Suplementi Pena Shqiptare/ Ali Bregu: Gënjeshtra të vërteta

356
Sigal

 

 

-Në dy variante –

VARIANTI I PARË

Kur vdiq rrondokop Raxhimi

Ky lanet i lagjes time,

Në ato çaste varrimi

Kur e mburrnin pa kursime ,

Teposhtë dheut të shkretë

Vjen një zë nga ku qe shtrirë:

– S’e paskam ditur as vetë

Që kam qënë kaq i mirë!

VARIANTI I DYTË

Që ishe ti shkrimtar, piktor edhe poet,

Që ishe magjistar, shenjtor edhe profet,

Që ishe ti i urti dhe ëngjëllori vetë,

Që ishe më njerëzori dhe çmontoje rrufetë,

Mes nesh ne, kur të patëm e rrotull t’u vërtitëm,

Këto ,sa ishe gjallë,kurrë nuk i ditëm .

Veç sot, kur ti vdiqe dhe u ndave nga jeta,

Mësuam te varrimi gënjeshtra të vërteta.

 

 

TË DUA TY…

Të dua ty

Si flladin që fshik lulet e freskon.

Si shiun që ngop tokën, përtërin.

Si pemën që kur piqet ze pikon.

Si borën rreze e diellit kur e shkrin.

Të dua ty

Si lulen kur e fshik flladi i lehtë.

Si tokën kur i shuan shiu etjen.

Si frutin kur e marr me duar vetë.

Si dimrin kur i shtie borës tretjen.

Të dua ty

Si aromën e lules me flladin përzjerë.

Si shtatzanësinë e tokës, pjellorinë e saj.

Si kënaqësinë e kokrrës plot shije dhe erë.

Si lotët e dimrit kur shkrihen në vaj.