe kështu të mbetesha gjithnjë tek kjo fotografi që ka sytë e pafajësisë…