-në vend të një pamfleti-
Kryetari i qeverisë sonë 17 ministrore, i frymëzuar nga takimet plot batuta nëpër Europën e tejplakur, por edhe mbimolepsur nga mafja, trembur nga frika se mos shkrihet si bashkim dhe ngazëllyer nga dëshira për t’u forcuar si komunitet kundër sundimit të papëlqyer, por të gjithëpranuar amerikan dhe nevoja për të ruajtur pa prekur gjendjen e aristokracisë e oligarkisë, jep urdhërin për t’u ngjitur qeveria në Dajt! Ngjitur me makinë e jo me marshim! Një risi si mish i pjekur në tepsi! Jo në rrëzë, por aty pak më sipër nga mesi i lartësisë së malit më të afërt të kryeqytetit, bën një mbledhje një qeveri! Do të paraqesë, prioritete e strategji e kush e di, o lemeri! O lumsi unë, e mjerë ti!
A thua ti se ka për të drejtuar një popullsi prej 90 milion banorësh dhe nuk i jep dot dum pasurive, padrejtësive dhe lumturive!? Sikur nuk mund të strukturojë dot amalgamën e diplomacive, peripecive dhe atyre çka llomotisin kundërshtarët e shkërmoqur, e bërë fije-fije! Neise! Qeveritë Rama janë mbledhur edhe gjetkë si në Vlorë e në Durrës etj., atje ku t’ia thotë ‘ora’ kryetarit.
Kësaj radhe kjo mbledhje qeverie ka shumë avantazhe ( më lejohet të përdor edhe unë disa fjalë europiane se helbete, ndryshe nuk lexohet dot asnjë shkrim!?) dhe nuk është aspak mbledhje dosido, apo shkel e shko!
E para, ministrat, femra e meshkuj, do t’u jepet rasti që ta kqyrin (po qe se do ta kthejnë kohën) Tiranën nga lart! Pikërisht në orët kur ka më shumë smog! Më shumë karbon! Më shumë tym! Pikërisht në orët kur ka më shumë diell e më pak re! Do ta shohin, jo si vend banimi shqiptarësh dhe disa dhjetra mijra të huaj që kanë blerë shtëpi e prona këtu, por si vend ngjarjesh të mëdha, që e presin siç janë ato takimet e krerëve europianë për ‘hallet e tyre’. Takime me të cilat ‘mundohen’për tw na e bërë qejfin edhe neve, si më të vegjël, më të varfër, me “një oaz uji më të kaltër në botë” dhe më të pazotë për t’u futur në Europë! Si më të paaftë për të bërë ‘detyrat e shtëpisë’ dhe për të arritur ‘standardet’!?
E dyta, kryetari nuk e njeh fjalën ‘pushim’ kur vjen puna për të menduar, punuar e vendosur për popullin (lexo: makinacionet manipuluese për të mbajtur postin edhe katër vjet të tjera)! Ani, pse është ditë e dielë dhe vartësit kanë pa përfunduar llojet e argëtimeve, apo udhëtimeve pa gjumë e të natyrshme njerëzore gjatë lejës vjetore. Këto kryetari nuk i përfill. Atje lart, në mal, ora dhjetë në mbledhje dhe secili të “prezantojë objektivat e punës për sezonin e ri në dikasterin që mbulon.”
E treta, në mal bëhet mbledhja dhe sa një mal do të jenë edhe vendimet që do tw marrë ajo (lexo: po mbarset mali që të pjellë një mi të vockël, si spostimi i ndonjë zëvendësministri, apo ndonjë shashkë tjetër si fluskë sapuni ‘venus’!)për ‘strategjitë e vitit zgjedhor, që po afron’.
E katërta, mbase qeveria do të marrë ndonjë vendim që të evidentojë saktë llojet e turizmit nga ata që demek quhen ‘elitarë” deri tek ata turistë që janë si kërmilli,”vete nga vete shtëpinë e merr me vete!” dhe mënyrat e sjelljes me ata që duan të shtojnë qwndrimin në vendin tonë!
Po ku i dihet? Qeveria mund të marrë vendime edhe për luftën kundër vapës që gushti iku dhe ia dorëzoi me proces-verbal shtatorit?! Njëlloj siç bëri qeveria Rama që ia dorëzoi Shëngjinin dhe Gjadrin ‘motrës’ Meloni!
Mesa duket muaji shtator do të jetë shumë i nxehtë për mazhorancën qeverisëse dhe për atë lloj structure, që aksidentalisht quhet Parti Socialiste,( e që kryetari është po ai i të dy karrigeve) që sikurse është bërë e ditur në 8 shtator do të zhvillohet asambleja e partisë. Asamble i thënçin se praktika ka treguar që nga fillimi deri në fund-tre deri shtatë orë flet kryetari ( e jo Myftari) dhe ato që tha ai bëhen vendime për më tutje. Sidoqoftë Dajti, në një ditë të dielë plot diell, këtë fillim vjeshte e pati qeverinë në gji, e ushqeu me ujë të kthjellët , ajër të pastër e gjethe të thara e të djegura nga temperaturat e larta dhe tani i uron kësaj qeverie të vazhdojë punën shkel e shko e veresije. Nuk ka nevojë që të mendohet fare se fshatarët po braktisin bizneset se u mbeti prodhimi pa shitur, se ua quajnë të helmëta duke përdorur një lodër kineze “si laborator”! Pa u shqetësuar aspak se çereku i shkollave të Shqipërisë janë mbyllur krejtësisht, se plehërat kanë mbuluar anekënd vendin, se ndotja atmosferike e akustike po shkatërrojnë mushkëritë e veshët e kryeqytetit. Qeveria nuk ka përse të sëkëlldiset fare që kriminelët po shtohen deri sa arrin që edhe burri i vë flakën gruas me benzinë, kurse djali vret babanë dhe komshija argëtohet me qenin, që lëshon azat, që ndyn kudo dhe kafshon fëmijën në park! Kaos! Mungesë dispiline. Askund ligj dhe edukim! Mbledhjes së qeverisë sonë afrim!