Hyqmet Zane: Shqiptarët e Çamërisë të anatemuarit e Shqipërisë nga shteti shqiptar

86
Sigal

Thirrja e çamëve të Amerikës për kauzën tonë të shenjtë

Fati e do që të  jetojmë në një kohë dhe në një vend, që kanë kundërshti të mëdha mes tyre, sepse në kohën që jetojmë bëhen vepra që nuk i shkojnë kostumit të vendit tonë Shqiëprisë, me historinë që kemi. Për çamët kjo është si një bashkëudhëtare antivlerash, që kanë shoqëruar brezat e çamëve, që erdhën nga vendi i tyre pas shpërnguljes nga Çamëria si shkak i gjenocidit shtetëror  grek. Kështu pësuan gjyshërit tanë, prindërit tanë, por edhe ne fëmijët e tyre. Për fatin e keq po e përjetojnë edhe fëmijët tanë trashëgimtarë.

Disa të vërteta të pamohueshme:

Pasi ushtria shqiptare e drejtuar nga Enver Hoxha gjatë Luftës II Botërore nuk dërgoi asnjë batalion, pale brigadë në ndihmë dhe në mbrojtje të vëllëzërve shqiptarë të Çamërisë, siç bëri dhe shkoi deri në Vishegrad për të mbrojtur popullatën jugosllave. Për popullatën shqiptare të Çamërisë do të vinin ditë e vite të errta dhe shumë denigruese të njëpasnjëshme. Çamërit do të ishin të  Çanatemuarit e Shqipërisë nga shteti shqiptar, që e shtriu këtë anatemi edhe në popull sa bëheshin pjesë e jetesës me shprehjen e konotacionit më negativ të fjalës “çam”..

U tentua dhe u realizua më 1949 t’i çonte çamët si mish për top në Gramoz për të luftuar  bashkë me partizanët komunistë grekë kundër pjesës tjetër greke. Çamët nuk e pranuan, e kundërshtuan dhe Enveri i internoi në Llozhan dhe në kënetën e Maliqit, ku vdiqën nga vuajtjet shumë prej tyre. Kjo ishte hakmarrja e parë. Më pas, në vitin 1953 nga shteti shqiptar u dha në bllok shtetësia shqiptare të gjithë çamëve të ardhur nga Çamëria për shkaqet e gjenocidit grek mbi popullatën shqiptare të asaj krahine që tanimë dihen se cilat janë. Kjo ishte rezultat i marrëveshjeve të fshehta mes qeverive shqiptare dhe asaj greke. Në atë kohë shteti grek ishte në prag të amnistisë, ku do të faleshin të gjithë ish-shtetasit grekë të dëbuar. Por si një shtet shovinist, grekët nuk donin që shqiptarët e Çamërisë që njihen tanimë si “çamët” e dëbuar të riktheheshin, dhe të mos përfitonin nga amnistia greke. Fshehtas qeveria greke i  kërkoi qeverisë shqiptare të kohës, që t’u jepej shtetësia shqiptare. Ashtu u veprua nga qeveria shqiptare.

Në këto kushte, meqenëse akordimi i shtetësisë shqiptare personave me kombësi shqiptare nga Çamëria është bërë pa kërkesën dhe vullnetin e tyre, pasi edhe dekreti nuk është botuar në gazetën zyrtare dhe është zbuluar vetëm në vitin 2000, pasi bie në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, të garantuara me dispozitat kushtetuese ligjore si dhe me aktet ndërkombëtare. Me atë akt, çamët u përjashtuan nga amnistia dhe nuk u kthyen në vatrat e tyre amëtare deri më sot. Studiuesja Georgia Kretsi në një intervistë të saj nga një studim etnografik lidhur me përndjekjen dhe kujtesën post-socialiste në Shqipëri sjell një rrëfim nga një banor me origjinë çame: “Kur u dënua grupi i Teme Sejkos, Enver Hoxha i është drejtuar Temes, dhe i ka thënë “Ju çamët e pabesë’” kështu që historia e çamëve të pabesë ngeli pastaj si gojëdhënë në të gjitha. Mjaftonte të thoshte Enveri edhe kudo të thoshin “çam i pabesë”. Këtu fillonte pastaj edhe denigrimi ose lufta krahinore…ne të rinjtë e Çamërisë, filluam të denigroheshim thjesht si çamër.

