Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Ambienti ku mësoi dhe shoqëria

Nazmi Rushiti ka lindur në fshatin Koxhaxhik të Dibrës, fshat ku ndodhet kalaja e Sfetigradit. Si mbaroi shkollën fillore të Kastratit, megjithëse doli shkëlqyeshëm, nuk i vazhdoi menjëherë mësimet, sepse ishte i varfër. Për t’i ardhur në ndihmë familjes, u fut si shegert në Dibër dhe me vonë kamerier në Peshkopi. Në vitin 1930 iu dha bursa, për të vazhduar shkollën në internatin e Kastriotit. Në 1933, mbaroi shkollën e Kastriotit dhe u dërgua në Shkollën Teknike të Tiranës dhe në vitin shkollor 1934-1935 në gjimnazin e Shkodrës. Ambienti i ri shoqëror, leximi i librave “të ndaluara”, të cilat ia jepte fshehurazi në fashikuj shoku i tij Qemal Stafa, hapen tek ai horizonte të reja, ideale të reja për të cilat punoi deri në fund të jetës. Në vitin 1936, u bë anëtar i grupit komunist të Shkodrës me Qemal Stafën që ishte bashkëthemelues i Grupit Komunist të Shkodrës. Nazmiu ishte një nga veprimtarët e grupi komunist i Shkodrës, i cili ishte një organizim parapartiak komunist që u formua dhe veproi nga koha e mesi i viteve’ 30 deri në themelimin e Partisë Komuniste në Shqipëri. Nazmi Rushiti ishte shok me Emin Durakun një nga anëtarët më aktivë të grupit komunist të Shkodrës, së bashku Tom Kolën e Sadik Bekteshin, që në Luftën Nacionalçlirimtare ka qenë komisar i batalionit “Perlat Rexhepi” e më pas komandant i Br. XXVII S që ka vepruar edhe në Kosovë.

Qëndrimi burrëror në gjyq

Në Tiranë diktohet nga xhandarmëria si nxënës me “ide të kuqe” dhe transferohet në Gjimnazin e Shkodrës. Por edhe atje bëhet një agjitator i zoti i ideve komuniste dhe punon pa u lodhur për demaskimin e regjimit satrap të Zogut. Për aktivitet antizogist, në janar 1939, arrestohet së bashku me Qemal Stafën dhe dënohet me 4 vjet burg. Me pushtimin fashist, në prill të 1939-s del nga burgu dhe merr pjesë në demonstratat, protestat e studentëve dhe të popullit të Tiranës, që kërkonin armë, për të luftuar okupacionin fashist të prillit 1939. Po në të njëjtën kohë, më 6 dhjetor 1939, përjashtohet nga shkolla me motivimin: “Elementë turbullues, organizator të demonstratave antifashiste, komunist i rrezikshëm”. Nazmi Rushiti iu drejtua drejtorit të shkollës me fjalët: “Ti zotni drejtor, mund të më përjashtosh nga konvikti e shkolla dhe me anë të padronëve të tu, fashistëve italianë, edhe mund të më burgosësh. Por mendimet dhe fjalët e mia as ti, as padronët e tu s’jini të zot të m’i frenoni, as të m’i ndaloni derisa në kraharorin tim të mos ketë pushuar frymëmarrja”.

Në burgjet e fashizmit italian

Pushtimi i vendit tonë nga fashizmi italian e tronditi shpirtërisht, por e bëri edhe më të vendosur për të vazhduar luftën. Për aktivitet antifashist u përjashtua nga gjimnazi i Shkodrës, në dhjetor 1939 së bashku me shokët e tij të luftës Tom Kolën, Emin Durakun etj., duke u cilësuar si “element turbullues, organizator i demostratave, komunist i rrezikshëm”. Kuestura italiane e arrestoi Nazmiun dhe për këtë aktivitet të gjerë, në janar 1939, arrestohet, nxirret në gjyq dhe dënohet bashkë me Qemal Stafën, së pari me internim në Mbreshtan të Beratit, pastaj në burgun e Gjirokastrës, i cili gjendej në kalanë e Gjirokastrës, dhe prej andej e dërgojnë në internim në kampin e Ventotenes (ishull në Itali) me motivacionin: “Predikues fanatik i doktrinave ekstreme, element turbullues me pikëpamje komuniste”. Nazmi Rushiti do t’u thoshte autoriteteve fashiste: “Ju faleminderit shumë, zoti federal që më dhatë mundësinë të vij (në internim) e ta njoh fashizmin në vendin e vet, mbasi në vendin tim e kisha njohur me kohë”.

