Hyskë Borobojka: Deputeti në malësi për të “gjuajtur” vota

322
Sigal

Një nga  deputetët e Parlamentit në këtë legjislaturë, që i kishte harruar zgjedhësit, katër vjet pa i parë me sy dhe që  ishte nga ata deputetë  që nuk ia kishin dëgjuar zërin në seancat plenare, veç ngrinte e ulte  kartonat sipas urdhërit të kryetarit të grupit parlamentar,  tani, që po vinte fundi i mandatit, vendosi të shkonte te zgjedhësit, t’u bënte premtime të reja e t’u kërkonte votën për të siguruar mandatin e dytë.

Një mëngjes të bukur mori rrugën e njërës nga zonat malore. Me vete mori edhe sekretaren e një çantë me dieta e disa peshqeshe të vogla. Donte të merrte edhe zyrën, por nuk e nxinte makina.

Sa arriti në qendër të zonës, u grumbulluan zgjedhësit, për t’i uruar misardhjen, pas gati katër viteve që s’e kishin pare, e për të mësuar çfarë premtime e “peshqeshe” u kishte sjellë.

-Na i bëre sytë ujë, o zoti deputet së vështruari rrugën,  u lodhëm së prituri, po ike e hodhe gurë prapa e s’u duke – i tha njëri nga fshatarët.

-Të drejtë ke, o zoti fshatar, por kemi qenë të mbytur në punë e me telashe deri në grykë. Unë “Baba i Kombit”, banoja në një shtëpi me një dhomë e një kuzhinë të vogël sa të zhgrryhej një gajdhur. (gomar). Kurse kolegët e mi ndërtonin vila e pallate buzë detit e rrëzë malit. Vuri dorën në zemër kryetari i bashkisë e më dha një shesh ndërtimi. Banka më dha një kredi të butë, fitova edhe një tender ndërtimi me leverdi e hyra dhe unë në radhën e kolegëve. Pastaj erdhën fatkeqësi të tjera, tërmeti, luftë me “corona virusin 19” e plot telashe të tjera. Mbledhje në mëngjes, mbledhje në drekë e pasdite, që fillonin me diell e mbaronin me hënë, që na   grabisin kohën. Por, si i thonë më shumë ditë vijnë se shkojnë. Por mos kini merak ato që premtova gjatë legjislaturës së parë do t’i plotësoj e do t’i kaloj gjatë kësaj legjislaturës së re…

Në këto e sipër kishin arritur te shkolla që kishte mbetur me çati e pa çati, ku mbuluar ku zbuluar e disa mure sikur i kishin ngënë qentë,

-Më parë kjo ka qenë shkollë e mesme, pastaj mbeti 9-vjeçare. Ikën mësuesit, ikën mjaft fshatarë nga fshati, duke marrë me vete dhe fëmijët, kështu, siç e sheh, o zoti deputet ka mbetur fillore. – e sqaroi njëri nga fshatarët.

-Mbaj shënim!-iu drejtua sekretares,  që kishte hapur fletoren e re të premtimeve. Shkolla të riparohet, të vijnë mësuesit e të mbushet me nxënes!

-Por spitali pse është mbyllur?  –pyeti deputeti.

-Se mjeku ngarkoi e shkoj e s’e dimë ku qëndroi. Dy infermiereve u doli emri për në  Gjermani. Bashkë me ta edhe mamija.

-Po këtë autoambulancë pse e keni lënë të ndryshket?  –pyeti sekretarja.

-E përdorte spitali për të shpurë në qytet ndonjë të sëmurë që kishte nevojë për mjekim më të specializuar.Por më shumë ka çuar viça të disa fshatarëve për t’i shitur në qytet, se të sëmurë! -e sqaroi njëri nga fshatrët.

-Mbaj shënim,- i tha sekretares. -Të gjendet mjeku e të vijnë  infermierët dhe mamija brenda këtij legjistacioni!

-Po ajo zyra e veterinerit pse është mbyllur? –pyeti deputeti.

-Nuk e dimë cila parti e mori veterinerin, që na shërbente kur sëmurej ndonjë bagëti.

-Mbaj shënim!- i tha deputeti sekretares Të kthehet sa më parë veterineri që t”u shërbejë bagëtive të fshatarëve me vaksina.

-Po mulliri pse ka mbyllur derën me çelës e i ka mbetur korita thatë?-pyet deputeti.

-Që kur ndërroi jetë xha Canja, i biri i vuri çelësin duke thënë, se mullinjëve me ujë u ka ikur koha, i takojnë të kaluarës, ne tani jemi në kohë të re! -iu përgjigj fshatari tjetër.

-Kur ishte gjallë rahmet pastë xha Canja ai bluante pa pushim, ditë e natë, grurë, misër, madje dhe urof dhe koçkulla për kafshët. Edhe ato premtimet që na bëre zotrote katër vjet më parë i bloi e i nxori krunde, ashtu si bloi edhe premtimet e zotimet e “Rilindjes së Re” si dhe vendimet e pazbatuara të qeverisë së saj. – vazhdoi fshatari tjetër.

Deputeti përdrodhi buzët, sidomos për premtimet  e tij,  që mulliri i të ndjerit xha Cane i bloi e i bëri krunde dhe i tha sekretares:

-Mbaj shënim. Te hapet një tender, që në vend të mullirit të vjetër të ndërtohet një hidrocentral i ri, që t’i japë energji eletrike gjithë malësisë e disa kilovatorë të teprojë për qytetin!

Disa metra poshtë mullirit, ku lumi bënte vah, disa djem po mundoheshin të zinin peshk me grep.

-Hë more çuna, ka peshk lumi?-i pyeti deputeti.

-Ka shumë zotni. Por edhe peshqit janë bërë të ditur, E kanë fshirë nga fjalori i tyre shprehjen “tru peshk” e s’hyjnë në grep!-iu përgjigj njëri nga djemtë.

-Mbaj shënim!-urdhëroi sekretaren. –Të hapet një tender që këtu të bëhet një rezervat peshku me të gjithë llojet e e tyre, duke filluar nga qefulli, krapi, torfa e lumit të Valbonës, koran nga liqeni i Ohrit,  mrenka, belushka, madje  të sillen edhe larva ngjalash nga deti i Sargaseve, që të furnizojë me peshk e ngjala gjithë malësinë,

Pastaj iu drejtua grumbullit të zgjedhësve:

-Ju më jepni votën në zgjedhjet e 25 prillit të vitit që vjen për të qenë “Baba i Kombit” edhe katër vjet. Ju betohem për “ideal të partisë e për kokën e dy vajzave, se premtimet jo vetëm do t’i plotësoj, por  do t’i tejkaloj!

-Dakord jemi, o zoti kandidat për deputet, por ne të malësisë kemi një shpreje të vjetër: ‘Kur digjesh nga qulli, i fryn edhe kosit’  e s’e hamë kollaj sapunin për djathë, se jemi ngopur me premtime boshe! – iu përgjigjën zgjedhësit kërkesës së kandidatit për deputet në votimet e 25 prillit të vitit që vjen.

Pastaj, si ndau disa pako të vogla për fshatarët në nevojë, iku si era, duke lënë tymin e makinës pas.