Më pas vitit 1960 –1961 shqiptarët e Çamërisë që ishin vendosur në territorin jug perëndimor dhe në Shqipërinë e mesme do të përjetonin presionin nga fyerjet dhe depersonalizimi shoqëruar edhe me masa kufizuese të jetesës së përditshme ku nofka “çam” mori karakter pezhorativ.

Ky material është marrë nga arkivat dhe është kontribut i një çami të nderuar, të cilin e falenderoj. Dua të shtoj edhe unë momentet e tjera të ngjarjeve që kanë ndodhur në një shekull e ca më parë në SHBA Kryetari i Shoqatës Çamëria në Amerikë, Beqo Izet Chami do të botonte në gazetën “Albania” të Amerikës një Thirje drejtuar çamëve

“Me gjithë që e gjenj të tepërt, thirjen time, nër vëllezërit e mi çamër, por koha kritike, detyra dhe barra që më kanë dhënë si kryetar i Shoqërisë, më ngut t’u bënj këtë thirrje duke i përmendur mbi detyrën, që kanë përpara shoqërisë së tyre, qëllim i së cilës nuk është gjë tjatër veç se përmbledhja e Çamërisë pjellore në gjirin e së dashurës mëmë Shqipëri !

Çam Vëlla !

Është e tepër të përmend përpjekjet e shoqërive përgjithshme, të cilat përpiqen me çdo mënyrë për të na shpëtuar nga thonjtë e armikut. Sot, si Vatra dhe Partia ndjekin një qëllim që të dyja po bërtasin për shpëtimin e Kosovës dhe Çamërisë. Këto shoqërira përmbledhin nga të tëra viset e Shqipërisë, të cilët veç këtyre janë ndarë dhe në shoqërira qytetare e katundare. Si shoqëria Arësimi I Korçarëve, Bashkimi i Drenovarëvet etj., të cilat dhe këto nuk bëjnë gjë tjetër, veçse për shpëtimin e atdheut të tyre. Duke marrë parasysh detyrën që kemi, para disa kohe filluam në këtë qytet shoqërinë e çamëve me emrin e bukur ‘Çamëria’. Kurse e filluam këtë shoqëri nuk e filluam për veten tonë, por për çamërit dhe Çamërinë. E filluam që të përmblidhemi gjithë bijtë e Çamërisë në një zemër dhe në një zë të kërkojmë të drejtat tona, të kërkojmë ç’dënimin e Konferencës së Londonit që na shkëputi nga gjiri i mëmës Shqipëri. Çam! mendohu pak dhe gjyko se ora arriti ja të vdesim, ja të rojmë. Merr pak shembull nga të tjerët dhe bëj detyrën tënde për para shoqërimit atdheut. Para tri javë grekërit sipas zakonit të tyre, dështuan që Korçën me qarkun e saj ta bënin Greke. Atdhetarët e vërtetë me gjithë që nuk i lanë, por menjëherë protestuan si dhe me anën e shoqërisë së tyre Arsimi, e cila nuk përbëhet veç se prej korçarëve.

Prandaj me anën e kësaj thirrje i lutemi si çdo Çami të përpiqet për forcimin e shoqërisë së tij.

Të fillonjë degë dhe në qoftë numëri i pakët të dërgojë ndihmat e tij bashkë me emrin dhe adresën si të Amerikës dhe atë të Shqipërisë. Telegrafet si dhe masat e tjera për në Konferencën e Paqes i kemi përgatitur dhe do t’i forcojmë sipas ndihmës materiale që do kemi. Zërit të shoqërisë Çamëria për fat te keq shumë pak i janë përgjigjur. Prandaj i përlutemi si çdo çami t’i përgjigjet zërit Çamërisë qëllim i së cilës është : Shpëtim i saj, në gjirin e Shqipërisë.

Kryetar

Beqo Izet Chami

          Epilog

Është një thirrje që mund të bëhet edhe sot në situatën që është Shoqata’ Çamëria’ dhe kjo thirrje sikur i shkon për shtat që do të doja ta cilësoja si një ndër thirrjet e mëdha nga idealistët dhe burrat çamë me vlera të mëdha në zemër të Amerikës, kurse sot një Rezolutë që kemi nuk e diskutojmë dot as në Parlamentin Shqiptar e pale në Parlamentin Europian e më tepër në Kongresin Amerikan.