 

Fillimi i Luftës nga njësitet e thjeshta partizane

Në shtator 1941, u kthye nga internimi në Shqipëri ku vazhdoi jetën revolucionare. U pranua në Partinë Komuniste Shqiptare, në 8 Nëntor 1941. Nazmiu u dërgua në qarkun e Dibrës ku punoi dhe dha një kontribut të madh për krijimin e organizatave të rinisë si në Peshkopi, Maqellarë, Zerqan, Gollobordë, Reç, Sllovë, në qytetin e Dibrës etj. Ai mori pjesë në aksionin e qershorit 1942 tek gurët e Skënderbeut në Bulqizë, në përpjekje me karabinierët në malin e Kërçinit, organizoi prerjen e linjave telefonike disa herë në të gjithë Dibrën. Nazmi Rushiti së bashku me shokët Dali e Esat Ndreun, Demir Gashin, Xhavit Hatibin, Veli Devën, Ejup Hatibin, Beshir Laçin, Ilmi Çaushollin e të tjerë organizoi më 16 shtator 1942 aksionin e minierës Bulqizë, pushtuan vendbanimin e punëtorëve italianë, kur i mblodhi e u shpjegoi për qëllimet e LANÇ-it, për disfatën përfundimtare e të pashmangshme që u kërcënohej fashistëve e nazistëve etj. Në fund, u bëri thirrje të linin punën në minierë e të ktheheshin në familejt e tyre në Itali. Kënduan me punëtorët këngë revolucionare antifashsite italisht dhe në realitet punëtorët braktisën punën në minierë dhe u kthyen në Itali. Puna për shfrytëzimin e minierës së kromit pushoi. Armët që u kishin dhënë punëtorëve italianë iu dorëzuan partizanëve. Për këtë aksion, komanda eprore e karabinierëve njoftoi Kryeministrin, me shkresën nr. 145615 datë 17.09.1942. Nazmi Rushiti ishte në krye të aksionit në Bulqizë, të prerjes së linjave telefonike, në aksionin e Qafë-Murrës, në vrasjen e kriminelit dhe xhelatit Stavro Jaho etj. Këto ishin disa nga veprimtaritë e njësitit të thjeshtë të Dibrës të organizuara dhe të drejtuara me sukses nga Nazmi Rushiti.

 

Aksioni i fundit dhe torturat fashiste

Së bashku me Demir Gashin e me disa shokë të rezistencës të zonës së Zerqanit, Nazmiu personalisht vrau Stavri Jahon, komandant i Karabinierisë italiane të nënprefekturës së Zerqanit, i cili kishte bërë krime në Pezë, e torturuar shokët tanë në burgje, i dënuar me vdekje nga qendra e rezistencës në Tiranë. Pas vrasjes, i penguar nga një oficer armik, ndërroi drejtimin e tërheqjes dhe, pasi kaloi disa mure taracash, nga hedhja pësoi tronditje dhe pranë një trungu arre, mbetet pa ndjenja, meqë vuante edhe nga zemra. Në aksionin e Zerqanit, duke humbur drejtimin, bie nga një lartësi 30-40 metra dhe thyen këmbët. Disa roje finance italiane e panë dhe e lidhën, para se të përmendej. E futën në burg, e torturuan në mënyrën më çnjerëzore. U rezistoi torturave në karabinierinë e qarkut Peshkopi, duke mos folur asgjë për shokët e rezistencës. Në burgun e Peshkopisë ku xhelatët italianë ia vazhduan torturat, duke e rrahur me litarë e duke ia shpuar me shtiza të nxehta trupin. Në gjendjen tepër kritike për jetën ai iu përgjigjej fashistëve italianë se “Ne luftën do ta fitojmë, do ta fitojmë që kur kemi kapë armët dhe që kur kemi mësue se nga me i drejtue plumbat”. Në mesin e natës së 27 shtatorit 1942, kur filli i jetës së tij po këputej, xhelatet shkuan për t’i bërë “kurën” tjetër të torturave dhe në vend të përgjigjes së dëshiruar, dëgjuan: “Rroftë Lufta Nacionalçlirimtare”! Në këto rrethana, i pushoi zemra përgjithmonë.

 

Nazmi Rushiti është kthyer në simbol

Nazmi Rushiti u bë dëshmori i parë i LANÇ-it për Dibrën. Për veprën e tij heroike, pas vdekjes, Kuvendi Popullor i RPSH e ka shpallur “Hero të Popullit”. Populli i ka thurur mjaft këngë dhe elegji ku midis të tjerave i ka kënduar: “Nazmi Rushiti djalë me huqe, Këmishën e zezë ta bën të kuqe”. Për Nazmi Rushitin janë bërë buste, është shkruar një monografi nga Lutfi Hanku, si dhe shkolla e rrugë mbajnë emrin e tij.