Kol. Hajro Limaj: Ripushtimi i Shqipërisë nga Turqia

752
Sigal

Kolonel Hajro Limaj*

Filimisht nga portalet nuk e besova, por pastaj nga gazetat, nga mosbesimi u binda se me datën 15 Korrik, në Tiranë është zhvilluar një ceremoni “sekrete” nga media dhe opinioni i gjerë shqiptar në perkujtim të tre vjetorit të skenarit të Erdoganit për “grushtin e shtetit” në Turqi. Reagimi i atdhetarëve shqiptarë ndaj këtij lajmi është tronditës dhe me shumë të drejtë e vlerësojnë tradhti të Edi Ramës ndaj Atdheut dhe kombit. Erdoganit, këtë nder nuk ja ka bërë asnjë vend i botës, bile as në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Ai e realizoi atë shumë mirë në vend vasal, Shqipërinë, të cilën vitet e fundit po e pushton politikisht dhe ekonomikisht.

Pyetja shtrohet: Kush e ka marrë vendimin dhe kush i ka dhënë leje ambasadës turke të kryejë një veprimtari të tillë, të kundraligjshme në kryeqytetin shqiptar? Po emërtimin “Rruga e dëshmorëve të 15 Korrikut“ dhe Memoriali i Parkut të Demokracisë së 15 Korrikut? “

Sipas ligjit, emërtimi i një rruge apo një parku është kompetencë e këshillit Bashkiak. Zëri i Amerikës nga këto enigma më datën 9, kontaktoi me Bashkinë por ajo ja bëri dalje ministrisë së Jashtme. Por ministria e Jashtme deklaroi se nuk kishte asnjë informacion apo angazhim në këtë ndodhi të turpshme antikombëtare.

Nga disa pamje të publikuara këto ditë nga kjo veprimtari antishqiptare, evidentohet se, nga bashkia ka marrë pjese Arbjan Mazniku, i cili nuk sqaron nëse ka shkuar si individ apo me funksionin e zëvendës kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Duke u kthyer mbrapa në kohë rezulton se kjo veprimtari është kryer pikërisht kur Erdogani e ftoi dhe e festoi këtë fitore me Ramën në Marmarisa të Turqisë, vizitë. Por zhvillimet vazhduan. Erdhi në Shqipëri ministri i Brendshëm i Turqisë, Sulejman Soyly, i cili zhvilloi një takim tepër të veçantë me kryeministrin Rama dhe pastaj me ministrin Lleshi, kur në të gjitha protokollet, i ftuari vizitën e parë e bën tek homologu dhe jo tek kryeministri. U rishprehën përsëri dëshirat e kundraligjshme të Erdoganit: mbylljen e të gjitha medreseve, të spitaleve amerikane dhe të sistemit arsimor Turgut Ozal, të cilat përbëjnë prej vitesh elitën arsmore dhe mjekësore në Shqipëri, ku janë të punësuar me mijëra kuadro dhe punonjës shqiptarë.Këto institucione, të hapura me mbështetjen e shtetit turk, që kur Erdogani skenoi grushtin e shtetit të dështuar. Edhe pse këto institucione nuk kanë asnjë lidhje me këto zhvillime në Turqi, Erdogani i fut në listën e Organizatës Terroriste të Gylenit, që jeton dhe e siguron Amerika. Këtë emërtim terrorist nuk e njohin as OKB, as OSBEE, as Amerika dhe asnjë vend i Bashkimit Evropian, ku të përndjekur e Erdoganit i sterhojnë.

Shqipëria, në vazhdimësi është bërë pjësë apo mbështetëse e qëndrimeve turke edhe në raporte ndërkombëtare, siç ishte votimi në OKB në krah të Turqisë dhe kundër Amerikës për mos njohjen e Jeruzalemit Lindor si kryeqytet, apo në shumë qëndrime të tjera.Tradhtia që bëri Thaçi në dorëzimin e 6 pedagogeve turq Erdoganit, në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe të drejtat e njeriut, i kushtoi shtrenjtë Prishtinës me Bashkimin Europian dhe kaosin politik që po kalon ky vend. Erdogani, Botën Shqiptare e quan pjesë integrale të perandorisë së re turke që dëshironte të krijonte ai, por që shkaterroi në radhe të parë shtetin demokratik, ligjor dhe laik të Ataurkut. Turqia e sotme me politikat e saj te brendshme është kthyer një vend ku Europa i mbylli dyert dhe dritaret, ndërsa Amerika formalisht e mban në NATO, por do të thellojë embargon ndaj saj. Një studiues që i ndjek me vëmendje zhvillimet midis dy vendeve tona arrin në përfundimin se sa herë Shqipërisë i afrohen datat e diskutimit të hapjes se negociatave, Turqia realizon ndërhyrje shumë të forta, të cilat e trondisin vendimin pozitiv te BE-së. Ashtu si Rusia me këtë strategji vepron në Serbi, edhe Turqia vepron ndaj Botës Shqiptare për t’i mbajtur nën kontroll politik brenda qëllimeve strategjike që ka përcaktuar. Strategjia pushtuese e Erdoganit bën kërcënim serioz për të ardhmen europiane. Fatkeqësisht, kryeministri Rama, nuk mund ta them shkakun, është kthyer në shërbim të Erdoganit, shërbim i cili po vlërësohet antishqiptar dhe antikombëtar.

*Ish atshe ushtarak në Republikën e Turqisë

*Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare

Reagimi i atdhetarëve shqiptarë ndaj këtij lajmi është tronditës dhe me shumë të drejtë e vlerësojnë tradhti të Edi Ramës ndaj Atdheut dhe kombit

Fatkeqësisht, kryeministri Rama, nuk mund ta them shkakun, është kthyer në shërbim të Erdoganit, shërbim i cili po vlërësohet antishqiptar dhe antikombëtar